Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi kryesor i Vetingut, në datën 3 janar të këtij viti ka përzgjedhur 16 këshilltarët ligjorë dhe ekonomikë, të cilët do të shqyrtojnë dhe përgatisin dosjet për rreth 800 gjyqtarë dhe prokurorë, për ligjshmërinë e pasurive, kontaktet e papërshtatshme me krimin dhe aftësitë profesionale.
Këshilltarë ligjore te do të jenë: Anola Xhuli, Arben Jorgaqi, Denata Stoja, Ermir Mema, Fiona Zaçaj, Genard Dylqeshi, Gentian Mete, Iglon Peçi, Insidor Rexhepi, Joana Asimi, Klodjana Theodhosi dhe Lola Prendi. Këshilltarët ekonomike janë Bukurije Memisha, Irida Jaho, Mirela Kastrati dhe Saimir Emini. Të dy kategoritë e këshilltarëve përbëjnë atë që duhet njësia e shërbimit ligjor pranë Komisioni të Kualifikimit.
Detyrat e këshilltarëve
Këshilltari ligjor ka për detyrë që të studiojë dosjen e çdo gjyqtari dhe prokurori si dhe të përgatisë një relacion për çështje. Këshilltarët ligjorë do të asistojnë gjithashtu, jo vetëm në studimin e materialeve të dosjes për shqyrtim, por edhe në praktikën ndërkombëtare sidomos të gjykatave evropiane me qëllim respektimin e të drejtave të njeriut.
Këshilltari ligjor, përveç përgatitjes së relacionit mbi zgjidhjen e çështjes në themel, do të hartojë projektvendimin nën orientimin e relatorit që do të arsyetojë vendimin si dhe të kryejë çdo detyrë tjetër të caktuar nga relatori i çështjes. Këshilltari ekonomik duhet të studiojë dosjen nga pikëpamja financiare/ekonomike dhe të përgatisë një relacioni të çështjes, veçanërisht për vlerësimin e pasurisë së subjektit të rivlerësimit.
Më konkretisht, këshilltarët ekonomikë do të ndihmojnë në studimin e të dhënave ekonomike, ato bankare, sigurimeve shoqërore, si dhe çdo të dhënë tjetër që provon ekzistencën e parave fizike ose tatimore apo mjeteve/instrumenteve të tjera të tregut të parave dhe/ose pagesave të bëra, e veçanërisht për vlerësimin e pasurisë së subjektit të rivlerësimit.
Njësia e Kolegjit të Apelimit
Edhe Kolegji i Apelimit ka një njësi të tillë, por me 7 këshilltarë ligjorë dhe 7 ekonomikë. Njësia e Shërbimit Ligjor e Kolegjit të Apelimit përbën bërthamën ndihmese dhe këshillimore dhe mbështet punën profesionale të gjyqtarëve të Kolegjit.
Njësia ushtron veprimtari këshilluese dhe ndihmese në procesin vendimmarrës duke përfshirë përgatitjen e çështjeve për gjykim, dhënien e opinioneve ligjore dhe atyre me natyre ekonomike dhe çdo detyre tjetër të caktuar nga gjyqtari relator./opinion.al