Përktheu Elona Caslli
E dija se çfarë do të gjeja brenda letrës; ndodhej pothuajse gjithmonë pas çdo letre; ndodhej në sytë e tu- a ka gjë që nuk dallohet në thellësinë e kthjellët të atyre syve?
Ndodhej në vizat e ballit tënd dhe unë e dija ashtu siç mund ta dijë dikush, që pasi ka kaluar gjithë ditën brenda me dritare të mbyllura, i zhytur në ankthin e gjumit dhe të ëndrrës, hap në mbrëmje dritaren dhe natyrisht nuk çuditet , sepse e di që do të gjejë errësirën, një errësirë të mrekullueshme dhe të thellë.
Dhe unë shoh se sa shqetësohesh dhe përpëlitesh dhe nuk arrin të shkëputesh- t’i hedhim benzinë zjarrit!
Nuk do ta bësh dot kurrë e megjithatë nuk është e drejtë të të them- rri atje ku je. Por, nuk të them as të kundërtën. Qëndroj përballë teje dhe të shoh në sytë tu të dashur e të shkretë (megjithëse më dhimbset portreti që më ke dërguar, më dhimbset kur e shoh, një dhimbje tek e cila mbështetem një mijë herë në ditë dhe për fat të keq mbetet një pronë të cilën do ta mbroja dhe kundër dhjetë burrave të bëshëm) dhe jam me të vërtetë i fortë, tamam siç e shkruan ti, zotëroj një forcë të tillë, që po të dua ta përcaktoj me pak fjalë dhe pa kurrfarë saktësie, do të thoja që është mungesa e veshit tim muzikor.
Nga ana tjetër kjo forcë nuk është kaq e madhe, sa unë t’ai dal të të shkruaj menjëherë. Nuk e di se ç’zbaticë dhimbjeje dhe dashurie më merr dhe më largon nga të shkruarit.
Franz Kafka