Edhe pse shpesh është folur për blerjen e zgjedhjeve apo akoma më shumë “gjobat” që paguajnë kandidatët për deputet apo kryetar bashkie dhe deri tani, nuk i kishim dëgjuar me terma konkret sa janë pazaret.
Ne fakt, duket se bëhet fjalë për shuma që shkojnë deri në gjysmë milionë euro! Ose te pakten keshtu eshte sipas Koço Kokëdhima. Kokëdhima ka qenë jo vetëm deputet i PS, por edhe një nga njerëzit e afërt të Kryeministrit.
Në një status në facebook Kokedhima shkruan:
Paratë e kryetarëve të partive të vjetra janë para droge e kriminelësh. Ja pse shumë kriminelë i shohim në parlament, disa të tjerë fitojnë tenderat e qeverisë dhe të tjetë akoma emërojnë drejtorët e shtetit. Drejtorët mbledhin para gjatë ditës duke grabitur popullin, në mbrëmje i ndajnë me kryetarët e partive dhe padronët e tyre kriminelë. Për të punuar me fondet publike e përfituar koncensione duhet të paguash kryetarët e partive të vjetra me shuma marramendëse e pjesë të biznesit që shkojnë nga 20 deri në 50 për qind të kontratës apo të kapitalit.
Për të vënë kandidaturën për deputet në partitë e vjetra duhet të paguash kryetarët, sekserët dhe ortakët e tyre që mund të jenë sekretarë të përgjithshëm, nënkryetarë, kryetarë grupi, ministra apo ish-ministra etj, me shuma nga 200 deri në 300 mijë euro.
Dëshiron të vësh kandidaturën për kryetar bashkie? Duhet të paguash si më sipër kryetarët e partive të vjetra nga 200 mijë deri në 500 mijë euro. Bashkia e Tiranës ka situatë tjetër. Fondet që mblidhen ilegalisht dhe nëpër xhepa nga kryetarët e partive të vjetra dhe kandidatët për kryetar bashkie në Tiranë shkojnë në mbi 30 milionë euro. Fiton apo i humbet zgjedhjet partia, kryetarët fitojnë gjithmonë miliarda lekë.
Partitë e vjetra dhe kryetarët e tyre janë sot kështjella të krimit dhe të mafies. Në këto 25 vite shkatërruan zgjedhjet dhe liritë politike, lirinë e tregut dhe të konkurencës, i dhanë fund sundimit të ligjit dhe ndarjes së pushteteve, grumbulluan të gjitha pushtetet në duart e konjukturës së kryetarëve të dy-tri partive të vjetra, rrëzuan republikën që ëndërronin qytetarët dhe vendosën sundimin shtypës të tiranisë së krimit dhe të korrupsionit; mbyllën çdo hapësirë për partitë e reja dhe përtëritjen e elitës politike në rrugë paqësore; komisionerët e numëruesit e tyre, së bashku me institucionet e shtetit vjedhin, blejnë, manipulojnë dhe deformojnë votën e popullit. Sundimtarët e rinj vetëm grabisin çdo ditë pa mëshirë popullin dhe pasuritë e tij, rrisin borxhin publik dhe taksat në një vend që nuk ka prodhim, ekonomi reale dhe eksporte.