Nuk është vetëm avokat Kozma Jano me të shkuar të dyshimtë, si ish-sigurims i shtetit në kohën e diktarurës. Zëri i Amerikës ka zbuluar dy kandidatë të tjerë që mazhoranca ia çoi Parlamentit për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe atë Gjyqësor që rezultojnë të kene qene gjyqtare e prokurore të sistemit komunist.
Në listën me 10 persona figurojnë dy emra të seleksionuar nga radhët e avokatëve, Fatmira Luli dhe Nurihan Seiti, që sipas Autoritetit për Informimin mbi dokumentat e ish Sigurimit të Shtetit, rezultojnë të kenë marrë pjesë, Luli si gjyqtare dhe Seiti si prokurore, në procese politike të zhvilluara deri para mesit të vitit 1991.
Këta kandidatë u rrëzuan mbrëmë në parlament pasi nuk morën dy të tretat e votave. Procesi në këtë mënyrë rikthehet në nënkomisionin Ad Hoc, ku përsëri kandidatët mbeten të njejtë, e po ashtu dhe problematika.
Kujtojmë se lista me 10 kandidatë (5 KLD) dhe (5 KLP) është kundërshtuar ashpër nga opozita në vend. Për Kozma Janon, të cilin iu publikuan dokumentet si ish-Sigurims i Shtetit ka nisur një verifikim mbi të kaluarën e tij.
Burime pranë Autoritetit për Informimin shpjeguan për Zërin e Amerikës se në kontrollin e parë nuk ishte gjetur asnjë gjurmë, për shkak se disa elementë të gjeneraliteteve ishin dhënë me gabime, shto këtu edhe faktin që marsin e kaluar kur është bërë verifikimi Autoriteti nuk kishte marrë ende në administrim të gjitha dosjet.
Nga rikontrollet e para megjithatë rezulton se kartela e publikuar nga Partia Demokratike nuk figuron në dokumentacionin në dispozicion të Autoritetit për Informim. Vetë Jano duke folur për mediat shqiptare ka hedhur poshtë faktin se ka qenë bashkëpunëtor i ish sigurimit, ndonëse sipas Partisë Demokratike, ai ka qenë dhe në listën e të ashtuquajturit Komisioni Mezini i ngritur në 1995 për Kontrollin e Figurave.
Siç shihet edhe në dokumentin e publikuar ne media, Kozma Jano ka qene spiun në Portin e Durrësit dhe kishte pseudonimin “telefoni”./opinion.al