Home KRYESORE Kush është drejtori i ri i Policisë së Shtetit: Karriera e Ardi...

Kush është drejtori i ri i Policisë së Shtetit: Karriera e Ardi Veliut nga Memaliajt në drejtor i Përgjithshëm

Ardi Veliu nga sot është Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, duke zëvendësuar në këtë mënyrë ish-drejtorin e Tahirit, Haki Çako. Fatmir Xhafaj tashmë ka të zgjedhurin e tij në krye të policisë. Emri i Ardi Veliut është firmosur dhe nga Kryeministri Rama dhe nuk kishte shumë surpriza pasi në media flitej që prej largimit të Çakos se ai do të ishte pasuesi.

Ardi Veliu nuk ka një karriere fort të pasur në organizatën e Policisë. Rritja e beftë u bë një vit më parë kur Xhafaj drejtoi një muaj Ministrinë e Brendshme (më pas qeveria teknike). Asokohe u shkarkuan 33 shefa policie në mbarë vendin, ndërsa Veliut iu besua detyra e rëndësishme në krye të Policisë së Tiranës.

Ndërsa gradën “Drejtues i Parë” e mori vetëm pak ditë më parë, ku iu nënshtrua konkursit në Akademinë e Policisë.

Në kriteret që duhet të përmbushen për të qenë Drejtor i Përgjithshëm në pikën b) të ligjit, thuhet që kandidati duhet “të ketë të paktën 15 vjet përvojë në polici, nga të cilat të paktën 10 vjet në pozita të larta drejtuese në strukturat e Policisë së Shtetit”.

Ardi Veliu nuk e plotëson këtë kusht, ose më saktë pjesën e dytë të tij që thotë se kandidati duhet të ketë 10 vjet eksperiencë në pozita të larta drejtuese në Policinë e Shtetit.

Pak ditë më parë, teksa flitej në media se Veliu është kandidati potencial për drejtor, u sulmua politikisht edhe nga Kryeministri Sali Berisha. Përmes një statusi në facebook, ai shkruante: “Kandidatit për narkodrejtor të përgjithshem të narkopolicise i kane vjedhur ne shtepi 550 mije euro!”.

Referuar një mesazhi që i kishte nisur qytetari dixhital, Berisha shkruante se “Drejtori i ri i Policise se Shtetit do jete Ardi Veliu ,pasi diten e shkarkimit te Haki Cakos ,Ardi Veliu shkoi ne zyren e Lal plehut dhe qendroi dy ore me te dhe mori bekimin e tije,pasi Shteti kur bie keq gradon dhe gomarin i ven spaleta dhe e ben Gjeneral.Por nga Informacione njeqind perqind te sigurta karriera e Ardi Veliut le shume per te deshiruar, pasi ne gusht te vitit 2013 ne kohen qe Ardi Veliu ishte Drejtor i Policise Bashkiake Vlore i vidhet shtepia e tij ne Vlore.Ne denoncimin qe beri ne ate kohe ne Polici deklaroi se i kishin vjedhur 12 mil leke te vjetra.Por e verteta eshte se i kishin vjedhur 550 mije euro pasi ne ate kohe vuri shperblim 100 mije euro kush gjen hajdutet,por shumen e sakte nuk mund ta deklaronte ne polici pasi nuk kishte sesi ta justifikonte.Pas vjedhjes se shtepise Ardi ka kaluar ne depresion dhe mer ilace depresioni dhe sot e kesaj dite dhe per kete kohet e fundit ka pesuar tre infakte dhe kete e dijne shumica punonjesve te policise(infaktet).Kerkoj ky informacion te behet publik,duke ruajtur anonimatin..”

CV e drejtorit të ri të Policisë së Shtetit

Komandant i “Postës së Policisë”, Memaliaj, Tepelenë (1998-1999)

Shefi i Policisë së Rendit, Vlorë (1993-2002)

Shefi i sektorit të “Policisë me Uniformë”, Drejtoria e Policisë, Vlorë (2002-2004)

Shefi i sektorit të Rendit, Drejtoria e Policisë, Vlorë (2004-2006)

Shefi i komisariatit të Policisë, Durrës (2013-2014)

Zëvendësdrejtor për Sigurinë, Drejtoria e Policisë, Tiranë (2014-2015)

Drejtor i Kolegjit te Policise (Shkolla Bazë e Policisë) 2015 -2016

Drejtor i Policise Rrugore ne Drejtorine e Policise se Shtetit 29.07.2016 – 27.04.2017

Nga data 28.04.2017 Drejtor i Drejtorise Vendore te Policise Tirane.

 

Share: