Udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë dalë me një deklaratë të përbashkët mesditën e së enjtes pas sulmit me armë kimike në Britani. Bëhet fjalë për agjentin nervor ndaj një ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia. Britania dëboi 23 diplomatë rusë një ditë më parë, pasi Kremlini dështoi të jepte llogari sesi një agjent nervor i prodhuar në Rusi ishte përdorur ndaj tij në Salisbury. Sakaq, Moska përmes ministrit të Jashtëm ka deklaruar se do të hakmerret.
Ndërsa në deklaratën e përbashkët të superfuqive perëndimore thuhet: “Ne, krerët e Francës, Gjermanisë, SHBA-ve dhe Mbretërisë së Bashkuar, shprehim neverinë për sulmin e ndërmarrë ndaj Sergei e Yulia Skripal në Salisbury të Britanisë më 4 mars. Përdorimi i këtij agjenti nervor ushtarak, i prodhimit rus, përbën përdorimin për herë të parë të një agjenti kimik në Europë që prej Luftës së Dytë Botërore. Ky është një sulm ndaj sovranitetit të Britanisë së Madhe dhe përdorimi i një agjenti të tillë nga një shtet përbën një shkelje të qartë të Konventës së Armëve Kimike, si dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar. Ky veprim kërcënon sigurinë për të gjithë”.
Ata i kërkuan Rusisë të japë të dhënat e plota të programit për agjentin nervor “Novichok” në favor të Organizatës për Parandalimin e Armëve Kimike (OPCW).
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov sakaq lajmëroi sot se do të dëbohen diplomatët britanik. Sipas tij, qasja e Britanisë së Madhe është nxitur pjesërisht për shkak të problemeve të qeverisë me Brexit-in. Nga ana tjetër, ai tha se Moska nuk do të qendrojë e heshtur por do të hakmerret.
Ish-spiuni rus, Sergei Skripal, dhe vajza e tij Yulia mbeten u helmuan në një qendër tregtare javën e kaluar dhe janë në gjendje të rëndë për jeten./opinion.al