Home KRYESORE 613 kg kokainë e Olsi Ramës? Flet për herë të parë vëllai...

613 kg kokainë e Olsi Ramës? Flet për herë të parë vëllai i kryeministrit

Prej disa kohësh është në qendër të vëmendjes pasi akuzohet nga opozita si trafikant droge.

Bëhet fjalë për as më pak e as më shumë se vëllain e kryeministrit Edi Rama, Olsi Ramën, i cili tashmë është drejtor i Përgjithshëm i klubit të Partizanit.

Madje, ditët e fundit, Olsi Rama është akuzuar nga opozita edhe si porositës i 613 kg kokaine, sekuestruar pak ditë më parë në Maminas.

Lidhur me këto akuza, Rama, i ftuar në emisionin ‘Rubrika Sportive’ është shprehur se nuk ka lidhje fare me to, duke shtuar se ato janë gjëra që sajohen nga opozita.

“Për sa i përket akuzave të fundit, që më lidhin mua me kokainën, janë sajesa, unë nuk kam lidhje. Të gjithë ata që më njohin mua, e dinë që unë nuk kam lidhje me këto çështje. As me punë tenderash, asnjë lloj gjëje të ngjashme. Po këto janë gjëra që sajohen në këtë fshatin tonë”, u shpreh Olsi Rama.

Ai ka folur edhe për marrëdhënien që ka me kryeministrin e vendit, duke theksuar se nuk i ndërhyn në punët e tij, dhe as ai nuk përzihet në punët e Olsit.

“Marrëdhëniet me Edin? Unë se pyes atë për punët e tij, ai s’më pyet mua për punët e mia, në aspektin profesional nuk i hyjmë njëri-tjetrit në punë”, tha ai.

Një ndër personat që ka akuzuar më shumë Olsi Ramën, është edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili e ka vënë ata në krye të grupit të drogës së Xibrakës, laborator i zbuluar në Elbasan disa vite më parë.

Share: