Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka fajësuar ligjvënësit demokratë për mbyllje të qevrisë federale, që filloi pas mesnatës nga e premtja në të shtunën, meqë Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi dështuan të arrijnë marrëveshje për legjislacionin e financimit.
“Demokratët janë shumë më të brengosur për imigrantët ilegalë se se për ushtrinë tonë të madhe ose sigurinë në kufrin tonë të rrezikshëm jugor”, ka shkruar Trump sot herët në mëngjes, në rrjetin Twitter.
“Ata kanë mundur të bëjnë marrëveshje, por në vend të kësaj, kanë vendosur të luajnë politika të mbylljes”, tha Trump.
Demokratët e Senatit e bllokuan votimin e masës së përkohshme të financimit, në përpjekje për t’i detyruar republikanët që të zhvillojnë negociata për marrëveshje për mbrojtjen e afro 700 mijë migrantëve nga dëbimi, të cilët kanë arritur në Shtetet e Bashkuara si fëmijë dhe kanë qëndruar ilegalisht./REL