Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar zyrtarisht pas ekstradimit të financierit të Habilajve Nazer Seitaj për t’u gjykuar nga shteti Italian.
Duke qenë se këto ditë në media, është diskutuar shumë ky vendim dhe është parë si një mundësi për të larguar vëmendjen nga emri i Saimir Tahirit i përmendur në audio përgjimet, Prokuroria ka këtë qëndrim.
Njoftimi i Prokurorise:
Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë njofton verifikimin e procedurave dhe hapave ligjorë për rastin ekstradimit të shtetasit Nazer Seitaj në Itali.
Prokurorja e Përgjithshme znj.Arta Marku menjëherë mblodhi strukturat përkatëse dhe udhëzoi verifikimin e rastit brenda pak orësh.
Pas udhëzimit të Prokurorit të Përgjithshëm znj.Arta Marku, u ndërmor komunikimi me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Prokurorinë Për Krime të Rënda dhe Drejtorinë e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë.
Duke marrë shkas nga disa lajme mediatike dhe duke falenderuar mjetet e informimit për ndjeshmërinë dhe bashkëpunimin e ngushtë në lidhje me ekstradimin e shtetasit Nazer Seitaj, Prokuroria e Përgjithshme, shpjegon opinionin publik për sa vijon:
Prokuroria e Përgjithshme, sot në datë 26.01.2018, në komunikim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Prokurorinë Për Krime të Rënda dhe Drejtorinë e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, pas administrimit të informacionit me lëndën voluminoze, për rastin rezulton:
Prokuroria e Përgjithshme, Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, nuk ka patur asnjë informacion në lidhje më procedimin penal ndaj shtetasit Nazer Seitaj nga Prokuroria Për Krime të Rënda.
Aktet e vetme që ka disponuar kjo drejtori janë aktet që kanë lidhje me procedurat e ekstradimit të shtetasit Nazer Seitaj, në funksion të drejtësisë italiane;
-pasi Gjykata e Catania-s Itali, ka nxjerrë urdhër arrestin mënr.OÇC15355/2013,datë 12.10.2017, për veprën penale të “Pjesëmarrjes në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.
Nga shqyrtimi i akteve të Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë rezulton:
Më datë 20.10.2017, policia gjyqësore e drejtorisë së Policisë Tiranë, në mbështetje të neneve 493,494 dhe 495 të Kodit tëProcedurës Penale, ka arrestuar për qëllime ekstradimi shtetasin Nazer Seitaj, iditëlindjes 30.03.1977, lindur dhe banues në Vlorë.
Arrestimi i shtetasit Nazer Seitaj është kryer pasi Zyra Interpol Roma, në datë 20 tetor 2017, ka bërë shpalljen në kërkim ndërkombëtar të tij, për shkak të urdhërit të arrestit të nxjerrë nga Gjykata e Catania-s nr.OÇC15355/2013,datë 12.tetor.2017.
Prokuroria e Tiranës ka vazhduar procedurat për ekstradimin në mbështetje të rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale dhe Ligjin nr.10193 dt.03.12.2009 i ndryshuar “Për Marrëdhëniet Juridiksionale me Jashtë”.
Ndaj shtetasit Nazer Seitaj, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg” fillimisht me afat 20 ditë dhe më pas ky afat është zgjatur dhe për 50 ditë të tjera.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.1506 Regjistrit Themeltar, datë 5 dhjetor 2017, mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë Tiranë ka vendosur:
– Miratimin e kërkesës.
– Lejimin e ekstradimit të shtetasit shqiptar Nezar Seiti (Seitaj), i ditëlindjes 30.03.1977, lindur dhe banues në Vlorë, nga Republika e Shqipërisë në Republikën e Italisë, për efekt të zbatimit të urdhër-arresit ndërkombëtar nr. OÇC15355/2013,datë 12.10.2017 , lëshuar nga Gjyqtari i Hetimeve Paraprake pranë Gjykatës së Catania-s.
Ky vendim sipas ligjit i është dërguar Ministrisë së Drejtësisë si autoriteti i fundit që vendos në lidhje me ekzekutimin ose jo të vendimit të ekstradimit.
Prokuroria e Përgjithshme në procedurën e ekstradimit, të vetmin rol që ka është ai i koordinatorit ndërmjet prokurorive të Shkallëve të Para dhe ministrisë së Drejtësisë.
Nuk ka pasur asnjë komunikim të Prokurorisë Tiranë me Prokurorinë Për Krime të Rënda në lidhje me çështjen.
Nga shqyrtimi i akteve të Prokurorisë për Krime të Rënda, rezulton:
Kjo prokurori (Prokuroria për Krime të Rënda), në funksion të procedimit penal nr.134/2016, më datë 19.10.2017 ka urdhëruar ndalimin e shtetasit Nazer Seitaj, i ditëlindjes 30.03.1977, lindur dhe banues në Vlorë, i dyshuar për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve”, formë e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 333/a të Kodit Penal.
Ndalimi i shtetasit Nazer Seitaj është vlerësuar i ligjshëm nga Gjykata për Krime të Rënda dhe ndaj tij është caktuar masa e sigurimit “arrest në burg” me afat 20 ditë dhe në përfundim të këtij afati është caktuar masa e sigurimit “arrest në burg”.
Kjo prokurori nuk ka asnjë komunikim në lidhje më çështjen as me Prokurorinë e Tiranës dhe as me Prokurorinë e Përgjithshme.
Vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për vlerësimin e ndalimit dhe caktimin e masës së sigurimit i janë dërguar për zbatim Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Pavarësisht nga kjo, Prokuroria Për Krime të Rënda vazhdon me intensitet hetimet.
Dhe, Prokurori i Përgjithshëm Arta Marku, nxit këtë prokurori të vazhdojë hetimet për çështjen në fjalë dhe çdo çështje tjetër.
Prokurori i Përgjithshëm do të intensifikojë komunikimin me autoritetet italiane në nxitjen e hetimeve të përbashkëta, jo vetëm për çështjen në fjalë, por për krimin transnacional në tërësi.
Prokurori i Përgjithshëm, znj.Arta Marku pasi shqyrtoi aktet e sa më siper, ka marrë këto masa:
Në mbështetje të nenit 160 pika 5, në lidhje me Kreun V, të Ligjit nr. 96/2016 “Për Satusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të fillojë hetimin disiplinor për rastin, për të nxjerrë përgjegjësitë disiplinore nëse ka, të prokurorëve që kanë trajtuar çështjet në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Prokurorinë Për Krime të Rënda.
Të dërgojë aktet në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës dhe t’i kërkojë asaj prokurorie regjistrimin e procedimit penal, për të hetuar rastin dhe për të vënë para përgjegjësisë penale cilindo që mund të ketë shkelur ligjin.
T’i kërkojë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të verifikojë procesin gjyqësor të ekstradimit të zhvilluar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë nëse, gjatë gjykimit të çështjes ka shkelje të karakterit procedural.
Ngarkon Drejtorinë e Studimeve pranë Prokurorisë së Përgjithshme të studiojë rastin dhe të nxirren udhëzimet me karakter të përgjithshëm për të njehsuar praktikat në procedurën e ekstradimeve dhe më gjerë nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.
Prokuroria e Përgjithshme, Kryeprokurori me bashkëpunëtorë, çmon me vlerë të përfitojë nga rasti për të ftuar mediat dhe publikun që, në këtë periudhë që po kalon sistemi i drejtësisë të mbikqyrin veprimtarinë e trupës së prokurorëve dhe gjyqësorit dhe të raportojnë çdo rast, që ata vërejnë se përbën shkelje të ligjit.
Prokurori i Përgjithshëm znj.Arta Marku shpreh bindjen se syçeltësia, vigjilenca, e mjeteve të informimit ndaj sistemit jo vetëm që do ta ndihmojë të qëndroje në shinat e ligjit, porpërkundrazi do ta përmirësojnë tërësinë e vetë sistemit në dhënien drejtësisë për qytetarët, si shërbimi më i çmuar në demokraci.