Home KRYESORE Britania paralajmëron reagim “të ashpër” ndaj Rusisë pas…

Britania paralajmëron reagim “të ashpër” ndaj Rusisë pas…

Britania ka paralajmëruar për një reagim “të ashpër” nëse vërtetohet se Rusia kishte urdhëruar atentatin ndaj një agjenti të dyfishtë rus. Sergei Skripal dhe vajza e tij u gjendën në shtëpinë e tyre në jug të Anglisë të dielën, me simptoma helmimi dhe vazhdojnë të jenë në spital në gjendje të rëndë dhe nën masat e sigurisë nga rojet e armatosura. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell nga Londra, ky rast duket i ngjashëm me vrasjen në vitin 2006 të Alexander Litvinenkos, një tjetër ish-agjent rus.

Sergei Skripal, një ish-agjent rus, ka qenë i arrestuar nën akuzat se i kishte dhënë sekrete shtetërore Britanisë. Gjatë gjyqit të tij në vitin 2006, ai pranoi se kishte dhënë informacion për spiunët rusë në Evropë në këmbim të 100 mijë dollarëve dhe u dënua me 13 vjet burg.

Por ai u lirua si pjesë e një këmbimi agjentësh me Shtetet e Bashkuara në vitin 2010 dhe u vendos në Britani.

Të dielën e kaluar, ai dhe e bija Yulia u gjendën pa ndjenja në një stol të një parku në qytetin Salisbury kur jetonin.

“Sytë e saj ishin fare të zbardhur, të mëdhenj dhe nga goja po i dilte shkumë. Pastaj burri u ngurtësua: krahët nuk po i lëviznin më dhe shihte drejt”, tha Jamie Paine, dëshmitare e ngjarjes.

Hetimi po kryhet tani nga policia kundër terrorit që nuk po lejon njeri të shkelë në vendet që besohet se kanë vizituar Skripal dhe vajza e tij.

Sipas njoftimeve, hetuesit mendohet se po analizojnë xhirimet e kamerave të sigurisë që duket se tregojnë një burrë dhe një grua pranë vendit të ngjarjes.

Qeveria britanike thotë se nuk po e paragjykon ngjarjen por me rritjen e dyshimeve për përfshirje ruse, Sekretari i jashtëm Boris Johnson bëri një paralajmërim.

“Nëse dalin prova që tregojnë përgjegjësi shtetërore, atëherë qeveria jonë do të reagojë me masat e duhura dhe me forcë”.

Rasti ka ngjashmëri me vrasjen e ish-spiunit Alexander Litvinenko në vitin 2006, që u helmua kur piu çaj të përzier me polonium radioaktiv, pasi takoi agjentë ruse në një restorant londinez. Një hetim britanik arriti në përfundimin se presidenti rus, Vladimir Putin kishte gjasa të kishte urdhëruar vrasjen e tij. Ja ç’thotë analisti Andrew Foxall.

“Në një farë kuptimi, i vetmi akt që konsolidoi bindjen në Perëndim se Rusia e Putinit ishte ose është një shtet i papërgjegjshëm, ishte vrasja e Alexander Litvinenkos në vitin 2006″.

Zoti Foxall i shoqatës “Henry Jackson” thotë se Britania do të koordinonte sanksionet diplomatike të mundshme me aleatët në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Por nga ana tjetër ka edhe ndikim individual.

“Pasi Putini ka investuar në Londër për shumë nga besnikët e vet, që kanë shtëpi atje, gratë dhe partnerët e të cilëve janë të vendosura atje, fëmijët e të cilëve ndjekin studimet atje. Pra Britania mund të marrë masa vetë që do t’i dërgonin mesazhin e duhur Presidentit Putin”.

Rusia ka mohuar përfshirjen dhe thotë se do të bashkëpunojë me hetimin.

Autoritetet po përpiqen urgjentisht të përcaktojnë se çfarë lënde ishte përdorur për sulmin./360grade.al

Share: