Tashmë prej vitesh dihet, që politika turke po mundohet të imponojë frymën e saj konfliktuale në Ballkan.
Teza e parë e kësaj ndërhyrjeje ishte libri i ish-këshilltarit të Erdoganit e më pas ministër i jashtëm dhe kryeministër, e më pas i detyruar nga Erdogani të japë dorëheqje Ahmet Davutoglu. Ai fliste gjerë e gjatë për strategjitë politike për të kthyer influencën e Turqisë në Ballkan, si ish-toka të Perandorisë Osmane.
Në Shqipëri prej 25 vitesh kemi një prezencë të bizneseve dhe investimeve turke, të cilat kohët e fundit janë vënë thuajse të gjitha në shërbim të politikave ekspansioniste dhe orekseve politike të Erdoganit, siç është Albtelekom dhe Eagle Mobile. Krahas këtyre shkollat e para private që u hapën në Shqipëri, ishin pikërisht kolegjet turke, themelet e së cilës u hodhën me bekimet e Presidentit Turgut Ozal më 1993 dhe sot njihen si shkollat më cilësore me një eksperiencë çerek shekullore, ku përfshihen të gjitha ciklet, nga kopshti deri në universitet. Duke qenë se tashmë dihet edhe botërisht, që ishin pikërisht këto shkolla të hapura në 170 vende të botës, që nuk pranuan vasalitetin politik të Erdoganit, ky i fundit i hapi një luftë të hapur në Turqi dhe kudo në botë, por përveç mbylljeve me dhunë në vendin e tij dhe disa vendeve në Afrikë, të cilat edhe ato u rihapën, duke fituar gjyqin për mbylljen e tyre, ai nuk arriti të ndikonte pavarësisht ofertave marramendëse që iu bënë këtyre shteteve. Përkundrazi në Shqipëri dhe Kosovë pati dhe deklarata të zyrtarëve të lartë, që folën për këto shkolla si institucione arsimore, që ushtrojnë detyrën brenda çdo kuadri ligjor dhe konform ligjeve të vendit, duke i dhënë një shuplakë këtyre ndërhyrjeve alla-koreanoveriore. Madje shumë nga këto zyrtarë i shkollojnë fëmijët e tyre në këto institucione, që njihen si shkollat më të mira në vend.
Megjithë ndërhyrjet e Turqisë në punët e brendshme të shumë shteteve, përgjigjet e zyrtarëve evropianë dhe perëndimorë e nganjëherë indiferenca e tyre përballë klithjeve për sulm ndaj arsimit dhe edukimit të këtyre shkollave vetëm se nuk pranuan vasalitetin ndaj pushtetit diktatorial të Erdoganit, duket se këto sjellje ose kanë shqetësuar disa pseudogazetarë me profesion teologu e diplomë alla-erdoganiste, ose këta bëjnë sikur janë shqetësuar për të rritur honoraret, megjithëse të bollshme që marrin nga Turqia.
Reagimi i fundit ishte edhe i teologut i vetëshpallur gazetar Maliq Hasa, që bën hyzmetqarin në një grup mediatik turk me zyrë diku në Tiranë, duke sulmuar ministren Kumbaro dhe KMSH-në, të cilët lidhën një marrëveshje bashkëpunimi për restaurimin e disa xhamive, monument kulture.
Ai sulmon këto dy institucione të larta zyrtare, ku ndër të tjera thotë, “Shumë herë jemi përballur me veprime të çuditshme të autoriteteve shqiptare ndaj Turqisë… ‘Bombën’ e fundit e hodhi ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro e cila ka kryer një veprim, i cili duhet të ishte rutinë në një show mediatik. Ajo ka marrë pjesë në një takim të organizuar në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë (KMSH), për firmosjen e një “marrëveshjeje” restaurimi për 5 objekteve te kultit.
Nuk ma merr mendja se ministrja Kumbaro nuk është në dijeni, që institucioni ku ajo zhvilloi ceremoninë ‘show’ është non grada nga Turqia.”
Niveli i ulët kulturor dhe arsimor i teologut allaturka i vetëshpallur gazetar e bën atë sa qesharak aq dhe cinik, por edhe të rrezikshëm për nxitje të urrejtjes fetare dhe shpifje ndaj një institucioni të rëndësishëm si KMSH, e cila prej një shekulli është promotor i paqes dhe stabilitetit në Shqipëri. Akuzat e tija janë për t’u marrë seriozisht nga organet hetimore dhe Prokuroria, ndaj të cilit duhet të hapet një çështje penale edhe nga KMSH, Komiteti Shtetëror për Kultet dhe instanca të tjera zyrtare.
Maliqi i Librazhdit duhet ta dijë mirë se KMSH është nongrata në Turqi që më 1923, kur shpalli pavarësinë nga kalifati i Stambollit dhe themeloi institucionin e vet krejtësisht shqiptar, Komunitetin Mysliman të Shqipërisë.
Por megjithatë Turqia ka vazhduar dhe vazhdon bashkëpunimin zyrtar midis institucioneve homologe dhe të tjera, siç është edhe rasti i ndërtimin e kompleksit të Namazgjasë me ndihmat që u mblodhën në 130.000 xhamitë e Turqisë nga populli për ndërtimin e xhamisë së kryeqytetit, financimin e shumicës së medreseve të Shqipërisë, e të tjera të ngjashme si këto.
Historia ka treguar se kushdo që ka udhëhequr shtetin turk, majtistë, apo të djathtë, xhuntë ushtarake apo diktaturë, askush nuk ka arritur të prishë marrëdhëniet midis dy vendeve pavarësisht disa aparatçikëve me sindroma komuniste./Boom.al