Home KRYESORE Veliaj: Ikën nga puna çdo punonjës bashkie që nuk ka paguar ujin

Veliaj: Ikën nga puna çdo punonjës bashkie që nuk ka paguar ujin

Nga e hëna, në gjithë vendin do të nisë një fushatë ndërgjegjësimi për qytetarët mbi pagesën e faturave të prapambetura të ujit të pijshëm, si dhe lidhjen e kontratave të reja.

Kurse, nga muaji shkurt, grupet e taks-forcës do të jenë në terren për t’i dhënë fund vjedhjes së kësaj pasurie publike.

Në mbledhjen e sotme të Shoqatës për Autonominë Vendore, ku morën pjesë kryetarët e 45 bashkive të vendit, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i shoqatës, tha se do t’i jepet fund situatës së shpërdorimit të ujit të pijshëm në vend, si dhe do të merren masa për rritjen e pagesave, me qëllim realizimin e investimeve dhe përmirësimin e shërbimit për qytetarët.

“Deri në fund të këtij muaji qytetarët do të ftohen vullnetarisht që të lidhin akt-marrëveshjet me Ujësjellësin nëse janë debitorë; të vënë matësit, nëse nuk i kanë pasur më parë; të shlyejnë detyrimet, që të ndalohet vullnetarisht vjedhja dhe shpërdorimi i ujit të pijshëm”,- deklaroi Veliaj.

Brenda janarit, secila prej bashkive do të lidhë një marrëveshje me Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, e cila do të ofrojë asistencë për projektet dhe investimet e reja në ujësjellësa.

“Unë e kuptoj që mund të ketë disa raste sporadike ose disa raste ekstreme, por është e pafalshme që të paktën 90% e konsumatorëve të mos ketë ujëmatës, ndërkohë edhe për ata që mund të kenë ujëmatës të vjetër ose të amortizuar, që iu bën një keqfaturim, është detyrë e ujësjellësave tanë që ta zëvendësojnë, që gjithkush të paguajë aq sa harxhon”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se në përfundim të fushatës së ndërgjegjësimit dhe lidhjeve vullnetare, do të nisë identifikimi i abuzuesve, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Aksioni do të nisë nga bizneset abuzuese.

Veliaj shtoi se duke filluar nga data 1 shkurt, bashkitë do të fillojnë verifikimin e pagesave për punonjësit e tyre, të cilët do të nënshkruajnë një deklaratë dhe do të paraqesin edhe librezën e pagesave të ujit.

“Çdo staf i 45 bashkive tona, do të duhet të plotësojë formularin e vetëdeklarimit që e paguan faturën e ujit dhe duhet të tregojë një kopje të librezës. Ndaj, ju lutem, porosisni drejtorët e burimeve njerëzore në çdo bashki, por edhe në çdo institucion në varësi të bashkisë, që nga data 1 shkurt secili të tregojë faturën e paguar të ujit, siç u bë me energjinë. Kemi filluar ta bëjmë në Bashkinë e Tiranës, kemi larguar nga detyra ata që nuk paguajnë faturën e ujit”, theksoi ai./opinion.al

Share: