Home KRYESORE Prokurorja që u hoqi mandatet deputetëve padit në gjykatë Kryeprokuroren Arta Marku

Prokurorja që u hoqi mandatet deputetëve padit në gjykatë Kryeprokuroren Arta Marku

Vetëm pak ditë nga marrja e detyrës, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku do të përballet me padinë e parë për ndryshimet që bëri me t’u ulur në karrige dhe që me gjasë, nuk do të jetë e vetmja.

Prokurorja Rovena Gashi, e liruar pak ditë më parë nga pozicioni i Drejtorit të Marrëdhënieve me Jashtë dhe shefes së Dekriminalizimit ka paditur në Gjykatën Administrative Arta Markun.
Gashi kërkon nga Gjykata pezullimin e urdhërit për lirimin e saj, si edhe konstatimin e pavlefshmërisë absolute të urdhërit Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm. Arsyeja me të cilën Prokurorja e përkohshme largoi Gashin nga detyra ka të bëjë me kërkesën drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për heqjen e mandatit të deputetëve Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica.

Me dërgimin e kërkesave në KQZ, prokurorja ka informuar zyrtarisht edhe Kryeprokuroren për vendimmarrjen e saj.

Por, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme duket se është ndjerë e anashkaluar, pasi vendimmarrja e Gashit nuk është konsultuar paraprakisht me titullaren. Për këtë arsye, Marku ka vendosur të shkarkojë prokuroren Gashi, urdhër që tashmë do të presë vendimin e gjykatës.

Ndërkohë pas lëvizjeve të para, Kryeprokurorja e përkohshme është duke përgatitur dhe një valë të re shkarkimesh kryesisht tek drejtuesit e rretheve. Edhe pse u etiketua si e përkohshme dhe e kontestuar për mënyrën si u zgjodh, Arta Marku nuk duket të veprojë si e tillë. Në pozicionin e kryeprokurores së përgjithshme ajo duhet të njohë mirë ligjin për funksionimin e prokurorisë, ndërkohë që si prokurore e vetmja çështje e saj në gjykatë është fituar nga pala paditëse.

Me poshtë janë renditur shkeljet mbi bazën e të cilave prokurorja Rovena Gashi e konsideron të paligjshëm vendimin për shkarkimin e saj.

Së pari, urdhëri i Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme nuk bazohet në asnjë dispozitë ligjore. Arta Marku, në pozicionin e saj, ushtron funksionet në bazë të dispozitave kalimtare, të parashikuara në nenin 160 të ligjit « Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ».

Në asnjë prej dispozitave kalimtare, nuk parashikohet mundësia e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm për përcaktimin, miratimin apo ndryshimin e strukturës së institucionit ;
Së dyti, edhe nëse do të kishte kompetencë për ndryshimin e strukturës së Prokurorisë së Përgjithshme, kryeprokurorja e përkohshme nuk ka miratuar asnjë urdhër për ndryshime në organikë.
Pra, Rovena Gashi është shkarkuar me argumentimin e ndryshimit të strukturës, ndërkohë që, të paktën deri në dorëzimin e padisë, kryeprokurorja e përkohshme nuk ka firmosur asnjë urdhër për ndryshimin e strukturës.

Së treti, ligjvënësi ka parashikuar një mbrojtje të posaçme për prokurorët në detyrë gjatë kohës së ushtrimit të funksioneve të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm. Ligji 97/2016 « Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë », për të shmangur veprime abuzuese nga kryeprokurori i përkohshëm, në nenin 110 të tij i ka dhënë mbrojtjen maksimale që garantohet nga Ligji Nr.96/2016 «Për Statusin e Gjyqtarëve dhe të Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë», pikërisht për të garantuar parimin kushtetues të pavarësisë së prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës së tij.

Ne kete kuader, vlerëson paditësja Gashi, përtej kapërcimit abuziv të kompetencave prej Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, kjo e fundit nuk ka të drejtë të bëjë shkarkime të Prokurorëve nga detyrat që ata mbajnë në kohën e hyrjes në fuqi të këtyre ligjeve.

Së katërti, urdhëri i Prokurorës së Përgjithshme të Përkohshme për shkarkimin e prokurores Gashi nga detyra e drejtorit është i paarsyetuar.

Mungesa e arsyetimit të këtij akti individual lirimi, i cili sjell pasoja të drejtëpërdrejta për paditësen, e bën këtë akt administrativ absolutisht të pavlefshëm, kjo referuar dispozitave të Kodit të Procedurave Administrative.

Në padinë e prokurores Gashi, zbulohet edhe një detaj interesant i përplasjes ndërmjet Kryeprokurores së Përkohshme dhe ish-Drejtoreshës. Përtej sa ka argumentuar:

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, në zyrën e saj, në prani të dy prokurorëve të tjerë në Prokurorinë e Përgjithshme me funksione drejtuese, dhe konkretisht Adnan Xholi, Drejtor i Drejtorisë Gjyqësore dhe Thoma Jano, Drejtor i Drejtorisë së Përgjimeve, i ka deklaruar paditeses Rovena Gashi se; «Dërgimi në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, të vendimeve të Sektorit të Dekriminalizimit, në lidhje me rezultatat e verifikimit për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, Aqif Rakipi dhe Gledjon Rehovica, pa u konsultuar paraprakisht me të dhe pa firmën e saj, përbën shkelje ligjore dhe etike. Për këtë qëllim, lirohesh nga detyra e Drejtorit të kësaj Drejtorie».

Pra, përtej argumentit zyrtar të riorganizimit, lëvizja e prokurores Gashi lidhet drejtëpërdrejtë me vendimmarrjen e saj për deputetët Rakipi dhe Rehovica.

Në fakt, argumenton Gashi në padinë e saj, ajo ka vepruar në përputhje me urdhërat e Prokurorit të Përgjithshëm, ende në fuqi, të cilët e autorizonin atë si shefe e sektorit të Dekriminalizimit për të zhvilluar komunikimin zyrtar me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Nga ana tjetër, nisur edhe nga vendimmarrja e KQZ-së, e cila pranoi kërkesat e dërguara nga Rovena Gashi dhe u ndërpreu mandatin dy deputetëve, rezulton e konfirmuar se veprimtaria e saj ka qenë tërësisht në përputhje me ligjin.

/Opinion.al

Share: