Një terrorist i “Al Qaeda”-s, dikur i torturuar, duket se po përjeton çastet më të mira të jetës së tij, edhe pse i është privuar liria.
Ai jeton si të ishte një mbret në burgun e Guantanamos, në Kubë, teksa konsumon biskota me shije luleshtrydheje, darka me mish lepuri dhe në televizor sheh episodet e fundit të “sit com”-it “Arrested Development”.
Ahmed al Darbi, 42 vjeç, i cili ka pranuar ndihmën e tij për një sulm ndaj një çisterne nafte pranë Jemenit në vitin 2002, shijoi vaktin e ëmbël pasi spiunoi terroristët e tjerë, raporton “Miami Herald”. Ai pritet gjithashtu të dëshmojë përpara prokurorëve gjatë dy çështjeve gjyqësore që priten të zhvillohen.
Si shpërblim, ai i kalon ditët e tij duke u rehatuar në një qeli në formë shtëpie, ku mund të kujdeset për kopshtin, të pikturojë dhe të ushtrohet fizikisht, sipas dëshmisë që është siguruar nga e përditshmja amerikane. Veç këtyre, ai shijon edhe ëmbëlsira të tjera si bakllavaja, apo byrek me arra.
Mes gatimeve që spikasin janë edhe ato të përpunuara, si ushqime vegjetariane, karkaleca, lepuj dhe pula, por ka luksin të porosisë edhe produkte të tjera kulinarie me erëza të shumta.
Plot 4 vite më parë, Darbi pranoi fajësinë se ishte bashkëpunëtor në sulmin e “Al Qaeda”-s në vitin 2002 ndaj çisternës franceze të naftës në ujërat e Jemenit. Kunati i tij, Khalid al-Mihdhar është autor i rrëmbimit të një prej avionëve të sulmit të 11 shtatorit në SHBA, atij që fluturoi mbi Pentagon.
Por, vitin e kaluar ai dha një dëshmi që mund të përdoret si provë kundër të konsideruarit “truri” i sulmit ndaj çisternës, Abd al-Rahim al-Nashiri. Mes dëshmive të tij, ai ka rrëfyer edhe jetën e tij si xhihadist i “Al Qaeda”-s. Që kur pranoi fajësinë, Darbit i lejohet një laptop personal dhe i janë dhënë edhe disa DVD për të ndjekur “sit com”-in amerikan, “Arrested Development”, ku protagonistë janë Portia de Rossi dhe Jason Bateman, që transmetohet nga platforma “online” “Netflix”./Top Channel