Home KRYESORE Rezoluta turke që i shpall luftë Greqisë nëse shtrihet mbi 6 milje...

Rezoluta turke që i shpall luftë Greqisë nëse shtrihet mbi 6 milje zona bregdetare!

Ministri i jashtëm grek Nikos Kotzias ka deklaruar se pala shqiptare ka pranuar se Greqia ka të drejtë që t’i shtrijë deri në 12 milje ujërat e veta territoriale.

Këtë deklaratë Kotzias e bëri gjatë një interviste në televizionin shtetëror ERT.

I pyetur nga gazetari se çfarë po bëhet me Shqipërinë për zonat ekskluzive ekonomike, Kotzias është përgjigjur:

“Ramë dakord”.

“Ratë dakord?”, përsërit gazetari.

“Po”, përgjigjet ministri i Jashtëm grek.

Gazetari vazhdon me këmbëngulje: Pse ka bërë deklarata sot zoti Bushati, ku i hidhte përgjegjësinë qeverive të mëparshme. Kur thoni “ramë dakord”, do t’i shtrini ujërat territoriale në 12 milje?

“Këto janë zonat bregdetare, po do ta bëjmë kur të vijë koha”, përgjigjet ministri Kotzias.

Gazetari: Dhe pastaj vijon shpallja e zonës ekskluzive ekonomike?

Kotzias: Zonën ekskluzive ekonomike mund ta shpallësh kur tjetri ka pranuar që, sidoqoftë, e ke të drejtën për 12 milje.

Gazetari: Domethënë e pranuan?

Kotzias: Po.

Gazetari: Kjo është e rëndësishme ministër.

Kotzias: Ka edhe gjëra të tjera të rëndësishme.

Ora News komunikoi me ekspertë juridikë në Athinë, për të pasur një qasje më të mirë në deklaratën e Ministrit.

Sipas ekspertëve, gjithçka përcaktohet në Konventën për të drejtën detare të Montego Bay-t, ku thuhet se zona bregdetare, (përfshirë edhe ishujt shkëmborë), e një shteti nuk mund t’i kalojë të 12 miljet.

Greqia e ratifikoi konventën në vitin 1995 dhe deklaroi se mundet në çdo moment ta ushtrojë të drejtën e zgjerimit të detit territorial në 12 milje.

Por ndaj këtij vendimi të Greqisë reagoi parlamenti turk që po në vitin 1995 miratoi një rezolutë ku thuhej se autorizonte çdo qeveri turke që t’i shpallte luftë Greqisë në rast se kjo e fundit e shtrinte zonën e vet bregdetare përtej 6 miljeve që e ka sot.

Në fakt, ekspertët juridikë thanë për Ora News se është shumë e vështirë që kjo e drejtë të zbatohet në rastin e zonës detare me Shqipërinë, pasi ka rajone ku distanca ndërmjet dy shteteve shumë më e vogël se 12 milje. e.k/dita

Share: