Home KRYESORE Vjedhjet në Itali/ Sot KQZ vendos fatin e deputetëve Aqif Rakipi dhe...

Vjedhjet në Itali/ Sot KQZ vendos fatin e deputetëve Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mblidhet sot në orën 12:00 për të vendosur mbi mandatin e deputetëve Gledion Rehovica (LSI) dhe Aqif Rakipi (PDIU). Sektori i Dekriminalizimit në Prokurori ka kërkuar ndërprerjen e mandatit për këta deputete pasi nuk kanë deklaruar në formular të shkuarën e tyre.

Sipas vendimit të prokurorisë, të dy deputetëve ju janë marrë shenjat e gishtave në shkurt dhe i janë dhënë Interpolit. Në datën 22 dhjetor Interpol Roma solli të dhëna për dy deputetët.

Për deputetin e PDIU-së, Rakipi, Interpol Roma thotë se ai është raportuar për vjedhje. Sakaq Rakipi përdorte në Itali emrin Skënder Ejylbegaj. Vjedhja në fjalë ka ndodhur në 03.11.1998, kohë kur deputeti ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit se ka qenë emigrant në Itali.

Deputeti i LSI-së, Gledion Rehovica sipas Interpol Romës, është i raportuar për vjedhje dyqani. Edhe ky deputet ishte me emrin e rreme Kusta Mina. Vjedhja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur më 27.02.1999, kohë kur vetë deputeti ka deklaruar se jetonte në Itali si student.

Të dy deputetët nuk deklaruan ndalimet nga policia italiane në formularin e dekriminalizimit dhe as përdorimin e emrave të rreme, çka sipas ligjit të dekriminalizimit përbën arsye për ndërprerje të menjëhershme mandati.

Share: