Home KRYESORE Sot vendimi për Rakipin dhe Rehovicën/ Çfarë i kërkoi ambasadori italian kryeprokurores...

Sot vendimi për Rakipin dhe Rehovicën/ Çfarë i kërkoi ambasadori italian kryeprokurores Marku?

Ngjarja më e rëndësishme e pritshme për sot është vendimi që do të marrë KQZ-ja për mandatet e deputeteve Gledion Rehovica (LSI) dhe Aqif Rakipi (PDIU). Mbledhja është njoftuar në orën 13:00. Kujtojmë se dy ditë më parë KQZ nuk arriti të marrë një vendim për këta dy deputete duke kërkuar materiale shtesë nga Njësia e Dekriminalizimit pranë prokurorisë.

Pak orë para këtij vendimi, ambasadori italian Alberto Cutillo ka qenë në zyrën e Kryprokurores Arta Marku. Kujtojmë se si Rakipi ashtu dhe Rahovica janë ndaluar në Itali për vjedhje shumë vite më parë dhe pikërisht kjo u rrezikon sot mandatin, pasi nuk kanë deklaruar në formular se janë ndaluar apo proceduar nga policia italiane.

Në një njoftim për mediat që nis zyra e Kryprokurores Marku thuhet se “temë e rëndësishme diskutimi ishte zbatimi i plotë i ligjit “Për Dekriminalizimin”. Ambasadori italian shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me autoritetet shqiptare për realizimin në kohë sa më të shpejtë të procesit të verifikimit të integritetit të zyrtarëve shqiptarë”. Pra kuptohet qartë se Cutillo ka takuar Markun edhe për dy deputetët Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica.

Më poshtë njoftimi i plotë i Prokurorisë për takimin e sotëm Marku-Cutillo

Prokurori i Përgjithshëm, Arta Marku dhe Ambasadori i Italisë në Tiranë, diskutuan paraditen e sotme mbi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Shqipëria e konsideron Italinë një partner shumë të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve. Në këtë kuadër, gjatë takimit, Prokurori i Përgjithshëm shprehu bindjen se Prokuroria Shqiptare dhe agjencitë ligjzbatuese italiane do të intensifikojnë koordinimin për hetime të përbashkëta dhe goditjen e grupeve kriminale që operojnë ndërmjet dy shteteve.

Prokurori i Përgjithshëm, znj. Marku, falenderoi diplomatin italian për angazhimin e tij personal dhe të vendit të tij për nxitjen dhe kontributin në hartimin e Reformës në Drejtësi.

Zonja Marku theksoi rëndësinë e procesit të Vetingut në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, duke u shprehur se forcimi i integritetit të prokurorëve dhe gjyqtarëve do të ndikojë edhe në rritjen e mëtejshme cilësore të luftës kundër krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar.

Një tjetër temë e rëndësishme diskutimi ishte zbatimi i plotë i ligjit “Për Dekriminalizimin”. Ambasadori italian shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me autoritetet shqiptare për realizimin në kohë sa më të shpejtë të procesit të verifikimit të integritetit të zyrtarëve shqiptarë.

/Opinion.al

Share: