Home KRYESORE Dua të bëhem polic, se ai është miku ynë! Nga Luela Myftari

Dua të bëhem polic, se ai është miku ynë! Nga Luela Myftari

Policia që duam. Kjo ishte një nga shprehjet që na shoqëroi vitin që shkoi. Ishte polici që merrte për dore një të moshuar për të kaluar rrugën ndërsa kishte ndalur të gjitha makinat. Ishte një vajzë e re në trafikun e çmendur të kryeqyteti, apo në rradhën e uniformave gjatë protestave. Ishin të gjithë ata që dhuruan lule për 8 mars apo ata që u kthyen në heronjtë e preferuar të fëmijëve në spitalin pediatrik.

Në shoqërinë shqiptare, nuk kanë qenë të zakonshme këto pamje. Në familjet tona, prindërit “thërrasin” policinë nëse nuk hamë ushqimin. Edukuar me idenë se uniforma ngjall më shumë frikë se sa siguri, në vendin tonë u rrit një brez, a ndoshta më shumë, që një uniformë blu nuk e sheh si mik, hero a shpëtimtar. Thuajse të gjithë kërkojnë të diplomohen për juridik, për të vendosur drejtësi, ndërkohë që asnjë nuk ëndërron të bëhet polic, të ndryshojë gjërat e vogla, të shmangë krimin apo të ketë sa më pak nevojë për drejtësi. Jemi një shoqëri që duam drejtësi, pa ndaluar të padrejtën. E kjo sepse na ka munguar që në fëmijëri një imazh, një tekst a një model që na rrëfen rrugën, atë nëpër të cilën ecim të gjithë e përballemi me mijëra buri, alarme e shumë rrezik.

Kur një ditë zbulova në tavolinën e punës një libër me titullin “Dua të bëhem polic, se ai është miku ynë” ishte e pamundur mos më shndrisnin sytë. Më në fund një mesazh i qartë, që në titull, diçka që fëmijëve shqiptarë i ka munguar. Imazhi i kopertinës e bënte edhe më tërheqës. Ndërsa e shfletoja, gjithnjë e më shumë shtyhesha ta lexoja. Tw gjitha ilustrimet e bënin tërheqës, e në fund zbuloj se në të kishte edhe një CD. Ishte normale, fëmijët e sotëm flasin edhe gjuhën e teknologjisë. U bëra xheloze, që botime të tilla nuk i shfletoja në fëmijërinë time.

Nolian Lole ishte autori i librit, ndërsa Endri Beqo ai i imazheve. E përpiva librin sapo e nxorra nga çanta, në shtëpi. Emrat e personazheve ishin kaq të zakonshëm në shoqërinë shqiptare, çka e bënin të natyrshëm rrëfimin e ngjarjeve. Situatat po ashtu. Në rrugë, në rajonin e policisë, në udhëtimin për pushime, në raste zjarri apo situatat në shkollë dhe bisedat me të panjohur në internet e rrugë ishin të gjitha kaq të dëgjuara. E polici ishte gjithnjë në krah e në ndihmë të fëmijëve, të të gjithë atyre që u dedikohej libri. Aty mësohej si të sillemi kur na ngacmojnë e na joshin në internet, se si të reagojmë kur na shajnë në shkollë, se si duhet të bashkëpunojmë me një polic, që më së pari është një njeri. Por, modeli dhe mesazhi që përcjell Nolian Lole në këtë botim është më shumë se kaq. Kjo shoqëri, gjithnjë e më shumë ka nevojë për heronj, për njerëz që e bëjnë jetën më të bukur e më të sigurt.

“Dua të bëhem polic se ai është miku ynë”, në fakt ishte një ide që edhe autori e kishte marrë nga një botim gjerman. E kthyer rishtazi në situata dhe gjuhë që fëmijët shqiptarë e kuptojnë, Nolian Lole kishte zgjedhur që kapitullin e fundit t’ia dedikonte prindërve. Në fund të fundit, disa këshilla edhe për ta ishin të nevojshme.

Mes shumë “MOS” që dëgjojmë çdo ditë nga prindërit, të paktën “Mos u bë polic se nuk ndryshon botën”, nuk do të përdoret më kaq shumë. Sepse të gjithë mund ta bëjmë këtë botë më të mirë, nëse veshim një uniformë heroi qoftë edhe një ditë, apo nëse e respektojmë atë që është në rrugë në ditë me shi, dëborë, në një ndërtesë me flakë apo në një shkollë.

Në kopertinën e pasme, nuk kishte çmim, e në fakt asnjë çmim nuk do të ishte shumë për këtë libër, pasi prindërit me siguri do t’ua dhuronin fëmijëve sido të ishte. Autori thotë se ky botim është falas e ka nisur të shpërndahet në shkolla. Të parët që e morën dhuratë këtë botim ishin nxënësit e shkollës “Jashar Hoxha” në Paskuqan e impakti ka qenë i jashtëzakonshëm. Prindërit, mësuesit, nxënësit dhe autori të pranishëm në një orë diskutimi, e pritet që ky aktivitet të shtrihet në të gjitha shkollat e Tiranës, për të vijuar më tej edhe në rrethe.

Projekti është mbështetur nga “Lëviz Albania”, ndërsa libri është miratuar nga Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, çka nënkupton për më skeptikët se filtrat i ka tejkaluar dhe tani duhet vetëm të mbërrijë në duart e fëmijëve.

Share: