Bashkëthemeluesja e lëvizjes feministe radikale “Femen” në Gjermani, shqiptarja nga Maqedonia, Zana Ramadani, është gjetur sërish nën dritat e reflektorëve.
Ajo promovon sot librin e saj të dytë brenda një viti, atë me titullin “Sexismus. Über Männer, Macht und #Frauen” (Seksizmi. Mbi burrat, pushtetin dhe #gratë”). Libri i saj i parë, i botuar vitin e kaluar fliste për rrezikun islamik që kërcënon shoqëritë perëndimore, shkruan albinfo.ch.
Vetëm një ditë para promovimit të librit të saj të ri, emri i Zanës lakohet nga gazetat gjermane lidhur me një akuzë që ajo e drejton në këtë libër në një adresë shumë të lartë. Aktivistja dhe shkrimtarja Ramadani ngre akuza kundër, jo më pak se ish presidentit gjerman Gauck. Atë e fajëson për seksizëm ose për një sjellje “të papërshtatshme” që ai e paska treguar ndaj saj, sjellje kjo sipas Zanës, në kufi me ngacmimin seksual.
Skena që përshkruhet në librin i cili promovohet sot, ka ndodhur në qershor të vitit 2016, në kështjellën “Bellevue” të Berlinit, shkruan gazeta “Berliner Zeitung”. Zonja Ramadani ishte aty në mesin e një numri të madh të ekspertëve të integrimit, që ishin ftuar si mysafirë të presidentit federal.
Duke bërë aluzion rreth daljeve të saj publike me gjinj të zbuluar gjatë protestave kundër diskriminimit të gruas, që i bënte si aktiviste e grupit “Femen”, presidenti do ta ketë pyetur Zanën nëse ajo do të zhvishej edhe aty, në kështjellë. Pasi ajo i kishte thënë se fustani i saj ishte shumë i komplikuar për një gjë të tillë, Gauck do t`i ketë thënë se ai, po qe nevoja, mund ta ndihmonte.
Kështu së paku citon Zana Ramadani atë në librin e saj. Dhe për të mos mbetur puna me kaq, ajo shkruan se gjatë fotografimit të përbashkët ai e ka përqafuar dhe a ka vënë krahun mbi ijet (kërdhokullat) e saj. “Unë prisja madje pothuaj që dora e tij të rrëshqiste më poshtë, drejt prapanicës. (…) Isha e prekur në mënyrë të pakëndshme, por e lash të ndodhte. E çfarë do të bëja unë? Ai ishte president federal”, shkruan Zana Ramadani.
Por, edhe pse kjo situatë i ishte dukur e pakëndshme atëbotë, Zana nuk ishte e interesuar ta denonconte publikisht presidentin, ka theksuar ajo në një intervistë me “Berliner Zeitung”. Ajo i kishte mbijetuar “sjelljes së tij konfuze” pa dëme.
Ndërsa, i pyetur nga gazeta “Berliner Zeitung”, ish presidenti Gauck nuk ka dashur të shprehet. Në vend të tij është përgjigjur avokati i tij, Christian Schertz.
“Akuza e zonjës Ramadani nuk ka asnjë bazë. Po të lexohet teksti më saktësisht, aty shkruan se z. Gauck e ka vendosur dorën rreth saj, ashtu siç është e zakonshme për bërjen e një fotografie të përbashkët. Pastaj në tekst shprehet vetëm një supozim se dora mund të rrëshqiste më poshtë, gjë që realisht aspak nuk ka ndodhur. Të nisesh nga një rrethanë e tillë dhe ta quash atë “ngacmim”, është thjesht absurde. Po ashtu, pas leximit të saktë të tekstit, nuk shihet se ajo e fajëson atë që ta ketë prekur në mënyrë të pamoralshme”, përfundon avokati.
Cilado që të jetë e vërteta rreth rastit “Gauck”, një gjë duhet të thuhet: se si me librin e parë, ashtu dhe me këtë të riun, Zana Ramadani ka goditur: libri i saj mbi seksizmin publikohet në kohën kur gjithandej, bota vlon nga akuzat kundër ngacmimeve seksuale dhe kur lëvizja kundër tyre “MeeTo” është shumë aktuale.
360grade.al