Home KRYESORE STATISTIKAT E DHUNES NË FAMILJE ALARMANTE! MEKANIZMI I REFERIMIT ËSHTË SHKATËRUAR!

STATISTIKAT E DHUNES NË FAMILJE ALARMANTE! MEKANIZMI I REFERIMIT ËSHTË SHKATËRUAR!

Nga Albana Vokshi

Me iniciativën time, si deputete e Kuvendit te Shqipërisë dhe si Kryetare e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, me mbështetjen e Women’s Democracy Network, u mbajt në Tiranë takimi konsultativ me përfaqësues të Parlamentit, Forumeve Politike të Grave dhe Shoqërisë Civile në vijim të miratimit të rezolutës “Për dënimin e dhunës ndaj grave e vajzave dhe rritjen e efektshmërisë së mekanizmave ligjorë për parandalimin e saj Kundër Dhunës në Familje.”

Pas dy rasteve tronditëse të dhunës, me 3 viktima (rasti i vrasjes së studentes së Juridikut si dhe rastin e fundit në Shkodër), e në dritën e Raportit të fundit të KLD mbi situatën e cështjeve gjyqësore për dhunën në familje, thirra me urgjencë këtë takim, për të diskutuar rreth hapave imediate që duhen ndërrmarrë dhe hartimit të një plan veprimi reaguas dhe ndërgjegjësues në të gjithë Shqipërinë. Këto në bashkëpunim edhe me shoqërinë civile, akademinë, bizneset private e qytetarët.

Në 4 dhjetor 2017, Parlamenti i Shqipërisë miratoi me votë unanime Rezolutën e Kundër Dhunës në Familje, një lëvizje e inicuar nga Parti Demokratike.

Por dy muaj nga miratimi i Rezolutës, institucionet qeveritare nuk kanë marrë asnjë angazhim për zbatimin e këtij dokumenti që do të ndihmonte në parandalimin e dhunës dhe krimeve në familje dhe do të ofronte më shumë mbrojtje ligjore dhe sociale për viktimat e dhunës.

Në emër të LDGSH, falenderova Këshillin e Lartë të Drejtësisë, i vetmi institucion që ka reaguar pas miratimit të rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë, duke vënë në focus të punës së tij çështjen e trajtimit të rasteve të dhunës ndaj grave dhe e përgëzon për raportin e detajuar mbi ecurinë e cështjeve gjyqësore me këtë tematikë, miratuar me vendimin nr. 1 datë 18.01.2018 të KLD-së.

6307 çështje gjyqësore për dhunën në familje në 16 muaj !

“Nga këto të dhëna konstatohet lehtësisht se volumi i çështjeve është rritur ndjeshëm në 6307 çështje për 16 muaj në raport me të dhënat e konstatuara nga Inspektimi: 2689 vendime gjyqësore mbi dhunën në familje të dhëna për 18 muaj, në periudhën e inspektuar (2011-2012)”-ngre alarmin KLD.

Kërkova nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Brendshme, që në detyrim të rezolutës të mos neglizhojë dërgimin e analizës së plotë të të gjitha problematikave të evidentuara në rastet e dhunës në famlje, proceset gjyqësore dhe në ndihmën ligjore që ju ofrohet falas viktimave të dhunës. “Rezoluta për Parandalimin dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje është një thirrje në detyrë e qeverisë !

Shqipëria ka ligj kundër dhunës në familje dhe parandalimin e saj, por sot nuk ka ende të përcaktuara qartë funksionet në Ministrinë që duhet të koordinojë të gjithë mekanizimin e referimit të rasteve të dhunës. Me shpërbërjen e ministrisë është rrëzuar i gjithë mekanizmi institucional mbrojtës! Miliona euro dhe shumë vite eskpertizë të shkuara dëm. Fatkeqësisht në këtë kaos të qëllimshëm institucional, viktimat e dhunës janë të pambrojtura, kushdo qoftë statusi i tyre. Dhe dhunuesit janë riaktivizuar, sepse kanë modelet frymëzuese në Parlament dhe në Qeveri.”- theksova në takim.

Deputete të PD dhe LSI, përfaqësuese të Forumeve Politike të Grave, ish Kryetarja e Aleancës së Grave Deputete, njëzëri shprehën shqetësimin për mos respektimin e afateve të reagimit të përcaktuara në Rezolutë. Ata kërkuan funksionimin e Këshillit Kombëtar të Barazisë Gjinore për të vënë në lëvizje mekanizmat shtetërore.

Aktivistë të Shoqërisë Civile risollën në vëmëndje historitë e viktimave të dhunës të braktisura nga institucionet qeveritare në nivel qendror e vendor. Po ashtu ata shprehën shqetësim për rritjen e fenomenit të bullizmit dhe dhunës fizike në shkolla. Ata kërkuan që Ministria e Arsimit të tregojë vëmendjen e duhur për rolin e psikologëve në institucionet e arsimit parauniversitar. Përfaqësueset e Bashkive dhe Organizatave të Shoqërisë Civile, treguan sesi është shkatërruar Mekanizmi i Referimit të Rasteve të Dhunës në Familje. Ata ngritën shqetësimin për mungesën e buxheteve për të mundësuar ngritjen e strehëzave dhe Njësive të Pritjes së Viktimave të Dhunës. Aktivistët e mbrojtjes së viktimave të dhunës deklaruan në takim se në Drejtoritë e Policive nuk ka më zyrë për dhunën në familje dhe se punonjësit e komisariateve nuk janë të trajnuar për të trajtuar rastet e dhunës..

Për luftimin e dhunës në familje, pjesëmarrëset në takim theksuan rëndësinë e angazhimit në këtë lëvizje edhe të personazheve të jetës publike: artistëve, shkrimtarëve, akademikëve, biznesmenëve, gazetarëve, sportistëve, por edhe të mjekëve. Për të riaktivizuar Lëvizjen për të Drejtat e Grave u propozua hartimi i një kalendari aktivitetesh ndërgjegjësuese duke e shtrirë në të gjithë muajt e vitit, e jo vetëm në Ditën Ndërkombëtare të Grave. Në takimin konsultativ u theksua rëndësia e raportimeve profesionale në media për rastet dhunës dhe një strategji komunikimi, që do të angazhonte edhe vetë shoqërinë për të luftuar fenomenet e dhunës në familje. Përfaqësueset e Parlamentit u angazhuan të kërkojnë planin e veprimit të komisioneve dhe nënkomisioneve parlamentare që do të ndjekin zbatimin e Rezolutës Kundër Dhunës në Familje.

Referuar statistikave të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Grave, 1 në 3 gra në të gjithë botën deklarojnë se kanë përjetuar dhunë.

Në 2017-ën në Shqipëri 10 gra u vranë edhe pse nën urdhërat e mbrojtjes, shumë fëmijë mbetën jetimë dhe u rregjistruan mbi 300 raste dhune më shumë se në vitin 2016. Edhe 2018 ka hyrë me raste tronditëse të dhunës në familje.

Share: