Home KRYESORE Eksperti i shkruan kryetarit te bashkise per Tiranen

Eksperti i shkruan kryetarit te bashkise per Tiranen

Nga Romeo Hanxhari

I nderuar zoti kryetar i Bashkisë së Tiranës,

kur ju lajmëroni që Tirana do të ketë një terminal të vecantë për autobusët e zonës Juglindore në Farkë, ne të gjithë kemi të drejtë të mendojmë se ju jeni këshilluar gjerë e gjatë me ekspertët e transportit, territorit, mjedisit, dhe jo vetëm me ndërtuesit. Dhe ju me siguri e keni bërë.

Unë nuk paragjykoj. Dhe nuk kam absolutisht asnjë arsye të besoj se ju jeni lloji i vendimmarrësit i cili në vend që të këshillohet nga këshilltarët, i këshillon ata. Sepse dua të besoj sinqerisht se, pavarësisht se sa i bindur doni të dëshmoheni në hierarkinë politike, për origjinalitetin që keni dëshmuar deri tani, ju nuk keni asnjë detyrim për të patur për bazë veprimi kriterin “cfarëdo të bëj, duhet të jetë patjetër e kundërta e projekteve të kundërshtarit”. Sepse po ashtu unë dua të besoj fort se ju, si përfaqësues i brezit të ri të politikës, do të donit të tregonit gjithmonë se vini qytetin mbi taktikat elektorale. …

Dhe sepse, së fundi, jam i sigurt se ju jeni plotësisht në të drejtën tuaj që të ndjeni atë joshjen e parezistueshme dhe drithëruese për t’u dhënë të rinjve të tjerë shembullin pozitiv të vendimmarrjeve të mencura e të konsultuara…

Zoti kryetar, cfarë lexuat më lart jua shkrova me qëllimin që cfarë do të lexoni më poshtë mos t’i konsideroni si kritika qëllim në vetvete të një kundërshtari, por si mendime të sinqerta të një qytetari. Të një qytetari me një nivel modest ekspertize por dhe me një sens më pak modest përgjegjshmërie. Fakti që ulem e ju shkruaj, shpresoj pra të merret sic është, një kontribut i përulur për qytetin tim.

Zoti kryetar, fiksojeni mirë që qyteti i Tiranës nuk është “metropol”. …Kjo është megalomania që na e kanë imponuar këngët RAP apo politikanët që i kanë kënduar. Nuk ka sens. Qyteti i Tiranës ka jo më shumë se 530 mijë banorë, sipas regjistrimit të fundit zyrtar të 2011. Ja paska vajtur në 600 mijë tani bashkë me lagjet e bashkangjitura të Kasharit dhe Dajtit… Metropoli urban duhet të ketë të paktën 1 milionë banorë që të meritojë këtë emër. Dhe duhet të ketë edhe jo pak elemente të tjerë urbanistikë, që Tirana jonë ende nuk i ka. …

Por, nëse ne e quajmë a jo qytetin tonë “metropol” apo “petropol”, kjo nuk do të kishte pikë rëndësie deri në momentin kur ne fillojmë e besojmë vërtet që qyteti ynë është “supermetropol”, dhe nisim e veprojmë në përputhje me këtë autosugjestion. Shohim ëndrra me sy hapur. Sepse Tirana brenda unazës së saj të madhe, ka sipërfaqe të vogël urbane, më pak se 40km2,. Madje edhe vetë “unaza e madhe” gjithsej nuk është më shumë se 25km e gjatë. Kjo do të thotë se Tirana është një qytet modestisht mesatar, përgjithësisht kompakt, dhe me akses të shpejtë nga njëri cep tek tjetri. Aksesi lehtësohet sidomos tani që Tirana përfundoi segmentin më të rëndësishëm të unazës së madhe nga Sheshi Shqiponja (kthesa e Kamzës) deri tek TEG-u (ose Farka).

Pikërisht këto dy pika janë edhe pikat kryesore të aksesit në Tiranë: tek TEG-u vjen fluksi shumë modest i juglindjes, pra Korcës e Pogradecit, ndërsa tek kthesa e Kamzës vjen fluksi madhor nga jugu, veriu, e verilindja.

Zoti kryetar, nëse Tirana do ishte “metropol”,

dhe me distancë nga një cep te tjetri prej dhjetëra a qindra kilometrash, atëherë ashtu si Parisi, mund të kishte nevojë për terminale në 4 a më shumë pikat e horizontit: terminal Jugor, terminal Verior, Lindor e Perëndimor, etj. Por ne jemi të vegjël, zoti kryetar. Jemi të vegjël. Ndaj besoj se na duhet vetem 1 terminal, sic e kanë edhe qytete më të mëdha se Tirana në rajon, të tipit Athina, Sofia, Beogradi, Zagrebi, etj. Sepse në Tiranë, nga pika e aksesit të juglindjes deri tek pika e aksesit të jug-veriut janë vetëm pak kilometra të mjerë të cilët përshkohen në pak minuta po aq të mjera. Pra, nëse qytetarët e Korcës e Pogradecit vijnë e zbresin jo tek TEG-u, por tek terminali i vetëm tek kthesa e Kamzës (kur të bëhet, besoj shpejt), ata jo vetëm që nuk do të harxhojnë kohë po përkundrazi do të fitojnë, sepse nuk do u duhet të zbresin nga interurbani i tyre për të marrë urbanin që të shkojnë tek interurbanët e tjerë. Fitojnë kohë sepse aty, tek kthesa e Kamzës, ata direkt mund të marrin interurbanët për cdo qytet tjetër të Shqipërisë a Kosovës, apo mund të marrin urbanët për Tiranë a Rinas…

Sepse kuptimi i terminalit është pikërisht ai i mbërritjes në një pikë ku lihet një shërbim dhe merret menjehere një tërësi shërbimesh të tjerë të asaj kategorie. Sidomos tani kur në kuadër të procesit të Berlinit, Shqipëria do ta rindërtojë më të shpejtë hekurudhën Tiranë-Durrës dhe Tiranë-Rinas, që me siguri do të kalojnë nga terminali i kthesës së Kamzës. Atëherë pse u dashka që qytetarët e juglindjes të jenë si të izoluar atje lart në kodrat e Farkës? Qytetarët e juglindjes fitojnë nëse ju nuk ua bëni terminalin në Farkë. …

Por kryesorja është që Tirana dhe Farka fitojnë edhe më shumë akoma. Farka shpëton nga një hotspot ndotjeje të ajrit. Tirana fiton një sipërfaqe toke që nuk ka pse të betonohet si “terminali i Juglindjes”. Në atë tokë ju mund të bëni një shkollë të madhe, apo shumë fusha minifutbolli që të përdoren falas për fëmijët, apo një pishinë bashkiake po ashtu falas për kalamajtë, apo një qendër moderne edukimi mjedisor, apo ndonjë element tjetër inovativ urban aq të nevojshëm për qytetin tonë. …

Sepse, zoti kryetar, ju e dini por unë po ia lejoj vetes t’jua kujtoj që, gjëja më me vlerë që një Bashki mund të ketë është TOKA. Toka. Atë ose e ke, ose e blen, ose e përdor me partneritet. Në cdo rast toka është mall me shumë vlerë. Dhe përdorimi i mencur i saj është qëllimi parësor i cdo plani urbanistik, apo i cdo vendimmarrjeje.

Duke dashur ta mbyll, zoti kryetar, dua të shpreh bindjen se ka shumë e shumë mënyra për t’u dhënë vlerë tokave private rreth e qark Tiranës. Po ashtu ka shumë më shumë mënyra për t’i dhënë vlerë një zone prestigjioze rezidenciale si Farka. Ju keni në dorë shumë instrumenta. Dhe ndërtimi i një “terminali” jo të domosdoshëm autobusësh, është i fundit në rradhë mes atyre instrumenteve. …

Por vendimi eshte i juaji. Ju jeni votuar, ju e keni përgjegjësinë. E rëndësishme është të ndiheni i bindur dhe jo thjesht të bindeni…

Duke u kufizuar kësaj rradhe vetëm tek kjo temë, me shumë respekt per bindjen tuaj cilado qoftë ajo,

Romeo Hanxhari

Share: