Parlamenti i Shqipërisë mblidhet pasditen e sotme në orën 17:00 në sesionin e dytë të legjislaturës së 9-të. Deputetët i kthehen punës pas një muaj pushimesh. Njësoj si fundi i sesionit, edhe i riu pritet të përballë ashpër opozitën me mazhorancën në parlament. Është konfirmuar që opozita si PD ashtu dhe LSI do të jenë në sallën e parlamentit.
Sakaq, PD ka deklaruar përmes Edmond Spahos se do të ketë një marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin. Një skenar është që opozita të shkojë sot në seancë dhe të largohet pas fjalës së kryetarit Basha. Gjithsesi vendimi pritet të merret në mbledhjen e grupit demokrat që zhvillohet në mesditë. Edhe LSI, përmes Petrit Vasilit ka deklarua se do të jetë sot e pranishme në parlament.
Opozitarët kundërshtuan zgjedhjen vetëm me votat e mazhorancës të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, duke akuzuar qeverinë po kap institucionin e akuzës. Seanca e 18 Dhjetorit kur u votua për Arta Markun u shoqërua me protestë brenda dhe jashtë parlamentit. Byroja përjashtoi për 10 ditë kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi dhe 6 deputetë të tjerë të opozitës. Kësisoj sot ata nuk do mund të jenë në seancë. /Opinion.al