Home KRYESORE Haki Çako, Dervishi: Jetojmë në një vend ku lajmi policor është ‘bukë...

Haki Çako, Dervishi: Jetojmë në një vend ku lajmi policor është ‘bukë dhe gjellë’

Historiani Kastriot Dervishi, ish-drejtori i Arkivës në Ministrinë e Brendshme, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale në lidhje me shkarkimin nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të Haki Çakos.

Dervishi ka ironizuar njoftimin e dhënë për shkarkimin e tij.

“Këshilli i Ministrave vendosi dje me një vendim qarkullues të ndërpresë mandatin e drejtorit të Policisë së Shtetit. Ish drejtorit i mbeteshin edhe 2 vjet nga mbarimi i mandatit të nisur në vitin 2015.

Në njoftimin e dhënë u falënderua drejtori i “policisë që duam” për “kontributin, angazhimin, përkushtimin” dhe “drejtimin me profesionalizëm” të Policisë së Shtetit, si dhe u motivua kjo lëvizje për një shpejtësi më të mirë të ekipit të rendit dhe sigurisë në vend. Sipas nenit 13/3 të ligjit nr.108, datë 31.7.2014 “Për Policinë e Shtetit”, mandati i drejtorit të Policisë së Shtetit është 5-vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje.

Kësisoj, çdo shkarkim i drejtorit të Policisë së Shtetit, para mbarimit të mandatit, duhet të jetë i motivuar për shkelje të rënda të detyrës ose për paaftësi. Në të kundërt është akt i paligjshëm dhe mund të goditet në gjykatë.

Nuk njihen shkarkime për çështje shpejtësie sepse këtë “parametër” nuk e njeh ligji. Ne jetojmë në një vend ku lajmi policor është “bukë edhe gjellë”. Nuk gjen kund në botë si policia jonë, e detajshme në dhënien e lajmeve ordinere pa pikë rëndësie, por e paqartë për mënyrën si u ndryshua drejtori i saj”, shkruan Dervishi.

Share: