Nga Elvis Zaimi, Ekspert Juridik
Verifikimi i thellë (vetting-u) i aftësive profesionale, ligjshmerisë së pasurive, dhe integritetit të magjistratëve dhe kategorive të tjera të zyrtaëve publikë, një process që sapo ka nisur por që rezultatet e tij mbeten për t’u parë, shihet si instrumenti “shërues” që do të duhet të sigurojë funksionimin e shtetit shqiptar në përputhje me parimet e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Në fakt, më tepër sesa të na bëjë entuziast, vettingu duhet të na zgjojë ndjenjën e zhgënjimit të thellë dhe pikëllimit që pushteti gjyqësor shqiptar është i zhytur në korrupsion sistemik, që dëshmon krizën e thellë të vlerave të shoqërisë shqiptare.Korrupsioni sistemik, sipas studiueses së njohur Susan Rose-Ackerman “është një siptomë që tregon se shteti funksionon dobët”.Në këtë kuptim, nëse me shtet do të kuptonim, sic pranohet gjerësisht, imponuesin e vlerave në ekonomi dhe shoqëri, është një iluzion që të pritet se “receta shëruese” për korrupsionin në sistemin e drejtësisë fillon dhe mbaron me vettingun.
Në të vërtetë, korrupsioni në gjyqësor, ashtu si në të gjithë shoqërinë shqiptare është një “fenomen sjelljeje”, i diktuar deri diku nga një lloj determinizmi ekonomik I individit. Është mëse e qartë, se pavarësisht integritetit personal që është i ndryshëm për gjyqtarë apo zyrtarë të ndryshëm, shqiptarët e të gjitha kategorive shoqërore, u përgjigjen incentivave të një tregu dhe ekonomie të deformuar, dhe të një gjyqësori problematik.
Thënë ndryshe, sjellja e zyrtarëve shtetërorë përcaktohet nga përllogaritja e përfitimeve të padrejta private që rrjedhin nga ushtrimi I një funksioni publik, përballë një shteti jofunksional, një shoqërie të kapur, dhe nga ana tjetër të një sistemi drejtësie joefektiv, që dështon të frenojë sjelljen korruptive duke mos ndëshkuar pa dallim cdo fenomen dhe individ të korruptuar. Nga ky këndvështrim duhet parë edhe dekriminalizimi i politikës.Shumë nga personazhet e përfshira në procesin e dekriminalizimit nuk janë rastësisht në politikë, ndonëse duket se nuk kanë asnjë lidhje me të.
Ata janë shprehje e fenomenit se politika kushton, ajo ka nevojë për financime, dhe mjaft liderë politikë, “për të nxjerrë në dritë” projektin e tyre politik janë mbështetur edhe tek individë të pasuruar në mënyrë të paligjshme, të cilët pastaj shndërrohen në ‘deputetë’apo politikanë.Në këtë kuptim korrupsioni I “parazitëve apo burokratëve në administratë” dhe ai I gjyqtarëve, fsheh një pjesë të madhe të së vërtetës në realitetin shqiptar. Dihet se në cdo vend dhe në cdo kohë ka gjithmonë një joshje të politikës për të vendosur nën presion gjyqësorin.
Kjo tendencë është e dukshme edhe në Shqipëri në kontekstin e “dallgës së vettingut dhe reformës në drejtësi”, ku funksionimi i gjykatave në një pjesë të konsiderueshme është paralizuar, ndaj nuk duhet lejuar që ky vrull ta shndërrojë idenë e vettingut në një ide populiste. Dihet se pushteti gjyqësor është autonom, por jo I pavarur nga politika. Po ashtu edhe shkenca politike determinon doktrinën kushtetuese. Për këto arsye sjellja politike, nëse pretendon të jetë atdhetare, duhet të dëshmojë respect për rregullat e reja kushtetuese dhe ligjore, si dhe për institucionet e reja të krijuara, duke heshtur.
Rregullat dhe institucionet e reja u krijuan me argumentimin se pushteti politik duhet ta humbasë kontrollin mbi pushtetin gjyqësor dhe nuk do të ketë me instrumentalizim të drejtësisë për interesa të oligarkëve politikë dhe ekonomikë. Politika e ka mbaruar punën e saj me miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore, dhe konstituimin e institucioneve të reja të drejtësisë. Tanimë, fjalën e kanë këto të fundit që duhet të justifikojnë vetveten me rezultatet e punës së tyre. Në analizë të fundit, vettingu nuk e pezullon apo e zëvendëson parimin e shtetit të së drejtës, por është një instrument që hap rrugën për të shkuar drejt tij.