Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Ushqim apo lëmoshë…? Shteti përballë biznesit.

Ushqim apo lëmoshë…? Shteti përballë biznesit.

Nga Dr. Sorina Koti
Drejtore Ekzekutive, Economic Intelligence Center

27 vjet rënie komunizmi dhe Shqipëria ende nuk e ka gjetur rrugën e saj të demokracisë dhe lirisë së tregut. Shqipëria ende ka mbi kokë mentalitetin e qeverisjes diktatoriale, ku imponimi dhe sundimi janë kryefjala e qeverisjes.

Pas kaq shumë reformash të nisura, të konsultuara dhe pak nga ato të përfunduara, biznesi shqiptar nuk po gjen dot frymëmarrje për t’u rritur, për të investuar, për të punësuar më shumë njerëz, për t’i dhënë ekonomisë shqiptare një nxitje për të lëvizur pozitivisht.

A e kuptojnë qeveritarët shqiptarë se çdo të thotë treg i lirë dhe frymëmarrje për biznesin? Do e dyshoja fort përgjigjen e tyre, kur në gjithë këto vite, sektori prodhues dhe furnizues i ekonomisë sa vjen e rrudhet. Çdo vit përballemi me krizën e të bërit biznes në Shqipëri, me pamundësinë për të paguar gjithë detyrimet fiskale, me pamundësinë për të punësuar njerëz të rinj, me pamundësinë për të rritur aktivitetin tonë, me pamundësinë për të parashikuar se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Gjithë ky ngërç, mungesë e stimujve fiskalë si dhe mungesë informacioni, po e çon ekonominë shqiptare drejt një izolimi të ri, ku me keqardhje do konstatoja se jemi drejt një kolapsi të vetëdijshëm.

Sikur të mos mjaftonte gjithë barra fiskale, që duhet të paguajë biznesi shqiptar (gjithmonë duke marrë parasysh uljen e kërkesës për mallra, rënien e prodhimit dhe konsumit, rënien e fitimit dhe zvogëlimi i numrit të punëtorëve), qeveria ka ndërmarrë një nismë ku do detyrojë bizneset të paguajnë një vakt ushqimor prej 350-500 lek/vakti si dhe vend-strehim për punonjësit, të cilët janë larg vendbanimit të tyre.

Kjo është një nismë dhe premtim jashtëzakonisht shumë populist, i cili është mirëpritur nga punonjësit e kompanive. Por, a është llogaritur kostoja, që i shtohet biznesit? A do të kompensohet nga shteti kjo kosto e re?

Shteti përsëri ka vendosur të rëndojë biznesin, për të shmangur detyrimet e veta. Kjo nismë mund të funksionojë në shumë vende të zhvilluara ekonomikisht, ku punëtorët kanë brenda orarit të punës edhe një vakt ushqimi nga kompania, por kurrsesi nuk mund të funksionojë në Shqipëri, ku shteti vetë nuk e ka pranuar nëse do bëhet edhe ai pjesë e kësaj skeme për punonjësit e administratës. Realiteti në Shqipëri është i hidhur, pasi shteti vetë abuzon me nënpunësit civilë, duke i kërkuar biznesit të mbajë gjithë kostot e dështimit të tij.

Realiteti na tregon se nënpunësit civilë nuk paguhen për gjithë shërbimin, që kryejnë ndaj shtetit (ka edhe raste abuzimi, ku nënpunësi paguhet edhe pa punuar asnjë ditë në shtet); nënpunësit nuk i paguhen dietat, nëse kanë shërbime jashtë Prefekturës së tyre; nëpunësit nuk i paguhet vakti ushqimor nga shteti; nënpunësit nuk i paguhet vend-strehimi nëse punon larg banesës së tij; nënpunësit nuk i paguhet shtesa në pagë, nëse punon jashtë orarit të punës etj.

Shteti ka dështuar për të përballuar krizën e njerëzve në nevojë dhe ndihmën ekonomike të familjeve, duke paguar 5600 lek/muaj për familje (skema e re për vitin 2018). Mesatarisht, një familjeje me 4 persona, në skemën e ndihmës ekonomike, i takon 186 lek/ditë (47 lek/person në ditë). Është e tmerrshme ta mendosh jetesën në këto kushte pagese, ku shteti tregon paaftësinë e tij për të nxjerrë popullin nga varfëria dhe kërkon nga biznesi, që të paguajë 10-fish më shumë për një vakt të vetëm.

Nëse shteti do kërkojë zbatim të kësaj nisme nga biznesi, atëherë ta fillojë nga vetja në fillim. Kur administrata shtetërore dhe familjet në nëvojë të marrin mbështetjen e duhur dhe të trajtohen me respekt e dinjitet, atëherë t’i imponohet biznesit, i cili supozohet se funksionon në një treg të lirë e të pavarur…

Share: