Home KRYESORE Astrit Patozi sulmon Edi Ramen për korrupsion

Astrit Patozi sulmon Edi Ramen për korrupsion

Nga Astrit Patozi

Jemi te 20-tët nga fundi në botë për korrupsion, por ky lajm i zi duket se nuk përbën më ndonjë shqetësim në Shqipëri. Timonieri ynë vazhdon të mburret për sukseset e veta virtuale dhe çdo akuzë apo fakt e ka për kollaj ta konsiderojë si fjalë apo lloqe kazani. Megjithëse këtë radhë “sihariqi” vjen nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila për klasifikimin botëror të korrupsionit ka pajtuar Gallup-in, një ikonë e sondazheve në gjithë globin.

Sipas testimit, 9 në 10 shqiptarë mendojnë se qeveria e tyre është e kurruptuar dhe ky perceptim ka ardhur duke u përkeqësuar në 5 vjetët e kryeministrimit të Edi Ramës.

I bie që vetëm të stërmoshuarit, që ngrysin ditët e fundit pa dalë nga shtëpia, dhe foshnjet, që nuk kanë shkuar ende në kopësht, nuk e dinë që qeveria u fut përditë dorën në xhepat e tyre për t’i zhvatur.

Disa ditë më parë, Shqipëria kishte zbritur 8 shkallë në raportin vjetor të Transparency International, i cili mat indeksin botëror të korrupsionit, por edhe atëherë lajmi kaloi si pa u vënë re, a thua se bëhej fjalë për rënien e çmimit të patateve në Shishtavec.

Në fakt, ky është shpjegimi më i mirë i arsyes kryesore se përse njerëzit po largohen masivisht nga Shqipëria, pikërisht në ditën që Edi Rama, pa iu dridhur qerpiku, e konsideroi emigracionin e detyruar nga keqqeverisja e tij si një gjë pozitive për vendin.

Dhe kur të gjithë presin se çfarë do të thotë për këtë opozita, Lulzim Basha e ka ka gjetur zgjidhjen e kësaj gjendjeje të pashpresë tek ndryshimi i datës së përkujtimit të viktimave të komunizmit, që në finale zhvlerëson 20 shkurtin, ose më saktë ditën e rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës në Tiranë.

Të cilën, edhe pse më duket një gafë shumë serioze, dëshiroj ta marr pak me të qeshur.

Po mirë mor, Lulzim, nuk të mjafton që ndahemi me PS dhe LSI për datën e Çlirimit të Shqipërisë? Duhet që edhe brenda Partisë Demokratike të kemi patjetër dy data për të përkujtuar viktimat e komunizmit? Po socialistët njësoj e kanë çfarëdo propozimi që t’u çosh, se ata nuk kanë ndonjë ndjeshmëri për krimet e diktaturës dhe për simbolet tona.

Madje edhe po i bëre më shumë se dy data, të kënaqur më shumë do të jenë, sepse kjo e bën fare komik të gjithë debatin.
Problemi është të mos fyesh demokratët dhe te djathtët e tjerë për një çështje, që ka të bëjë me konstitucionin dhe historinë e tyre të vjetër dhe të re.

Por, mbi të gjitha, se duke bërë këtë lloj opozite, sa cinike, aq edhe qesharake, je duke u dhënë të shtyrën e fundit edhe atyre që e kanë ende me dy mendje për të braktisur ose jo përfundimisht Shqipërinë.

Share: