Ministria e Drejtësisë ka reaguar duke sqaruar vendimin për ekstradimin e anëtarit të bandës së Habilajve, Nezar Seiti në Itali. Ministrja Etilda Gjonaj, që firmosi një ditë më parë ekstradimin deklaron se Gjykata në pjesën arsyetuese të vendimit është shprehur se nuk ka asnjë pengesë ligjore për të mos e lejuar ekstradimin në Itali të Seitit.
Vendimi për ekstradimin e Seitit është marrë nga Gjykata e Tiranës më 23 dhjetor 2017, ndërsa ekstradimi i tij drejt shtetit fqinj është bërë paraditen e të enjtes dhe nisja nga aeroporti i Rinasit është bërë rreth orës 11:40, ndërsa avioni ka mbërritur në Romë rreth orës 12:40. Seiti është shoqëruar ditën e sotme nga dy agjentë të antidrogës italiane, të cilët kanë mbërritur në Shqipëri mesditën e të mërkurës. Nezar Seiti bënte shpërndarjen e parave mes anëtarëve të bandës, para këto të fituara nga trafiku i kanabisit.
Drejtësia italiane shpalli në kërkim Seitin, pas hetimeve nga prokuroria e Cattanias për grupin Habilaj, ku në tetor 2017 u shkatërrua grupi kriminal me në krye Moisi Habilajn. Nezar Seiti u arrestua në Babicë Vlorës me 19 tetor të vitit të shkuar, gjatë një operacioni antidrogë ku u sekuestruan afërsisht 4 ton kanabis. Gjatë përgjimeve të kryera nga prokuroria italiane, anëtarët e bandës përmendin edhe ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Ky i fundit vijon të jetë në hetim në Shqipëri.