Home KRYESORE Trump vazhdon kritikat për librin e ri provokativ “Zjarr dhe Furi”

Trump vazhdon kritikat për librin e ri provokativ “Zjarr dhe Furi”

Presidenti Trump vazhdoi sot kritikat për librin e ri provokativ “Zjarr dhe Furi” që e portretizon vitin e parë të presidencës së tij si të rrëmujshëm, dhe atë vetë si fëmijë që ndoshta ka nevojë për ndihmë psikiatrike.

Pasi shkroi disa postime kritikuese ndaj librit të enjten dhe të premten, presidenti Trump i vazhdoi kritikat edhe të shtunën. Në postimet e tij të fundit, ai hodhi poshtë akuzat e autorit Wolff se është mendërisht i paqëndrueshëm për të qenë president dhe fajësoi medien dhe demokratët për ringjalljen e një strategjie që ai tha se e kishin përdorur kundër ish-presidentit republikan Ronald Reagan në vitet ‘80.

Libri me autor Michael Wolff që doli në shitje dje flet rreth intrigave në Shtëpinë e Bardhë gjatë administratës Trump.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës për Shtëpinë e Bardhë, Peter Heinlein, njofton se presidenti Donald Trump thuhet të jetë i zemëruar me ish-këshilltarin Steve Bannon, i cili citohet të ketë bërë disa komente të dyshimta për presidentin dhe familjen e tij.

Libri “Zjarr dhe Furi”, ka bërë bujë në Uashington. Njerëzit qëndruan në radhë për të blerë kopje të librit, pavarësisht temperaturave të ulëta që arritën deri në minus 12 gradë celsius.

Presidenti reagoi vetë, me “zjarr dhe furi”.

“Unë mendoj se zemërim, revoltim, do të ishin fjalët e përshtatshme kur flitet për këto lloj deklaratash të rreme, kundër Presidentit, administratës së tij dhe familjes së tij” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders.

Në Twitter, presidenti Trump e quajti librin “të rremë” dhe “plot gënjeshtra” dhe talli ish-këshilltarin Steve Bannon, duke e quajtur atë “Sloppy Steve”, pasi Bannon u citua ta përshkruante një takim midis djalit të madh të presidentit Trump dhe një grupi rusësh gjatë fushatës zgjedhore të 2016-ës si “tradhtarë” dhe “jopatriotik”.

“Unë nuk flas me të. Unë nuk flas me të. Unë nuk flas me të”, tha presidenti amerikan.

Por autori Michael Wolff tha se ai qëndron pas gjithçkaje të shkruar në libër.

Në një intervistë televizive me rrjetin NBC, ai tha: “Besueshmëria ime po vihet në pikëpyetje nga një njeri që ka më pak besueshmëri sesa ndoshta gjithë ata që kanë ecur ndonjëherë në Tokë deri tani”.

Autori Wolff tha se stafi i Shtëpisë së Bardhë e përshkruan presidentin si “një fëmijë”, që do të thotë se “ka nevojë t’i plotësohen menjëherë kërkesat”.

“Zjarr dhe Furi” përqendrohet në rrëmujën e Shtëpisë së Bardhë, duke ngritur pyetje rreth shëndetit mendor të presidentit Trump. Ekziston shqetësimi se libri gjithashtu po e largon vëmendjen e medieve nga lajme të tjera të rëndësishme.

“Një seri krizash ndërkombëtare nga Venezuela në Ukrainë deri në Kongo, Koreja e Veriut, Deti i Kinës Jugore, një numër i madh çështjesh ndërkombëtare që janë injoruar në masë të madhe në mbulimin mediatik, sepse ekziston kjo atmosferë e ngjashme me një cirk në Uashington” thotë hulumtuesi Dan Mahafee, i Qendrës për Studimin e Presidencës dhe Kongresit.

Vëzhguesit vënë në dukje se për shkak të bujës së librit “Zjarr dhe Furi”, u la në hije vendimi i së enjtes i presidentit Trump për të lejuar shpime për naftën në pothuajse të gjitha ujërat bregdetare të Shteteve të Bashkuara, duke hequr ndalimin e vendosur nga presidenti Barack Obama pranë fundit të mandatit të tij./gazetaDita.al

Share: