Kardiologu i njohur, Sabit Brokaj, një nga mjekët e ekipit që ndiqte 24 orë shëndetin e Enver Hoxhës, në një intervistë për gazetën “Panorama” shprehet se protokolli i blerjes, marrjes, transportimit dhe dhënies së ilaçeve të Enver Hoxhës ka qenë aq strikt dhe i mirëstudiuar sa nuk linte asnjë hapësirë që dikush të tentonte helmimin e tij.
Sipas profesor Sabitit, vdekja e Enver Hoxhës ishte rrjedhojë e një patologjie të hershme të diabetit që në vitin 1948, duke krijuar komplikacione, që agravoheshin vit pas viti dhe në organet të tjera të trupit. Sipas tij, kujdesi ndaj tij ishte maksimal, ndërsa Enver Hoxha deri pak para vdekjes ka qenë aktiv në detyrat politike dhe shtetërore.
Profesor Brokaj, ju keni qenë pjesë e ekipit të mjekëve që u vendosën pranë Enver Hoxhës qëkur ai pësoi atakun e parë kardiak. Ka qenë ekzaminimi i vonë i diabetit, që shkaktoi dëme dhe në organe të tjera në organizmin e Enver Hoxhës?
Jo, diabeti ishte i njohur që nga viti 1948 dhe ndaj ishte eprori profesor Fejzi Hoxha, mjeku më i mirë endokrinolog që kishim, sepse pacienti ishte i sëmurë diabetik dhe Enver Hoxha mjekohej për diabetin. Ecuria e diabetit me ndërlikimet shoqëruese bëri rrugën e vet natyrale. Duhet të kemi parasysh një pacient me një diabet vështirë për të ekuilibruar, obez, duhanpirës, me stres permanent. Pra, në konceptin e kardiologjisë prej më shumë se 10 vitesh janë të lexueshëm faktorët rrezikues.
Enver Hoxha kishte gjithë faktorët rrezikues dhe vetiu në një pacient të tillë, janë të pritshme ndërlikimet në sistemin arterial, në zemër apo dhe në tru. Për mendimin tim, jo thjesht se isha pjesë e ekipit të mjekëve, por dhe për përvojën për këta të sëmurë, Enver Hoxha ka qenë i sëmurë i mirëkontrolluar, në aktivitet të plotë derisa vdiq në atë moshë, pasi me këta faktorë, pacientët janë të rrezikuar dhe në moshë shumë më të re. Enver Hoxha pati ndërlikimet e tij diabetike.
Pra, nuk flitet për helmim kur ai kishte filluar të bënte dioctophyme renale, me azotemi, kreatemi, bënte insulinë, pasi kishte bërë dhe infarkt, pra është në ecurinë e njohur të një të sëmuri me diabet dhe me shumë faktorë të rrezikuar që do të sillnin këto pasoja. Ndaj, vetë rruga e patologjisë dhe ndërlikimeve është nga më të njohurat për ne, prandaj me këto faktorë riskantë, pacientëve u ndodhin pasoja të rënda edhe më shpejt, por Enver Hoxha ka qenë një pacient që ndiqej në mënyrë shumë rigoroze, plotësisht shkencore, me një kujdes maksimal, absolutisht me të gjitha.
Nëse do të diskutosh nëse u helmua apo jo, me procedurat që ndiqeshin nuk gjeje njeri se kush do ta helmonte: Mjeku?! Infermieri?! Të cilit medikamentet ia sillnin të tjerët?! Oficeri nuk i prekte fare medikamentet?! Po të shikoje mënyrën se si ishte ndërthurur i gjithë protokolli i punës, ishte i tillë që as bëhej fjalë të të shkonte mendja në një marrëzi të tillë. Personeli ka qenë shumë, shumë i kontrolluar, shumë i besuar politikisht, prandaj më duket një debat shumë abuziv.
Merrja e ilaçeve jashtë shtetit bëhej nga disa persona, mjeku ishte i shoqëruar, ju si keni vepruar?
Ilaçet kontrolloheshin nga oficeri përkatës i ambasadës ku merreshin ato dhe transportoheshin nga oficeri i sigurimit.
Asnjëherë nuk lëvizej vetëm, apo mjeku të shkonte në farmaci dhe t’i blinte?
Absolutisht jo. Kishte disa filtra ku asnjë individ nuk kishte pavarësi të plotë, por kontrollohej nga hallka tjetër. Ishte studiuar shumë mirë kjo çështje e sigurisë.
Ju vetë keni marrë ndonjëherë ilaçet e Enver Hoxhës jashtë shtetit?
Unë kam sjellë nga Franca jo ilaçet, por syzet dhe lentat e Enverit dhe material sanitar njëpërdorimësh, sepse ne ishim të varfër për këto, jo medikamente. Nuk ishte një blerje e thjeshtë, por kishte protokoll. Unë u ndodha për specializim në Paris dhe kur u ktheva më ngarkuan detyrën që të sillja këtë pako. Por, kur niseshin nga Shqipëria për ilaçet, gjithmonë shoqërohej me punonjësin e sigurimit, me punonjësin që mbante fondin tej.
Gjatë periudhës që Enver Hoxha ndiqej nga grupi i mjekëve, ka qenë aktiv në jetën partiake dhe shtetërore, i përmbushte rregullisht ato, apo ka qenë i izoluar dhe çdo detyrë e përmbushte bashkëshortja e tij, Nexhmije Hoxha?
Këtë pjesë të jetës politike të Enver Hoxhës natyrisht që ne e ndiqnim nga afër, sepse e shoqëronim. Fakti është se ai shkonte në zyrë çdo ditë, përveç periudhave kur ishte në regjim, në shtrat. Por ai ishte një njeri shumë aktiv. Ai shkonte punonte në zyrë, kur të sëmurët me të njëjtën diagnozë ne i mbanim në spital. Kishte një vetëpërmbajtje dhe një guxim. Nuk mund të them se çfarë bënte në zyrë apo në studio, por ai ishte i angazhuar si udhëheqës i partisë dhe i shtetit. Produkti që dilte ishte tjetër gje/360grade.al