Home KRYESORE Po, përtej njerëzve… nga Pedro Salinas

Po, përtej njerëzve… nga Pedro Salinas

Përktheu  Elona Caslli

Po, përtej njerëzve
të kërkoj.
Nuk të kërkoj në emrin tënd, po ta thërrasin,
as në imazhin tënd, po ta pikturojnë.
Më larg, më tutje, përtej të kërkoj.

Përtej vetes tënde të kërkoj.
Nuk të kërkoj në pasqyrën tënde,
as në shkrimin tënd
dhe madje as në shpirtin tënd.
Më tutje, më larg, përtej të kërkoj.

Më tutje, më larg
përtej vetes time të kërkoj.
Ti nuk je veçse
ajo çka ndiej.
Nuk je veçse
ajo çka rreh bashkë me gjakun
në venat e mia.
Nuk je brenda meje.

Dhe për të të gjetur
duhet të mos jetoj më
brenda teje,
brenda vetes time
dhe brenda njerëzve.
Duhet të jetoj përtej gjithçkaje,
në bregun tjetër të gjithçkasë,
për të të gjetur ty
njëlloj sikur të vdisja.

 

 

Share: