Home KRYESORE Të bësh surf në kënetë! Nga Arian Galdini

Të bësh surf në kënetë! Nga Arian Galdini

Media shqiptare në përgjithësi është bërë si këto restorantet e luksit që po shtohen me shpejtësi, ku ata që kanë bërë shumë pasuri duke plaçkitur shqiptarët nëpërmjet detyrave e funksioneve publike, sajdisen drekave e darkave me njëri tjetrin, për tu ndjerë të veçuar, elitarë dhe ushtrues të jetës së mirë, teksa pinë verëra të shtrenjta, hanë ushqime të zgjedhura, vishen me porosi, e udhëtojnë me makina të hatashme.

Në këtë shoqëri kaq të varfër ku mbi 90% e shqiptarëve të thjeshtë jetojnë me apo pranë minimumit jetik, ku papunësia tek rinia është në nivele dramatike mbi 32%, ku 80% e azilkërkuesve tanë nëpër Europë êshtë nën 35 vjeç, ku 34 mijë të rinjë e të reja punojnë në Call Center, ku lindshmëria për vitin 2016 ishte 29% më e ulët sesa ajo në vitin e kaluar, ku është bërë normale që çdo vit mbi 200 mijë shqiptarë të thyejnë vijueshmërisht rekordin e aplikimeve për llotarinë amerikane, ku kanabisi është bërë zgjidhja e vetme dhe paradoksalisht ekonomia e vetme agrare e mundshme dhe fitimprurëse, qëi është vërtetë një ekonomi robëruese por që ushqen, ku importi i plehrave mbetet në ajër si alternativa e vetme e zhvillimit të turizmit nga Qeveria jonë, ku Mafia po mer nën kontroll sektorë e segmente të tëra të ekonomisë, financave dhe politikës sonë, e ku çdo gjë flet për dekadencë e mjerim ngado e për pjesën dërrmuese të shqiptarëve, këta që janë Master Shefat e Sistemit tonë politik rendin me galop për të dëftuar veçimin e tyre në pasuri e fuqi.

E kanë pothuajse strategjike. Duan të na e bëjnë të qartë neve shqiptarëve se kështu është jeta, kështu janë ndarë gjërat, këta që janë pasuruar duke na plaçkitur nëpërmjet funksioneve publike janë Zotërit dhe të fuqishmit, ndërsa ne të tjerët që jetojmë a zgjedhim të jetojmë ndershmërisht, jemi të mjerët e Hygosë që na duhet ta pranojmë e ndergjegjësohemi për pandryshueshmërinë e këtij realiteti.

Prandaj mediat i kanë kthyer nê restorante luksi me klientelë të perzgjedhur. Prandaj gazetarët dhe studiot televizive funksionojnë vetëm me listëporosi nga Master Shefat e politikës.

Prandaj lajm në Shqipêri bëjnê ata që paguajnë, e jo ata që veprojnë, krijojnë e ndërtojnë. Kjo është arsyeja pse kemi mbërritur në këtë pikë kur ti përfillesh dhe ekziston në mediat e restorantet e luksit vetëm, nëse je pjesê e klientelës apo e listëporosisë.

Kjo kënetë luksi ku këndojnë vetëm zhabat e pushteteve të politikës e parasë, ka qelbur shpirtërisht, mendërisht, kulturalisht dhe moralisht të gjithë shoqërinë shqiptare.

Kuakuaket e kënetës janë kaq mirë të kordinuara, sa secila ia di radhën, lojën, orarin, kërcimin, kutërbimin dhe tingullin tjetrës.

Në kënetë ka edhe vrasje, edhe orgji, edhe tradheti, edhe joshje, edhe batërdi, kështu që pse një udhëheqës politik i cilitdo krah qoftë bën heroin e një konspiracioni politik e të tjerë i konsiderojnë si çapkëlliqe me vlerë politike për partinë punët që ai ka bërë me plaçkitjen e shtetit dhe qytetarëve, kanabisin a malavitën, nuk është se ndryshon gjë.

Rritet dramaciteti në teatrin e kënetës sonë. Ndahen korret e kuakuakëve pro dhe kundër këtij apo atij politikani, nën moton: hajduti a batakçiu ynë është më i mirë se ai i palês tjetér, e në fund mbërrijmë në paradoksin kur Qeveria punon e gjitha vetëm për të prodhuar lajme, e lajmet interpretohen nga analistët të cilët paguhen nga pushtetet për të shkapërdredhur për publikun lajmet që krijon me shumicë Qeveria.

Dhe Edi Rama i quan mediat kazan sepse e di nga ç’ka dalë prej vitesh e ç’mbeturina paguan sot.

Mjafton tu hedhësh një sy televizioneve, gazetave e portaleve, të cilitdo krah e anësim e do të shohësh vetëm ditirambe ose mallkime për lajmet që prodhon Qeveria.

Mediat e majta vazhdojnë traditën e fletërrufeve kundër Opozitës e çdo zëri opozitar apo kritik ndaj Qeverisë..

Çmimi i heroit të mediave tona është po aq i lirë sa edhe janë lajmet që prodhon Qeveria.

Akte, vepra, aksione, gjeste e organizime mendimtarësh dhe veprimtarësh me vlera e mend në kokë, ndër vite dhe me vetëmohim, nuk gjejnë asnjë gërmë e asnjë hapësirë në mediat tona të majta e madje as në ato të djathta.

Paradoksi nuk qëndron tek mediat e majta, sepse pothuajse të gjithë e kanë pranuar tashmë se ato janë thellësisht e rreptësisht të komanduara nga Shtabi i Agjipropit të Rilindjes.

Paradoksi qëndron tek ata që kritikojnë e denoncojnë mediat e majta për çensurë e kontroll, pra tek mediat e djathta apo ato pranë të djathtës, prej të cilave ngase janë në Opozitë pritet e ndryshmja, e drejta, modeli i së mbarës…

Është kaq flagrante sa vetëm me një sy të lehtë mund ta dallosh kthjelltazi se edhe mediat e djathta kanë hapësirë vetëm për listëporosinë e Partisë dhe për të gjithë të majtët e të majmët që shajnë për arsye personale me çtë munden e si të munden Rilindjen.

Po të jesh komunist që shan Rilindjen, anipse arsyet e tua mund të jenë të pakthjellëtta je hero në mediat e djathta.

Po të jesh socialist që shan Rilindjen, për arsye banale a të pista, je hero në mediat e djathta.

Po të jesh Rilindjeist i penduar a zhgënjyer, për punë pazaresh e plaçke, je hero në mediat e djathta.

Po të jesh politikan a aktivist që di mirë të paguash faturat aty ku duhet, aq sa duhet, ashtu si duhet, edhe pse je batakçi, je hero në mediat e djathta.

Po të jesh aktivist civil që punon për të majtën, e që je porositur nga e majta të protestosh kundër sê majtës për ti shërbyer axhendës së të majtês, je hero në mediat e djathta.

Nga mediat e majta e të dirigjuara nga Fuga, as që pres e as pretendoj vërtetësi apo misionarizëm në kërkim të të vërtetave dhe nê promovim të vlerave.

Por më duket krejt e pagjindshme, që edhe mediat e djathta apo opozitare apo kundër a kritike me Qeverinë, të bëjnë lajm dikë, një mendim, veprim, akt a organizim jashtë listëporosisë, klientelës me pagesë apo jashtë listës së rilindjesharësve të majtë.

Që mediat, të gjitha mediat në Shqipëri, të bëjnë lajme me vlerat, apo të kërkojnë e mbrojnë të vërtetat, pa porosi, pa pagesë, duhet të ndodhë që hëna të bëhet vezë e fërguar dhe dielli të bëhet domate zemërkau.

Po të vëzhgosh mediat e majta apo të fugëta, e shquan lehtë sa rëndë janë, përtej ambalazhit teknologjik.

Ato nuk janë të hapura fare për askënd jashtë porosive e pagesës. Mediat e majta edhe ‘sharësit e së djathtës’ i projektojnë e ua shkruajnë vetë skenarin dhe fjalët.

Në këtë kënete nuk ka më asnjë çudi.

Skandalet ndodhin brenda lejes.
Dallgë nuk ka. Çfarëdo që të ndodhë, sado i madh a i vogël qoftë skandali, Master Shefat e politikës e dinë që as valëzime nuk do të ketë.

Edhe nëse këneta ndahet në mes, edhe nëse këneta ndryshon balancën e korreve, edhe nëse bie njëra aleancë me krimin e ngrihet një tjetër, këneta vijon të kutërbojë sepse nuk ka më as burim, as shi, e as dallgë tia trazojnë ujërat.

Së paku nga brenda vendit.

Se çfarë vjen nga Pakti i ri i Perëndimit, mbetet ende për tu pritur me shpresë e mirëbesim.

Për çka janë ekuilibrat, fuqitë dhe burimet vendore, parashikimi im është i trishtë. Dua të shoh por nuk po mund të shoh dot dritë në fund të tunelit.

Kushdo që vendos të bëjë beteja të ndershme, të dlira, të paporositura, të papaguara, të papërlyera, në këtë vend, si qytetar a si aktivist, si vetmitar a si i organizuar, bën mirë të jetë me vetëdijësimin e plotë se gjithçka do të bëjë nuk do të ekzistojë për kënetën.

Këneta nuk na do, nuk na përfill, nuk na sheh, nuk na dëgjon, e as ia ndjen fare për neve qytetarët e veprimtarët e lirë.
Këneta i urren burimet. Këneta e urren shiun dhe lëvizjen.

Ne nuk kemi asnjë zgjidhje tjetër përveçse të ikim fare nga ky vend e kjo kënetë, ose të vazhdojmë betejën të palodhur nga shpërfillja e kutërbimi i kënetës.

Ikja jonë, do ta bëjë kënetën edhe më të thellë këtu.
Lufta jonë, kërkon që ne të mos mendojmë se përleshjen me kënetën do të mund ta bëjmë jashtë kënetës. Nuk mund të ndodhë.

Lufta jonë, kërkon që të jemi aq të duruar, aq kreativë e aq virtuozë sa të hyjmë pa ngurrim e të bëjmë surf në kënetë. Pikërisht aty ku nuk ka dallgë e ku askush nuk e imagjinon, tia dalësh të bësh surf.

Kjo është e vetmja zgjidhje. Surf në kënetë. Tjetër zgjidhje nuk ka.

Share: