Nga Albert Vataj
Ka kohë që rrekem t’i jepem një leximi ëndjesh dhe poterisjesh, një angazhimi vetdijësues, rreth asaj që përbën zhurmën dhe asaj që justifikon alarmin. Është fjala, për ligjërimin “heretik” të Rita Petros, djallin dhe temianin që kanë këndellur deri në lajthitje arsyen e kulluar të erës së mendimeve estetike ndër ne.
Sapo plasi ato ditë të kijametshme, ajo që më llamburiti përnjiherash ishte mendimi, sipas të cilit: Dreqi e mori, poezia është formë çlirimi, nevoj komunikimi, mision i shndërrimit të gjërave dhe gjendjeve në eter, nuk është supë restoranti, e cila ty si porositës të legjitimon çdo çmenduri ankimtare. Nejse, mu desh të pres gjatë, shumë gjatë derisa lumi që do të kaloja ta kthjellonte dhe paqtonte rrjedhën, ta dija se ku do më duhej të hedh hapin, të bitis matan.
Fundvitin e shkruar, nuk mbeti shkrues dhe përdorues i rrjeteve sociale që nuk u përfshi nga debati rreth poezisë, “Mallkimi i Parë”, sikur të ishte edhe i fundit. Një zbulesë, e cila nuk e di se për ç’arsye i ishte nënshtruar kodit të heshtjes që nga 2014, vit kur pa botimin përmbledhja poetike, pjesë e të cilit është kjo “herezi”, për të ndërsyer si një lukuni hijenash në fundvitin e 2017-ës.
“Vrima” nuk la, pykë dhe tytë pa trandur në fërgëllimin e saj delikat dhe shprehës, nëse ka mbetur dikush të mendojë, se realja si formë çlirimi gëzon status gujimi poetik dhe rreket të përafrojë ndjesitë tona delikate përnga një qasje e rrokshme e çastit të shndërruar në shkreptimë.
Mes mëdyshjes së legjitimitetit të së drejtës së arsyes estetike dhe hezitimit për të mos trazuar syprinën e brishtë të paqes së rrejshme, ku lundron anija jonë e drobitur e moralit, beha. Vendosa t’i jepem një leximi dhe krijimit të idesë së matshmërisë së zërit të masës dhe pëshpërimës së arsyes, asaj artistike. E zhvendosa pranin time të hallakatur mes dhjetëra librash, të nënvizuar, të përthyer, të hapur e të dergjur andje-këndej në strofkën time modeste, për t’iu dedikuar një leximi të zakontë, në qasjen filluese dhe të rrezikshme, në rrafshin paragjykues, gjithmonë nëse një poezi e vetme mund të përbëjë bazën e një arsyetimi, qoftë ky edhe paragjykues.
Sigurova (se si, është konfiodenciale) botimet e Albas Publishing House, “Vrima” dhe “Kënga e turmës”, dy librat me poezi të Rita Petros.
I lexova dhe i rilexova tekstet e dy librave të Ritës, “Vrima” dhe “Kënga e turmës”. Larg syve kureshtar dhe vëmendjes fshikulluese, duke shfrytëzuar orët e paqta të natës, strukur prej frikës, i trajtuar paraprakisht me të gjithë agjentët imun. I lexova, mbajta shënime, u rash kryq poezive që nuk më pëlqyen dhe pasi kisha hyrë brenda asaj ndjesie delikate dhe të epshme, marrosur e këndellur, u zgjova. Ditë të tëra përgjova veten rreth mundësive të shfaqjes së ndonjë simptome rreziku, molepsje apo implikimi çfarëdo. Pasi u binda se këto poezi nuk kishin hapur vragë dhe lënduar balancat psikike, falënderova farmacistët që nuk ma kishin punuar, duke më dhënë ilaçe imunologjik të paefektshme. U riktheva realitetit, duke u siguruar se librat ishin jashtë çdo mundësie për të rrezikuar dikënd.
Saora, më erdhi në ndërmendje përkufizimi i poetit dhe novelistit francez, Perre Jean Jouve, sipas të cilit: Poezi është çlirim i tensionit të organizuar mes fjalëve. Ajo është kënga që vjen nga misteret e bashkëshoqërimit të ideve dhe ngjyrimeve që kanë në mes kujtimet, emocionet dhe dëshirat, të nxitura nga fjala, dhe më në fund do të guxoja që të thosha se poezia është një pushtet okult që ka fjalën për të krijuar sende. Të krijuarit e misterit përbëjnë thesarin e poezisë. Të jetë e vërtetë vallë kjo. Ka diçka që përmbledhtaz rreket të gardhojë tekstin dhe nëntekstin e poezisë Ritës. Gjithnjë kam besuar se poezia është magji, por pushtet okult, këtë kishte guxuar ta thoshte vetëm Jauve.
“Poeti shtyhet të shkruaj nga nevoja konstante për të shpuar në thellësi misterin e qenies së tij të brendshme, për të njohur gjithashtu pushtetin e forcën e tij. Poezia nuk është një lojë e thjeshtë e shpirtit. Poeti nuk shkruan për të zbavitur një publik të çfarëdoshëm, sikurse as për tu zbavitur vetë. Ajo që e shqetëson atë është shpirti i tij dhe raportet që e lidhin atë me gjithë pengesat e mundshme me botën e ndjesive dhe me atë të jashmen, thotë Perre Raverdy.
Bodler është i mendimit se poezia nuk duhet të sakrifikohet as për moralin as për shkencën, ashtu siç mendon dhe Poe, sipas të cilit poezinë e dallon vetëm bukuria e saj e veçantë. Kjo bukuria sipas Bodler është ngjizur në mungesë të rregullit, por jo pa eksitimin e shpirtit. Sharl Bodler gjithashtu këshillon se “Zemra ruan dhe mban brenda pasionin, flijimin… mos e përçmoni ndjeshmërinë e askujt, Ndjeshmëria e secilit është ndjeshmëria e tij, sepse poezia ka më shumë se ç’duhet realitet, është më e sinqertë se ç’duhet me lexuesit, është ajo që është krejtësisht e vërtetë, edhe pse ka më shumë që janë kundër se sa dakordësues me çka kumton ajo, sepse është për një botë tjetër. Poezia e Ritës duke se ka zgjedhur të jetë e marrosur nga doktina e Bodlerit, por jo më pak nga ajo që predikon Jumbert, i cili mendon se: “Ligjërimi poetik duhet të jetë në të njëjtën kohë i atypëratyshëm dhe i qartë, ai duhet të rigjallërojë fjalët e përdorura, të jetë zotërues me pushtetin e tij metaforik, të përmbajë në vetvete bukurinë dhe harmoninë, të shpalosë, të fshehë përmes një çrregullimi formal një rregull të arsyeshëm”.
Vëndosa kokën mbi pëllëmbë dhe ndërsa përgjoja heshtjen meditueshëm, dikush më pëshpëriti në vesh, u përpoqa të pikas se kush, por ajo që arrita të dëgjoj mes asaj pëshpërime të nënzëshme ishte një urdhëresë e përsëritur, “Thuaje edhe ti se çfarë mendon!”.
Varja thash me vete, Rita më paska marrosur dhe duke u përpjekur për tu marrë me gjëra të tjera, ai zë sërish më buçistë në vesh.
E pat edhe kjo punë thash. Edhe unë e hëngra si të tjerët. Të paktën ata shpëtuan se e larguan “djallin” sa ishte ende një synim në tentativë. U përpoqa të diagnostikoj veten se çfarë më kishte bërë vaki. Shfletova turlilloj tekstesh për magjinë, për hipnozën, për supersticionin, për praktikat okulte, dhe mazallah se gjeta derman. Në një nga netët e dedikuar leximit, shtriva dorën nëpër terr të kap një nga librat në stivën që ndodhet në komodinën te koka e krevatit. Më pas ndeza abazhurin. Dreq o punë, kisha marrë në dorë “Kënga e turmës”, ndërsa po hapja u shkëputën nga faqet e librit dy-tre copëza letre ku kisha mbajtur disa shënime rreth asaj që kisha lexuar. Hodha tej librin, duke sharë e mallkuar, e pse jo edhe duke u mbrojtur se mos më kthehet e më bie kokës.
– Fantastike…
Kjo ishte fjala e parë që kisha shkruar.
Ta marrë e mira ta marrë, thash nën zë, kjo Rita qenka vet djalli.
Si ka mundësi që gjërat e bukura, gjerat e pastra, i ngjajnë më shumë një melodie se sa një zëri dhe ato nuk zbresin nga qielli me krahët e bardhë e flatërues të kerubinëve magjik të pikturave, por nga gjuhëza flakatare e një demoni ngjizur prej zjarrit e yshtur prej misionit të shndërrimit. Si mundet që pikërisht kjo muzikë që del nga telat e tendosur të një zemre ngjizur në epshin e mijëra pranverave dhe dehur në tërbimin e kaq e kaq harbimeve të polenit, e luajtur prej një dorë delikate, të jetë kaq brutale për disa veshë, dhe kaq joshëse dhe e epshët për disa të tjerë. Këtu ka diçka që nuk shkon.
I dyzuar mes frikës së molepsjes dhe kaplimit të ëndjes së poezisë, kërkova ndihmë. I zgjata bashkëshortes njërin prej dy librave të Rita Petros ti hidhte një sy. Ajo shfletoi e shfletoi pa provuar të resht së lexuari.
Hë, i thash. Si të duken poezitë?
Uau, tha!
E pësoi edhe kjo, mërmërita nën zë, duke e shikuar kureshtues, ndërsa vijonte të shfletonte e të lexonte.
Qenkan shumë të bukura. Edhe si botim më pëlqeka jashtëzakonisht.
Të kujt janë? Shqiptoi me zë përqendrues, ndërkohë shfletonte librin dhe lexonte.
Të Rita Petros, thash prerazi. Shqiptova këtë emër thua se hoqa siguresën e një eksplozivi.
Dhe praf, asaj i ra libri nga dora.
Të asaj Ritës së tmerrshme, asaj…. Qëndruam disa momente duke parë njëri-tjetrin në sy, ndërkohë libri dergjej përdhe.
Nuk ka mundësi, shtoi me gjysmë zëri, ndërkohë u ul, kapi librin. Edhe pasi lexoi në koperinë emrin e autores, bindja nuk e çliroi nga hutimi.
Për këtë poete, për këtë poezi, është folur kaq shumë, është sulmuar kaq pamëshirshëm.
Po, pikërisht për këtë.
Ajo, po ajo, Rita, me vullnetin e lirë të nevojës për komunikim, me dëshirimin për bashkëjetesë në këtë bashkëndarje gjendjesh që përthyhen në pasqyrat e fshehta të shpirtit të secilit nga ne, e ka degdisur atë në sakrifikimin e gjithçkasë që ka më të shtrenjtë, intimitetit, reales që lajkaton përtej cohës së hollë të mbajtjes larg syve dhe kureshtisë së gojëve të liga. Ajo, di ç’bën sepse di ç’është. Nuk ka frikë, sepse nuk ka diçka për të cilën ajo të ndjehet në faj. Nuk kërkon të fshihet pas gishtit, duke besuar në alogjizmin idiot, se kështu nuk mund të të shohë askush, kur ke vendosur të bësh atë për të cilën të lejon të biesh në pendim.
“Të jesh vetvetja, kjo është detyrë e poetit dhe sinqeriteti është shfaqja më e bukur e poezisë” kumton Leopardi. Për gjithçka mund të akuzosh Rita Petron njeri, por Rita Petron poete, thjeshtë duhet ta pranosh si një vargëzim i atypëratyshëm, i cili nëse nuk të magjeps, rreket të zgjojë brenda teje dritimin e mekur të atyre shpërthimeve ndjesore, të nënshtruara prej ndryshjes, frikës, ose të çliruara tinzisht si kusar. Poezitë e Rita Petros nuk marrin përsipër të ngasin djallin, ato e kandellin me temjan dhe dritë atë.