Home KRYESORE Pemët nuk rriten nëse nuk i rreh furtuna! Nga Kico Londo

Pemët nuk rriten nëse nuk i rreh furtuna! Nga Kico Londo

Nuk e di pse kjo shprehje e Niçes më vjen ndër mend në këtë fillim pranvere. Në këtë muaj të dashur, i cili më bën nostalgjik e më kthen dhjetë vite më parë, ku fati më çoi në atë ndërtesë të shenjtë, dikur me emrin “Varjete e Tiranës”. Në atë ambient artistik, unë kisha përjetuar çaste të paharruara si student. Ishte ajo kohë kur një shfaqje e “Varietesë së Tiranës” eklipsonte çdo ngjarje tjetër kulturore në kryeqytet.

Por, kjo kishte kohë që nuk ndodhte më e megjithatë, në atë ndërtesë të rrënuar, vazhdonin të rezononin tingujt e zërit të Vaçe Zelës, Pavlina Nikës, Anita Takes, Ema Qazimit, Liljana Kondakçiut, Irma Libohovës, Luan Zhegut, Kozma Dushit, etj., humori brilant i Ramazan Zyberit, Skënder Sallakut, Vasillaq Vangjelit, Agim Bajkos, Xhevahir Zenelit, Marjana Kondit, Vegim Xhanit, Kosta Kamberit, etj. Nuk jam në gjendje ta shpreh me fjalë se sa shumë më magjepste ai ambient, sa shumë më frymëzonte dhe një fuqi e mistershme më tundonte të luftoja për ta shpëtuar këtë godinë e për të themeluar Teatrin e Metropolit që sot mbush 10 vjet.

Por, ky nuk është një triumf personal, është një përpjekje e vazhdueshme e një brezi aktorësh të edukuar për të çmuar vlerat dhe për mos ti harruar ato. Ky teatër i ri ngjalli te të rinjtë një ambicie të lartë. Të gjithë filluan të zbulonin te vetja një talent, një ëndërr dhe krijuan kështu gjeneratën e re të artistëve të apasionuar pas teatrit. E kjo teatër-mani u kthye në epidemi.

Por jemi larg detyrës së përbashkët aktorë- spektatorë për ta bërë teatrin një nevojë jetike për shoqërinë. E kur t’ia arrijmë këtij qëllimi final, mund të themi pa frikë se Shqipëria po ndryshon. Kemi ecur përpara, jemi bërë njerëz më të mirë. E kjo sfidë e madhe kërkon sakrifica në kohët e vështira që po jetojmë. Dhe në këtë “furtunë” pranvere, ku historia e teatrit mban frymën, më vjen ndër mënd shprehja: “Për çdo hap në dritë, paguhet taksa e hijes dhe për çdo hap në errësirë, paguhet gjithë mungesa e dritës”.

Share: