Home KRYESORE Marrëveshja Xhafaj-Marku/ Luan Rama: Akt injorance që shkel Kushtetutën

Marrëveshja Xhafaj-Marku/ Luan Rama: Akt injorance që shkel Kushtetutën

Pas Partisë Demokratike ka reaguar edhe LSI për marrëveshjen e nënshkruar sot mes Arta Markut dhe Fatmir Xhafajt. Sipas tij, kjo marrëveshje është jo vetëm në kundërshtim me Kushtetutën, por dhe akt injorance dhe lajthitje gjuhësore, logjike dhe juridike.

Më poshtë statusi i Luan Ramës në facebook

Eshtë shitur si një ngjarje e rëndësishme marrëveshja e nënshkruar sot mes Prokurorisë së Përgjithëshme dhe Ministrisë së Brendshme, e cila ka për objekt ( citoj sipas origjinalit të marrëveshjes): “hetimin e specializuar, të shpejtë, të gjithanshëm të grupeve kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, në fushën e krimit të organizuar dhe, kryesisht grupet kriminale te trafikimit të narkotikëve, krimeve të rënda me ndikim të lartë shoqëror, krimit kundër korrupsionit dhe atij financiar, sekuestrimin e aseteve kriminale, me fushë veprimi brenda territorit të Republikës së Shqipërisë”.

Mjafton të lexosh vetëm objektin e marrëveshjes të cituar me lart, dhe do te gjesh menjëherë kundershtinë e saj me Kushtetutën.

Sepse krimi i korrupsionit në bazë të Kushtetutës dhe paketës së ligjeve të reformës në drejtësi është objekt i veprimtarisë së Prokurorisë së Posaçme dhe Njësisë së Posaçme Hetimore, të cilat sipas nenit 148, pika 4 të Kushtetutës janë të pavarur nga Prokurori i Pergjithshëm!

Pra, ç’punë ka Prokurori i Përgjithshëm, dhe aq me pak Ministri i Brendshëm me luftën kundër korrupsionit, që është objekt i veprimtarisë së Prokurorisë së Posaçme?!

Marrëveshja është në kundërshtim flagrant e të hapur me Kushtetutën!

Dhe duke iu referuar sërish objektit të saj, pra objektit të marrëveshjes, gjejmë në të një mori lajthitjesh gjuhësore, logjike e juridike! Pra, përveç se një akt antikushtetues, është edhe një akt injorance gjuhësore, logjike e juridike.

Për ilustrim të kësaj injorance skandaloze po citoj : “…krimit kundër korrupsionit dhe atij financiar,”! Formalisht, për të qenë korrekt në aspektin gjuhësor, do të duhej të ishte “kundër krimit të korrupsionit dhe atij financiar”, sepse ashtu si e kanë formuluar injorantët që kanë përgatitur tekstin e marrëveshjes, i bie të konsiderohet krim po të jesh kundër korrupsionit!

Dhe diçka tjetër po për injorantët që kanë hartuar tekstin e marrëveshjes: shkruhet objekt i kësaj marrëveshjeje dhe jo objekt i kësaj marrëveshje!

Share: