Home KRYESORE Ndihmës/Sekretari i SHBA: Të zgjidhet demarkacioni! Ushtrisë askush s’i vendos dot veto

Ndihmës/Sekretari i SHBA: Të zgjidhet demarkacioni! Ushtrisë askush s’i vendos dot veto

Një ditë përpara asaj që po lakohet në vazhden e disa takimeve të dështuara, si data e mbajtjes së seancës së demarkacionit, Kosovën e vizitoi ndihmës/Sekretari Amerikan i Shtetit për Europen dhe Euro-Azinë, Wess Mitchell.

Pikërisht çështja e kufirit me Malin e Zi ishte dhe tema qëndrore e konferencës së tij të përbashkët për shtyp me Presidentin Hashim Thaçi. Kosova, tha zyrtari i lartë amerikan, ka shënuar progres në mjaft fusha, por mbetet ende për të bërë.

“Kosova shënoi 10-vjetorin e saj si shtet dhe në këtë drejtim ka bërë shumë, duke treguar arritje të mëdha në ekonomi. Por, ajo duhet të ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të siguruar rrugën drejt integrimit europian dhe duhet të zgjidhë çështjen e kufirit me Malin e Zi. Vetëm Kosova mund ta zgjedhë të ardhmen e saj”, tha ai.

Presidenti Thaçi theksoi se askush nuk ka arsye që ta vonojë çështjen e demarkacionit. Mitchel shpjegoi se nuk ndodhet në Prishtinë për të shpalosur ndonjë plan të veçantë, apo një pako të re për Kosovën, siç raportonin mediat serbe, por për të ofruar përkrahjen amerikane në rrugën e Kosovës dhe Serbisë drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe avancimit të tyre drejt BE-së. Të njëjtin mesazh, ai do ta çojë edhe në Beograd.

Në takimin me Thaçin, diplomati i lartë amerikan përcolli gjithashtu një mesazh të fortë për ushtrinë, duke theksuar se askush s’mund t’i vendosë veto transformimit të saj.

Mitchell e nisi nga Prishtina turneun që do ta çojë në Shkup, Beograd, Athinë dhe Nikosi, e që zgjat deri më 17 mars. Ndërkohë, senatori demokrat amerikan, Chris Murphy ndodhet në Maqedoni, ku të dielën në mbrëmje u prit nga Kryeministri Zoran Zaev.

Murphy, anëtar i Nënkomisionit për Marrëdhënie me Europën dhe Bashkëpunimin e Sigurisë Rajonale, e bëri të qartë përpara nisjes se do të diskutojë gjatë kësaj ndalesë shqetësimet mbi diskriminimin e shqiptarëve.

Share: