Humbja 6-0 përballë Bajern Mynih, nuk është ngjarja më e rëndë që i ka ndodhur Hamburg këto ditë. Problemi kryesor i skuadrës nuk është se po bie në Bundesligën 2, por sepse i janë kundërvënë tifozët, të cilët kanë mbërritur deri aty sa kanë kërcënuar lojtarët me vdekje, duke u bërë gati edhe varret.
Në natën e të shtunës, para “Hamburg Volksparkstadion” janë vendosur nga persona të panjohur disa kryqe varrezash, mbi të cilat ishte hapur një parullë. “Koha juaj mbaroi! Do ju kapim të gjithëve”, ishte kërcënimi i tifozëve ndaj lojtarëve të Hamburgut.
Policia gjermane ka filluar kërkimet për të zbuluar se kush ka bërë një gjest tillë kaq të shëmtuar, i cili nuk është i pari i këtij lloji ndaj Mavrajt dhe shokëve të tij të skuadrës. Më datë 17 shkurt, tifozët shpalosën një parullë ku shkruhej “Para se ora të ndalet, ne do t’ju ndjekim në të gjithë qytetin”. Mesazhi që i referohej orës së famshme në stadium që tregon vitet që nga krijimi i Bundesligës, periudhë gjatë së cilës Hamburgu nuk ka rënë asnjëherë nga kategoria./360grade.al