Forumin i Tiranës për Lirinë Ekonomike, organizuar nga Instituti Europian Pashko është mbledhur këto ditë për të diskutuar çështjen e derregullimit të tregut. Që të diskutosh çështjen e derregullimit të tregut duhet që të ekzisojnë të paktën dy kushte. I pari: Të jetë tregu. I dyti: Tregu duhet të jetë shumë i rregulluar.
Ekonomia e tregut është një ide sipas së cilës produktet dhe shërbimet duhet që të tregtohen lirisht midis agjentëve ekonomikë, individëve, familjeve, bizneseve, qeverive dhe edhe midis vendeve, me sa më pak kufizime dhe regullime që të jetë e mundur. Pak a shumë, në asnjë vend të botës nuk ka ekonomi tregu totale, 100%, dhe në çdo vend ka një grup kompleks taksash që kufizojnë në një mënyrë apo një tjetër rrjedhjen e lirë të produkteve dhe shërbimeve nga prodhuesit te konsumatorët përfundimtarë.
Për ekonominë e tregut ka pak a shumë dy pikëpamje kryesore. Disa mendojnë se ajo e bën këdo të pasur dhe nxit zhvillimin e vendeve të varfra dhe disa të tjerë mendojnë se ajo rrit pabarazinë dhe u jep shumë fuqi korporatave.
Ata që mbështesin ekonominë e tregut në thelb mbështesin idenë e avantazheve (absolute, konkurruee dhe krahasuese) si midis individëve e bizneseve, ashtu edhe midis vendeve dhe kombeve. Pra, çdokush është i mirë në realizimin e disa produkteve dhe shërbimeve, të cilat i këmben me produkte dhe shërbime që të tjerët i realizojnë më mirë. Kjo sjell specializimin e prodhimit.
Por praktika ka treguar se edhe pse në përgjithësi në botë ka më shumë mirëqenie, përsëri pjesa e luanit ka shkuar te më të pasurit. Në vendet e pasura kjo ka sjellë frikën e shpërnguljes së investimeve dhe vendeve të punës në vëndet më të varfra dhe në vendet më të varfra është shtuar frika se korporatat kanë marrë dhe vazhdojnë të marrin nën kontroll jetën politike, ekonomike dhe sociale në këto vende.
Gjithashtu ka edhe një rrezik që vendet e varfra nëse specializohen, mbeten për një kohë të gjatë “të bllokuar” në specializimin e tyre të ngushtë pa patur shanse për zgjerim të mëtejshëm të veprimtarive prodhuese e investuese, duke zogëluar ritmet e rritjes ekonomike. Për këtë shkak, në këto vende është e nevojshme që të ketë një farë proteksionimi për ata sektorë që nuk mund të zhvillohen sepse specializimi është i pakët ose mungon.
Sa më lart, është shumë e rëndësishme që të kemi kujdes detajet. Për shembull, ndryshe duhet të sillen me njëri tjetrin vendet që kanë produkte dhe shërbime të ngjashme (ekonomi të ngjashme) dhe ndryshe vendet që kanë natyrë të ndryshme të ekonomisë së tyre.
Ekonomia e tregut të lirë është një ekonomi ku qeveritë nuk i kufizojnë importet apo eksportet, është një ekonomi ku të tërë kanë mundësinë të operojnë në treg dhe ku çmimet përcaktohen nga kërkesa dhe oferta. Për interesa kombëtare qeveritë përcaktojnë dhe aplikojnë masa proteksioniste, kryesisht për të mbrojtur industritë vendase, për të nxitur një a disa sektorë që janë premtues, për të mbajtur të lartë rritjen ekonomike, për të mbajtur ritme të larta punësimi, etj.
Politikat e ekonomisë së tregut dhe të lirisë së tij kanë të bëjnë me:
Tregtimin e produkteve dhe shërbimeve pa taksa apo barierra tregtare.
Mungesën e politikave dëmtuese që u japin disa firmave apo faktorëve të prodhimit avantazhe mbi agjentët e tjerë ekonomikë.
Mungesë të pengesave për akses në treg.
Mungesë të pengesave për akses në informacionin tregtar.
Mungesë të ndikimit të agjentëve ekonomikë në vendimet qeveritare për të shkuar drejt monopoleve dhe ose oligopoleve.
Marrëveshje tregtare që inkuraojnë ekonominë e tregut të lire.
Etj.
Duke cituar N. Gregory Mankiw, profesor në Universitetin e Harwardit, “pak pikëpamje kanë patur aq shumë konsensus midis ekonomistëve profesionistë se sa pikëpamja se hapja e ekonomisë sjell rritje ekonomike dhe përmirësim të standardeve të jtesës.”
Historia e eonomisë botërore e ka vërtetuar mjaft mirë këtë por rasti i Shqipërisë është krejt ndryshe.
Shqipëria është një regjim hibrid. Pra, nuk është vend demokratik. Në Shqipëri ekonomia nuk ka asgjë të përbashkët me ekonominë e tregut. Gjysma ekonomisë shqiptare është ekonomi ilegale. Ekonomia shqiptare nuk prodhon asnjë mall industrial. Peshën kryesore të prodhimit të kësaj ekonomie e kanë industritë tekstile dhe të prodhimit të këpucëve, që janë veprimtari me mall porositësi, që nuk sjellin asnjë kacidhe në buxhetin e shtetit. Rritja ekonomike e Shqipërisë është një pikëpyetje e madhe, sepse jeta e qytetarëve nuk vërteton ndonjë përmirësim të dukshëm dhe se shifrat janë thjesht disa llogaritje që bëhen në zyrat e institucioneve publike dhe nuk ka asnjë metodologji për nxjerrjen e këtyre shifrave. Tregjet kontrollohen nga pak duar dhe në vend nuk ka asnjë kompani serioze nga 500 kompanitë më të mëdha në botë të listuara në Forbes. Shqipëria renditet përherë e më poshtë në indekset eonomike botërore si në bërjen e biznesit, investimet e huaja, lirinë ekonomike, etj si këto.
Personalisht mendoj se çështja duhet parë më thellë. Ne duhet të bëjmë pyetjen:
A mund të jetë ekonomia shqiptare ekonomi tregu?
Unë them JO. Unë mbroj me forcë tezën se Shqipëria nuk ka patur kurrë në këto 27 vite ekonomi tregu. Shqiptarët ende nuk e dinë se ç’farë është kapitalizmi dhe ekonomia e tregut Ata as që e kanë idenë e tregtisë së lirë. Ata as që e kanë idenë se ç’farë janë standardet. Ata janë thjesht një turmë injorantësh kur bëhet fjalë për parimet e ekonomisë. Ekonomia shqiptare është një ekonomi që ka mbijetuar për dy arsye: instikti i fortë i mbijetesës së atyre që merren kryesisht me tregti të vogël (1) dhe meqë shumica e popullsisë ka banuar në fshat (2), ku shumica e njerëzve e kanë mundësinë që të mbushin barkun me bukë, ullinj e gjizë.
Sektorët e edukimit, shëndetsisë, kulturës, sportit, etj si këto, që formësojnë forcat e punës, janë të pazhvilluar dhe në minorancë në buxhetin e shtetit. Skema e sigurimeve shoqërore dhe shëndetsore është e falimentuar. Burimet natyrore janë në shkatërrim. Pra, çdo gjë jashtë logjikës, kur në fakt në kushtet e ekonomisë së tregut dominant është njeriu ekonomik, Homo economicus.
Pra, duket sheshit se në Shqipëri njeriu ekonomik nuk ekziston dhe se vendimet në ekonominë shqiptare nuk merren nga njerëz të lirë, që kanë fuqinë e të qenit të barabartë, që të mos ndikojnë me fuqinë e tyre në fatin dhe jetën e të tjerëve. Ky është edhe thelbi i ekonomisë së tregut, që askush të mos jetë i gjithëfuqishëm.
Mesa duket, qenka e kundërta. Në Shqipëri shumica qenkan skllevër. Ata punojnë tërë ditën e ditës për një fitim minimal, sa për të mbajtur frymën gjallë dhe vetëm një pjesë e vogël e popullsisë, janë në gjendje të kontrollojnë jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore e sportive në vend. Këta, duke dashur që të kontrollojnë çdo gjë që ndodh në vend, kanë krijuar një ekonomi ku rregullat i vendosin vetë dhe që asgjë nuk mund të bëhet pa dëshirën e tyre.
Kjo duket nga mënyra se si krijohet dhe si shpërndahet buxheti i shtetit në zëra e tij, si merren vendimet për investimet në infrastrukturë, si përcaktohen kompanitë e partneritetit publik privat, cilët do marrin asistencë, cilët do punojnë në sektorin publik, sa herë në vit do ndryshojnë taksat, tatimet e doganat, etj si këto.
Personalisht mendoj se ekonomia shqiptare e ditëve të sotme është thjesht një zgjatim i ekonomisë së centralizuar, të shekullut të kaluar, që deri tani ka mbijetuar nëpërmjet procesit të privatizimit, proces që shkatërroi edhe atë pjesë të ekonomisë shqiptare që mund të gjeneronte të ardhura dhe që mund të ristrukturohej, ekonomi e cila u copëtua në pjesë që u ra në dorë personave të padenjë, jo largpamës dhe pa vizion.
Në këto kushte nuk mund të bëhet fjalë për derregullim, sepse nuk ka ekonomi tregu, që paska shkuar në rregullim ekstrem dhe për këtë shkak duhet të derregullohet. Shqipëria është në prag të kaosit dhe anarkisë. Ekonomia shqiptare nuk ka një bosht, nuk ka një motorr, dhe më keq akoma nuk ka as ndonjë timonier apo shofer.
Pra, mendoj se duhet të bëhet një pastrim i tregut dhe jo derregullim i tij. Pastrim i tregut të politikës shqiptare. Pastrim i administratës publike. Pastrim i ekonomisë nga ilegaliteti. Pastrim i bizneseve. Pastrim i sektorëve të shëndetsisë, edukimit, etj, nga operatorë të papërgjegjshëm. Pastrim i akademizmës nga degjenerimi ideor. Etj. Vetëm pas këtij pastrimi dhe fillimit të ndërtimit të ekonomisë së tregut, mund të fillojmë flasim për derregullimin e tregjeve.