Plot 13 mijë biznese falimentuar gjatë vitit 2017. Kësisoj, rezulton se çdo ditë mbyllin dyert rreth 50 biznese. Sipas një grafike që publikon revista “Monitor”, mumri më i lartë i subjekteve të mbyllura është në Tiranë, me rreth 4,120. Në Durrës janë mbyllur rreth 1,900 subjekte, në Vlorë 1,085, në Fier 802, në Elbasan 673.
Pjesa më e madhe e bizneseve të mbyllura janë persona fizikë, të vetëpunësuar, që kishin hapur subjektet me emrat e tyre. Biznese të tilla, kryesisht në tregti me pakicë, hapen dhe mbyllen vazhdimisht, teksa konkurrenca nga rrjetet e organizuara të tregtisë po shtohen ndjeshëm. Lokalet janë një tjetër kategori që falimentojnë vazhdimisht.
Por jo vetëm kaq. 10 kompani të falimentuara kanë qenë të regjistruara në drejtorinë e tatimpaguesve të mëdhenj, kryesisht në fushën e naftës.
Në krahasim me një vit më parë, numri i subjekteve që kanë kaluar në status pasiv ka rënë ndjeshëm. Po sipas tatimeve, në 2016-n rezultojnë që u mbyllën mbi 23 mijë biznese, ku vetëm në datën 6 maj kaluan në status pasiv rreth 9700 subjekte ( të hapura para rreth një dekade dhe që ishin pa aktivitet).
Dy vitet e fundit tatimet kanë zhvilluar një proces intensiv për pastrimin e listës së kompanive, duke evidentuar subjektet me status pasiv dhe duke kaluar me këtë status bizneset që kishin më shumë se 12 muaj pa deklaruar asnjë aktivitet. Në total, janë rreth 111 mijë kompani që kanë kaluar me status pasiv, të hapura që nga fillimi i viteve 90 e deri tani.
Nga ky proces, tatimet identifikuan edhe shumë subjekte që ishin në status pasiv, të cilat ushtronin aktivitet (lëshonin fatura), të cilat u kaluan automatikisht në status aktiv, ndërsa kompanitë që kishin punuar me to u paralajmëruan që të ishin të kujdesshme dhe të verifikonin nëse subjektet me të cilat japin e marrin fatura ishin aktive.
Edhe viti 2018 nis keq, mbyllen 247 subjekte në 6 ditë
Vetëm në 6 ditë, nga 3 janari deri në 8 janar 2018, janë mbyllur 247 biznese, sipas të dhënave të përditësuara nga tatimet, kryesisht persona fizikë, ku mbizotërojnë Tirana dhe Durrësi. “Monitor” kontaktoi disa prej tyre për t’i pyetur për arsyet e mbylljes. Gëzim Alushi, që administronte Bar Butrinti pranë Kopshtit Botanik në Tiranë tha se arsyeja e mbylljes së aktivitetit ishte mungesa e klientelës. Dashamir Gjini, në Tiranë, që kishte një parukeri, që nga viti 2015, tha për “Monitor” se e mbylli pasi nuk i leverdiste dhe do të punësohej diku tjetër.
Murat Shehu në Tiranë tha se ngricat i kishin shkatërruar fidanët dhe nuk kishte pasur më mundësi të ripërtërinte aktivitetin, ndaj kishte vendosur ta mbyllte atë.
Pëllumb Zerdelia, që ka një dyqan fruta-perime në Shkozet të Durrësit, tha se e mbylli aktivitetin pasi do të ikë jashtë vendit. Ai tha se ecuria nuk ishte shumë e mirë, ndaj e kishte marrë këtë vendim, por shpreson se mund ta hapë sërish aktivitetin kur të kthehet.
Ka vijuar edhe mbyllja e call center-ave, që janë vënë në vështirësi pas presionit të qeverisë italiane që synonte të ndalonte ikjen e vendeve të punës nga Italia në Shqipëri. Dyrrah Calling në Durrës, e hapur në 2015-n ka kaluar në fillim të këtij viti në status pasiv, duke iu shtuar mbi 30 subjekteve të tjera të kësaj fushe që u mbyllën në vitin 2017./opinion.al