Home KRYESORE Ra kjo borë e na u “zbardhua” shpirti!

Ra kjo borë e na u “zbardhua” shpirti!

Nga blogu i Mira Tuci

…Ose kështu shpresojmë së paku në këto kohë shpresëvrarë ku vetëm mana e bardhë prej Qiellit mund të na shpëtojë. Jemi bërë parodi e vetvetes, teksa para pasqyrës ia shkelim syrin (vetes) në një përpjekje të qorrollepsur për t’i mbushur mendjen alteregos dhe të tjerëve se gjithçka është në rregull. Jetojmë në një dëshpërim që ka prekur çdo shtresë të shoqërisë, gjallojmë në një kakofoni zhurmimesh propagande të pushtetarëve, kaplim qepallash nga opozita dhe një vegjetim interesash gjithfarëshe të medias që i ofrohet blerësit më të parë.

Shkurt e troç kemi humbur harmoninë që vjen veç nga zotërimi i instrumentit të së vërtetës. E kur kjo aftësi “muzikore e shpirtit” humbet, bashkë me të birret edhe modeli i së mirës, i së bukurës. Të gjithë duket se janë dorëzuar para arrogancës që parakalon me gjithë galerinë shumëngjyrëshe të kostumeve të kllounadës. Në thelb të gjithë kemi frikë e njëkohësisht na kanë magjepsur ngjyrat që ndryshojnë sipas humorit të mbretit. Ka një konspiracion të heshtur që të na marrë mendjen teksa na rrëmbejnë kafshatën para syve e kjo kafshatë që po na rrëmbehet është atdheu dhe e ardhmja në këtë vend. Duke e quajtur veten me fat se nuk bëj pjesë në asnjërin prej grupimeve politike që thjesht ndërrojnë vendet kam shpresuar gjatë se do të vinte një kohë kur disa zëra do të ngriheshin mbi orkestrën që hesht pasi ju është mbyllur goja nga trombonet e projekteve, bordeve,tenderave dhe interesave të vockla apo megarajonale që vetëm atdheun nuk llogarisin. Të rinjtë e këtij vendi thuajse kanë arritur në një urrejtje patologjike ndaj vendit të tyre e bëjnë të pamundurën për tu larguar nga vendi i tyre madje duke mos i kthyer sytë pas. Teksa teatri i protagonistëve të paradës tragjikomike vazhdon çdo javë dhe çdo ditë me legjitimimin tonë absurd si një përpjekje “kryepreme”sadomazokiste kolektive, shqiptarët po braktisin trojet e tyre me urrejtje jo thjesht prej pamundësisë, varfërisë apo mungesës së shpresës, ndoshta edhe në një përpjekje turistike do thoshte dikush.

Ndërtimi i“njeriut të ri” në regjimin komunist ende nuk ka reshtur së treguari qelbëzimin e plagëve dhe shëmtimin e Frankeshtajnit që na shëmton të gjithëve, edhe ne brezin e mëvonshëm, si në një trashëgim fatal të mëkatit origjinal të paraardhësve. Diktatorin nuk e vramë dhe as viktimave të mizorisë së tij nuk u dhamë drejtësi. Si pasojë kemi pranuar të bashkëjetojmë me të keqen madje ti japim asaj një lloj amnistie, një amnisti që vë shenjën e barazimit mes xhelatëve dhe viktimave, e pra të gjithë qenkeshim bashkëfajtorë e do vijojmë të jemi përderisa cjeptë nuk ndahen nga qingjat. E këtu fillon glorifikimi i së keqes dhe fshehja nën mantelin e gënjeshtrës që del në qytet me dy maska hem si shpëtimtare, hem si viktimë dhe I vendos sipas rastit.

Shpirti I këtij kombi dergjet në një zift mëkatesh që nuk na lejon të ngrihemi sipas porosisë së Papa Françeskut në lartësitë ku e bëjnë folenë shqiponjat. Thesaret e trashëgimisë I kemi lënë në mëshirë të fatit, monumentet që dëshmojnë kush ishim dhe kush jemi po na thërrmohen nën këmbë, qytetet po i kthejmë në banime fantazmash me kostum zyre si kuti shkrepsesh palosur mbi njëra-tjetrën. Patriotizmin e kemi aset për lajka në facebook, ndërkohë që po shkëpusim llokma të mëdha deti, qielli, dielli dhe mermeri për ta shndërruar në floririn që mbulon egon e gjysmështetit që qeveris në hije. E keqja dhe ikonizimi I të fortit që na del sipas një mendësie mongoliane se është më i zoti dhe dobiç se dikush që e do gjuhën, vendin, familjen, sakrifikon vite të tëra studimesh, kualifikimesh, pune të dedikuar dhe të kualifikuar është etaloni matës në shoqërinë e sotme shqiptare që nuk pyet më se  çfarë vlerash ke, por sa para ke në llogarinë bankare dhe sa e gjatë është lista e pronave të paluajtshme që zotëron anipse këto të fundit mund të jenë trofe padrejtësish të mëdha.

Profesionisti i ndershëm, eksperti, studjuesi, artisti që respekton etikën dhe dinjitetin e tjetrit jo vetëm në profesionin e vet por shkon përtej saj është një  OUTSIDER, një çiban në trupin e gangrenizuar të hibridit që shohim në sipërfaqen e realitetit.

Larg qoftë të jetë model artisti a ti dëgjohet zëri, ai është lënë në kufijtë e lypjes faqezezë sa tashmë nuk mundet as të kundërshtojë për rrokaqiellin që do ti ngrihet mbi kokë sepse tashmë vendimet janë marrë nga ata që i lëvizin fijet në hije. E ngjan sëkëlldisëse parodia që deputetët luajnë para kamerave me dritën e kuqe ndezur kinse secili po alarmohet për urën e mëhallës së vet 200-300-400 vjeçare të cilat po na thërrmohen para syve nga forcat e natyrës të cilave për 30 vjet i kemi shpallur armike, të denja vetëm ti binden babëzisë sonë për burime, zhavorr, gëlqere, lëndë drusore, naftë, ujë, gaz, mineral etj etj pa i dhënë asgjë në këmbim. E pra kalatë e rërës që kemi ngritur në një mashtrim kolektiv duke mos bërë një katarsis të vërtetë po na zënë poshtë njësoj si Kalaja e gurtë e Gjirokastrës. E kjo është vetëm shenja e parë e providencës se e mira dhe e drejta nuk mund të heshtet, jo për shumë gjatë.

Share: