Home KRYESORE Romani “NILKON” – një letërsi artistike gjithëpërmbledhëse

Romani “NILKON” – një letërsi artistike gjithëpërmbledhëse

Nga Violeta ALLMUÇA, Shkrimtare

Romani më i ri i shkrimtarit Fate Velaj, “NILKON”, erdhi në planetin tonë të përbashkët gjeografik i shkruar diku tjetër, në një planet shpirtëror si një identifikim i botës kulturore. Për herë të parë, lexuesi ka në duar një letërsi tjetër. Një letërsi ku në mënyrën më unikale e të palëvruar më parë, përmblidhen në një të vetme disa elemente të krijimtarisë artistike si piktura, fotografia dhe letërsia. Pra, kemi një krijimtari artistike totale, gjithëpërmbledhëse.

Personazhi kryesor që është vetë autori, përveçse shfaqet si figurë qendrore e romanit, si një europian me shpirt shqiptar, është edhe një pararendës i veçantë i një fushe të re në letrat shqipe duke na sjellë këtë herë një roman të shkëlqyer, me stil unik e me personazhe të vërtetë, ku credo-ja e tij përshkruhet paralelisht me ndërtimin e urave që lidhin ëndrrat me të vërtetën.
Përshkrimet e hijshme të Europës dhe Afrikës, duke i trajtuar personazhet si të dala nga aparati i tij fotografik dhe pejsazhet reth tyre si tabllote e tija në pikture, integrimin dhe qytetërimit kulturor të tyre, përcjellin mesazhe artistike, kulturore dhe politike duke e kthyer monologun në dialog.

A është Fate Velaj një shkrimtar që i shpall ëndrrat e tij? Ndoshta kjo nuk është rastësi! E vërteta mund të jetë edhe më e bukur se ëndrra. Por kjo i ndodhë një shkrimtari shqiptar që shkruan për të gjithë njerëzit e botës. Urat që ai ndërton midis botëve bashkojnë jo vetëm arteriet e komunikimit njerëzor nëpërmjet materies artistike por ato tejkalojnë kufijtë e shkrimit, leximit dhe kufijtë e librit janë po ashtu dhe kufijtë e lexuesve.

Romani ”NILKON” pjesa e dytë e Trilogjisë “KREUZTANNE” vjen sot në vëmendjen letrare, duke zbuluar misterin e ëndërrimeve të një artisti me përmasa universale. Autori pasqyron realitetin artistik në strukturën e romanit, e cila na përcjell shijen estetike. Edhe në këtë libër befasues, duke ëndërruar një botë me kulturë pa kufij, duke përdorur thelbin artistik të fjalës dhe ngjyrës, duke jetuar me kujtimet e të ardhmes, do të vazhdonte udhëtimi i tij artistik: Midis Danubit dhe Nilit. Lumenjtë lidhin popujt, si vendasit ashtu edhe të ardhurit. Në këtë roman ai shkruan për njerëz të gjithëgjendshëm, dritësuar me gjithëpamje artistike, të cilët njësoj si ai kanë ngjashmëri shpirtërore dhe krijuese, janë qytetarë të botës, qofshin europianë, ballkanas, arabë, kinezë, bashkëatdhetarë apo vlonjatë.

Fate Velaj e përdor sistemin e “UNIT” si një sistem frymëzues. Struktura dhe kompozicioni i romanit ku spikasin personazhe të ndryshme nga e gjithë bota sjellin një evoluim pozitiv të personazheve dhe frymëmarrja e tyre shfaqet si një rrëfim duke ndriçuar historinë e secilit pa rënë në një historizim letrar. Dialogët mes vetvetes e personazheve, autori i krijon nëpërmjet mjeteve shprehëse artistike me të njëjtën gjuhë e gjeste që përdor në realizimin e veprave të artit. Kjo tregon se Fate Velaj zotëron pushtetin artistik. Ai tërheq afër vetes “kujtimet e të ardhmes” si një dukuri të re, e cila duhet çliruar nga e shkuara, duke theksuar se arti dhe kultura kanë një ligj të ngjashëm; të bukurën universal që është e njëjtë në mbarë botën dhe diversitetin kulturor.

Ngjarjet e romanit zhvillohen nga janari në dhjetorin e vitit 2002, pas ngjarjeve të 11 shtatorit në New York por Fate Velaj, në mënyrë mjeshtërore ka ditur që brenda ngjarjeve të sjellë një retrospektivë 1000 vjeçare për të na sjellë në një këndvështrim të pa ofruar më parë se pse u goditën “Kullat Binjake” në New York.

Edhe pse dialogu drejt së ardhmes u trondit, e ardhmja për të si artist e si ndërtues urash, ekzistonte. Fate Velaj nuk ndjek vetëm një udhë që të çon tek vetja, por shumë udhë të botës i bashkon në një duke hapur trasenë e madhe të një autostrade drejt së ardhmes. Në këtë roman, ai ka arritur që identitetin e tij kombëtar ta shkrijë në një të vetme me identitetin universal i cili shfaqet si përkushtim i sinqertë, ku lënda gjuhësore dhe konteksti i së ardhmes përbëjnë magjinë e zhvillimit të pandalshëm të artit. Në subjektin e ngjeshur me gati 100 personazhe të romanit shpalosen ngjarje artistike, si dhe jeta e kultura e popujve të ndryshëm nëpërmjet ngjyrave, këndshikimi drejt së bukurës artistike dhe estetike.

Karakteret e personazheve, lëvizin duke hyrë e dale në roman me identitetin e tyre të vërtetë jetësor dhe artistik duke na zbuluar kështu dëshirën e shkrimtarit Velaj, se udhëtimi drejt komunikimit i ngjason ndjenjës dhe orientimit indentifikues të kulturave. Personazhet në roman, si nënë Afërdita, gruaja Klara, Dr. Helmy Omran (Konsull Kulturor i Egjiptit në Austri), Dr.Emil Prix, (Shef i diplomacisë kulturore austriake), Jiri Grusa, (ambasadori Çek në Vjenë), Imeri, shoqëruesi shqiptar në Shkup, Dr. Ferdinand Trautmansdorff, (Ambasadori i Austrisë në Kajro), Dr. Magddy Abd El Azis në Kajro, familja dhe djali i tij Mohamed, artistët Robert Kabas e Kluas Joachim Keller e të tjerë, kanë dallimet e tyre, por gjithashtu kanë të përbashkët artin, dëshirën për dialog mbi vlerat njohëse dhe artistike apo dëshmitë nga historitë mijravjeçare njerëzore.

Evoluimi pozitiv i personazheve, frymëmarrja e secilit, mjetet shprehëse artistike, krahasimet, metaforat, ideja e autorit se njeriu duhet të ecë drejt së ardhmes vërteton atë që, në ditët e sotme, e përbashkëta jo shpeshherë merret për bazë por e kundërta e tyre, ndasitë e majisura nga dëshira për separatizëm e nëpërmjet saj, lufta midis “civilizimeve”.

Hapjen ndaj kulturave, takimet me kulturat e reja, ashtu si dhe dëshira për të përjetuar histori të reja, e bëjnë shkrimtarin Fate Velaj të ndjejë afër gjithçka thelbësore në fushën e shkrimit, duke e kthyer tekstin artistik në një tekst letrar dhe anasjelltas. Dhe kjo është risia e këtij romani dhe gati e dy pjesëve të para të trilogjisë “Kreuztanne”.

Autori flet jo vetëm si kurator i ekspozitave të pikturës me anën e ngjyrave të shumta të artistëve pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës, por, ai na zbulon edhe tablo të fuqishme letrare nëpërmjet mesazhit artistik si ambasador i fjalës dhe kulturës së përbotëshme.

Përfytyrimet, udhëtimet dhe fluturimet nga lart, duke medituar njëkohësisht për atdheun e tij të përjetshëm, Shqipërinë apo edhe për një e disa vende të huaja, të panjohura më parë nga ai, më kujtojnë romanin e Ismail Kadaresë: “Dimri i vetmisë së madhe” ku copëzohej e mbyllej një qiell gri, një udhë e gjatë, një urë që duhej ndërtuar, etj.

Shkrimtarit Fate Velaj në udhëtimet e tij kur aeroplani ngrihej e ulej i dukej se qielli ngjyrosej blu, udhët e gurta dukeshin ngjyrë gri, sidomos atje ku reflektohej atdheu i tij i ndarë, (Çarshia në Shkup) ose Piramidat, që në nëntorin e verdhë të Kajros i ngjanin të kuqërremta, si vjeshta vjeneze që ishte duke ardhur. Ndoshta kjo ndodh sepse udhëtimet të frymëzojnë, gjatë tyre lindin idetë. Fate Velaj, në shkrimin e tij ”Matanë kufijve” e ka pohuar këtë kur thotë se:

“…ndoshta ngaqë dhe unë pothuajse të gjitha fotografitë, si dhe shumë piktura apo edhe shkrimet e mia i kam realizuar nëpër rrugë, nga një kufi në tjetrin, brenda kufijve, apo dhe jashtë tyre, qofshin ato virtual, me nga një tra kalimi…si dhe atyre që nuk ekzistojnë në mendjen time.”

Romani NILKON është një ndërthurje ku nuk kuptohet se ku mbaron realiteti e ku fillon fiksioni saqë, duke e lexuar, kthehesh vetë në personazh duke e shoqëruar autorin personazh gjatë gjithë rrugëtimit të tij realist dhe imagjinar. Komunikimi me bustet lulishteve të Vjenës, me faraonët brenda piramidave mijravjeçare apo me personazhin e veçantë Ahmed, në mesin e ballit të të cilit ndodhej një njollë e errët, ku dukeshin mëkatet njerëzore, shfaqet si asociacion në strukturimin e ngjarjes.

Fate Velaj ky mjeshtër i fjalës dhe i narrativës, që është dhe vetë heroi i vërtetë shpirtëror i romanit të tij “NILKON” i cili synon të lidhë urat mes popujve, vjen në sytë e lexuesit shqiptar me një kryevepër artistike dhe unë jam mëse e bindur se ky roman, do të jetë dhe risia e një literature të re, jo vetëm në atdheun e autorit, por dhe me larg akoma, në gjuhë të tjera dhe veçanërisht, në vendet arabe ku së shpejti pritet që libri të botohet.

Share: