Përktheu Elona Caslli
Nëse dikush do të provonte t’ua hiqte maskën aktorëve teksa luajnë një dramë dhe t’ua tregonte spektatorëve fytyrën e tyre të vërtetë, fytyrën me të cilën kanë lindur, do të bënte aq rrëmujë në skenë sa do ta përzinin me gurë nga teatri si të qe i çmendur.
Në të vërtetë, krejt papritur do të shfaqej një fytyrë e re gjërave.
Kush më parë ishte grua krejt papritur do të shfaqej burrë.
Kush më parë ishte i ri krejt papritur do të shfaqej plak.
Kush më parë ishte mbret krejt papritur do të shfaqej si burrac që nuk vlen dy grosh.
Demaskimi i këtij iluzioni do t’ia hiqte kuptimin shfaqjes.
Është pikërisht ky trillim dhe ky mashtrim që i magjeps spektatorët.
E pra, a nuk është jeta veçse një komedi njerëzore, në të cilën të gjithë luajnë rolin përkatës? Kush me një maskë e kush me një tjetër, derisa përgjegjësi i trupës i nxjerr nga skena.
Megjithatë, ndonjëherë përgjegjësi i trupës i jep të njëjtit aktor, role të ndryshme dhe kështu, ai që më parë luante rolin e një mbreti të mbështjellë me pëlhurë, tani luan rualin e një skllavi mbuluar me rrecka.
Gjithçka është trillim, por kjo komedi nuk mund të luhet ndryshe.