Indeksi Global i Konkurrueshmërisë së Talenteve për vitin 2018, i publikuar në Davos, i cili tregon pse largohen talantet, e rendit Shqipërinë në vendin e 78-të në botë, në mesin e 119 shteteve të analizuara, me pak hapa të përmirësuara krahasuar me një vit më parë. Këtë rezultat e kemi për shkak të menaxhimit të keq, thuhet në raport.
Sipas renditjes së raportit të ofruar nga “Insead” dhe grupi Adecco, Shqipëria është e fundit në rajon dhe gjithashtu, e fundit në Europë.
Performancën më të mirë e ka Mali i Zi, në vendin e 58-së, Maqedonia ndodhet në vendin e 59-të në botë dhe Serbia ndodhet në vendin e 69-të . Siç vihet re, vendi ynë ka diferencë të konsiderueshme krahasuar edhe me rajonin.
Ndërsa, në drejtim të edukimit, rritjes së talenteve, mundësimi i nxjerrjes së talenteve, niveli i njohurive etj. performanca e vendit tonë lë për të dëshiruar.
A përkrahen profesionistët?
Dje Kryeministri Rama ka prezantuar një arritje, sipas tij, në fushën e shëndetësisë. “Referimi elektronik i pacientëve nga mjeku i familjes tek mjeku specialist ka eleminuar radhët e pritjes, burokracitë”, shkruan ai në facebook. Por, një kirurg maksilofacial nga Durrësi që nuk ka gjetur zgjidhje asgjëkundi, i ka komentuar Kryeministrit në facebook se kërkon të punojë në spitalet publike por drejtorët i mbyllin derën. Remi Likaj, quhet mjeku nga Durrësi, që thotë se ka mbaruar me rezultate të shkëlqyera dhe ka bërë stazhin e punës jashtë vendit, por prej muajsh rend pas një vendi pune.
Numri i profesionistëve të shëndetit në Shqipëri ka qenë në ulje të vazhdueshme për shkak të mospërkrahjes dhe mungesës së stimulimit, mungesës së perspektivave të karrierës, që ka nxitur mjekët e rinj të largohen nga vendi.
“Nuk ka të ardhme në Shqipëri për profesionistët e shëndetit. Është thuajse e pamundur të gjesh një punë të mirë dhe kur e gjen një… rruga është minimale”, më janë shprehur ata në biseda të zakonshme . por edhe kur drejtoja Dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë.
Sado që përpiqesha t’i bindja se edhe këtu mund të kishin mundësi të mira profesionale për zhvillim, ishin përgjithësisht skeptikë.
Fakt është se sot vendi ynë po përballet me një mungesë afatgjatë të profesionistëve të shëndetit, teksa doktorët dhe infermierët largohen për të ndjekur perspektiva të tjera në perëndim.
Mendoj se qeveria shqiptare nuk ka marrë ndonjë masë të rëndësishme për të ndaluar këtë trend negativ.
Menaxhimi i talenteve dhe kërkimi shkencor
Unë mendoj se nuk janë vetëm problemet financiare për mjekët, dhe se zgjidhja mund të vijë duke favorizuar ata që punojnë nëpër fshatra me paga dhe shpërblime shtesë.
Pesimizmi vjen pikësëpari pasi ekzekutivi ka vënë në dispozicion të buxhetit një financim qesharak për kërkimin shkencor.
Buxheti ynë për arsimin dhe shkencën nuk ka kaluar asnjëherë 3% të PBB, kur standardi i vendeve të zhvilluara dhe në zhvillim është minimumi 5%.
Shpenzimet tona direkte për arsimin e lartë e kërkimin shkencor kufizohen në 0.4-0.6% të PBB, ndaj 1-3% e mesatares së vendeve të OECD.
Çdo vend i rajonit tonë ka përqindje më të lartë financimi sesa Shqipëria. Nga ana tjetër, asnjë vend rajonal nuk ka bërë më shumë ndërhyrje e ndryshime përgjatë dekadës së fundit në sistemin e arsimit të lartë sesa Shqipëria.
Kërkimi shkencor duhet t’i jepet prioritet, pasi ai është baza e arsimit të lartë dhe edukimit, motor i zhvillimit të talenteve dhe konkurrencës, pa të cilën nuk mund të kuptohet ekonomia e tregut.
Pa mjetet e duhura financiare dhe investimet në shkencë e lëmin e kërkimit shkencor, specialistët e rinj shqiptarë nuk mund të konkurrojnë dot në mënyrë të barabartë me kolegët e tyre në vendet e tjera të Evropës e botës. E kjo do të thotë se ata parapëlqejnë më mirë të shkojnë të jetojnë e punojnë atje ku gjenden dhe kushtet optimale për ta. Disa kolegë të mij janë shprehur se kjo nuk përbën problem në kuadrin e globalizimit.
Padyshim që arsimi dhe mësimdhënia janë globalizuar, po kështu dhe kërkimi shkencor, ndaj është e domosdoshme që universitetet të konkurrojnë me njëri- tjetrin jo vetëm në tregun shqiptar por edhe në atë ndërkombëtar. Zyrtarët e Ministrisë duhet të hartojnë politika kërkimore dhe menaxherët e arsimit të luftojnë të përsosin performancën kërkimore dhe jo të bëjnë hapa regressive, duke kërkuar mbyllje apo shkrirje universitetesh, siç deklaroi para pak ditësh Dhori Kule, për shkrirjen e Univesitetit të Mjekësisë, i cili u krijua me shumë mundim, pavarësisht se mund të ishte menaxhuar me më kujdes.
Problem më i madh është se gjithë qeveritë shqiptare të tranzicionit vazhdimisht e kanë shpërfillur largimin e trurit, duke e vënë shëndetësinë dhe sektorë të tjerë në rrezik. Një pjesë e mirë e specialistëve tanë janë të interesuar vetëm për një “certifikatë të reputacionit të mirë”, që është e nevojshme për punë jashtë shtetit.
Si profesionistë ata duan të bëjnë atë për të cilën janë specializuar dhe të jetojnë me ndërshmëri.
E ashtuquajtura tashmë si simptoma e “Brain Drain”, (rrjedhja e trurit) duket se do të ketë pasoja të rënda.
Parashikimet për ndryshimin e kësaj tendence brenda një kohe të shkurtër fatkeqësisht janë shumë pesimiste.