Home Gjeo-Ekonomia Pritshmëria e biznesit të vogël kundrejt TVSH-se. Ja ku “fle lepuri”.

Pritshmëria e biznesit të vogël kundrejt TVSH-se. Ja ku “fle lepuri”.

Nga Kasem Seferi*

Në mbarë botën, deri vonë, 80 për qind e të ardhurave tatimore nga TVSH – ja, e kanë paguar 4 për qind e totalit të tatimpaguesve, gjë që, si domosdoshmëri, ka kërkuar gjetjen e mënyrës më të mirë për t’u “marrë me “rebelët” e sistemit të biznesit të vogël, veçanërisht, në vende të tilla me ekonomi të fragmetuar, sektor informal të konsiderueshëm, kulturë tatimore pa ndonjë trashëgimi dhe me marrëdhënie të ndërsjella mosbesimi ndërmjet administratës tatimore dhe tatimpaguesve.

Natyrisht, gjetja e mënyrës më të mirë është një proçes i vazhdueshëm në vendim – marrje, i shoqëruar nga çështje të tilla të rëndësishme si: “Ku duhet të vendoset pragu tatimor për TVSH”; thjeshtimi i proçedurave të regjistrimit të tatimpaguesve të vegjël për qëllime të TVSH – së; dhe mënyrat për t’u siguruar se ata që do të trajtohen si biznese të vogla, vërtetë, duhet ët jenë të tillë.

Është argumentuar se vendosja e TVSH – së mbi sektorin formal, në prani të një sektori thelbësor informal, pengon rritjen ekonomike dhe zhvillimin e ekonomisë së një vendi si tërësi, për arsy se rritja e tatimeve (indirekte) të konsumit forcon zgjerimin e ekonomisë informale, sidomos në qoftë se intensiteti punës për prodhim në atë sektor është më i madh se në sektorin formal.

Duke i dhënë vendin e merituar sistemit të vetëvlerësimit në rastin e TVSH – së, përvojat e njohura i këshillojnë administratat tatimore të vendeve në tranzicion, të vëzhgojnë me shumë kujdes se si ndryshon sjellja e tatimpaguesve, me qëllim që të caktohen me efektivitet burimet dhe strategjitë më të mira për kontrollin tatimor.

Pra, një politikë e mirë tatimore, që kërkon të jetë e suksesshme, meriton një vlerësim të konsiderueshëm të administratës tatimore në kombinimin e asaj “çfarë duhet bërë” me atë “si duhet bërë”.

Prirja e një numri të konsiderueshëm të tatimpaguesve të biznesit të vogël, me një qarkullim ekonomik më të madh se 8 milion lekë/vit, për t’u fshehur ndën pragun tatimor të trajtimit të tyre me TVSH, nuk është thjesht problem i kohëve të fundit. Që prej 1 Korrikut të vitit 1996 (kur filloi zbatimi i ligjit për TVSH), dhe deri në ditët e sotme është vërtetuar shmangia për të mos u trajtuar dhe paguar TVSH – në.

Në përgjithësi, sjellja e tatimpaguesve të biznesit të vogël, që fshihen ndën pragun tatimor të qarkullimit ekonomik prej 8 milion lekë/vit, gradualisht, është influencuar fort nga sjellja e zakonshme e tatimpaguesve të biznesit të vogël.

Në situatën komplekse të trajtimit me TVSH, me të cilin ata ende nuk janë të familiarizuar, në mënyrë të vetëdijshme ata kanë huazuar sjelljen e tatimpaguesve të tjerë, që fshihenshin ndën pragun e TVSH – së.

Tatimpaguesit e biznesit të vogël janë të hapur për t’u influencuar nga sjellja e tatimpaguesve të tjerë në lidhje me lëshimin dhe/ose pranimin e faturave tatimore me TVSH për çdo furnizim malli dhe/ose shërbimi.

Përpjekja për t’i shpjeguar thjesht arsyet që influencojnë mbi parapëlqimet e tatimpaguesve të biznesit të vogël në lidhje me trajtimin me TVSH, pa marë në konsideratë influencën direkte të sjelljes së tatimpaguesve të tjerë të biznesit të vogël dhe normave shoqërore të sjelljes së tyre, merr me mend faktin se tatimpaguesit e dinë çfarë duan dhe se parapëlqimet e tyre fiksohen në mënyrë të pavarur.

Një gjë e tillë ka qenë shumë e mirë përsa i përket shpjegimeve të vendim – marrjes afatshkurtër (për shembull, ndryshimit të qarkullimit ekonomik të trajtimit me TVSH nga 2, në 5 e më pas në 8 milion lekë/vit), por kjo nuk tregoi se ishte e përshtatshme për ndryshime afatgjata të parapëlqimeve të tatimpaguesve të biznesit të vogël, çka nënkupton faktin e implikimeve domethënëse në hartimin dhe zbatimin e politikave fiskale, për shkak se, gjithashtu, merr me mend se tatimpaguesit kryejnë një analizë të plotë dhe të arsyeshme për të gjitha opsionet që kanë në dispozicion.

Por, ata nuk e bëjnë një gjë të tillë, sepse tatimpaguesit e biznesit të vogël vetëm sa kopjojnë veprimet e tatimpaguesve të tjerë; për shembull, para se të vendosën të regjistrohen si tatimpagues të TVSH – së, kërkohen përpjekje tejet të mëdha për t’i njohur të gjitha rregullat e TVSH – së, për të marrë vesh gjobat/ndëshkimet në rast se shkel ligjin për TVSH.

Kërkon të marrësh masat e duhura dhe të parashikosh kostot e mundshme në rast se kapesh në gabim nga organet tatimore.

Në vend që tatimpaguesit e biznesit të vogël të kopjojnë tatimpaguesit e tjerë të TVSH – së, sjelljen e tyre e korigjojnë mbi bazën e përvojës së tyre në biznesin e vogël ku lëshimi/pranimi i faturave tatimore me TVSH ka qenë, është dhe pritet të jetë shumë i vakët.

Duke marrë në konsideratë atë çka na ofron shkenca e psikologjisë dhe shkenca ekonomike e sjelljes duhet kuptuar se perqendrimi vetëm mbi një analizë të thjeshtë për të hartuar një sistem të suksesshëm të TVSH – së, pasi pati një efekt të menjëhershëm në mbledhjen e të ardhurave tatimore në krahasim me tatimin mbi qarkullimin, tregoi se efekti fillestar i zbatimit të TVSH – së nuk vazhdoi ashtu sikundër u mendua në fillim çka e detyroi administratën tatimore të ndërmarrë veprime të ndryshme për t’i përfshirë “rebelët” e biznesit të vogël ndën administrimin me TVSH.

Edhe pse ka një gjobë/ndëshkim për moslëshimin/pranimin e faturës tatimore me TVSH, si dhe ka një gjasë që të kapesh nga organet tatimore, tatimpaguesit e biznesit të vogël nuk janë frenuar në shitjen e mallrave dhe shërbimeve pa faturë tatimore me TVSH, sepse kanë vërtetuar se mundësia për t’u kapur nga organet tatimore ka qenë, është dhe pritet të jetë e vogël.

Merret me mend se tatimpaguesit e biznesit të vogël, me parapëlqimet e tyre të veçanta të caktuara, veprojnë në mënyrë të arsyeshme për të maksimizuar dobinë e tyre (dobia gjërësisht nënkupton lumturinë dhe kënaqësinë që u sjellin atyre fitimet qoftë edhe në mënyrë të paligjshme, sepse TVSH – ja e paguar nga konsumatori, ose përdoruesi fundor i mallit/shërbimit duhet të shkojë në buxhetin e shtetit dhe jo në xhepin e atij që luan rolin e agjentit për mbledhjen e TVSH në burim = shitje).

Por duke bërë diçka jashtë zakonit të lëshimit/pranimit të faturës tatimore me TVSH, kur shesin mallra dhe/ose shërbime është e pamundur të mendohet se ata do të bënin analizën e plotë të të gjitha opsioneve të ndryshëm që kanë në dispozicion në lidhje me lëshimin e faturës tatimore me TVSH.

Ashtu si në rastin e normave shoqërore, psikologët ka kohë që kanë pranuar se shpeshtësia e sjelljes së njerëzve në të kaluarën influencon sjelljen e tanishme, prandaj përvoja e deritanishme në bërjen e politikave fiskale duhet ta konsiderojë sa dhe si duhet ekzistencën e zakonit të tatimpaguesve të biznesit të vogël në lidhje me lëshimin/pranimin e faturës fiskale, për të zgjeruar përpjekjet që i duhen kushtuar tatimpaguesve të kategorisë së biznesit të vogël që fshihet poshtë pragut të TVSH – së për të kapërcyer zakonin e rrënjosur thellë të moslëshimit/mospranimit të faturave tatimore në përgjithësi dhe faturës tatimore me TVSH në veçanti.

Nga ana tjetër, fare e qartë se është shumë e vështirë të ndryshojë një zakon në qoftë se përsëritet shpesh (është më e vështirë të ndryshohet ajo që bëhet çdo ditë se ajo që bëhet një herë në vit); ka shpërblime të lidhura fort me zakonin (fshehja e të ardhurave), si dhe kur shpërblimi shijohet shumë shpejt pas veprimit (të ardhurat me para në dorë, ose cash).

Rregullat e TVSH – së mund t’i ndihmojnë tatimpaguesit e biznesit të vogël të ndryshojnë sjelljen e tyre të deritanishme me qëllim që lëshimi/pranimi i faturave tatimore me TVSH t’u bëhet zakon, por në synimin për të ndryshuar sjelljen e tatimpaguesve të biznesit të vogël, në mënyrë të veçantë duhet të konsiderohet roli që luajnë zakonet e tyre.

Këtu shtrohet pyetja: “A ka ndonjë zakon që ka të ngjarë të jetë pengesë për ndryshimin e sjelljes dhe në qoftë kështu, sa i fortë ka të ngjarë të jetë ai dhe si mund të ndryshohet një zakon i tillë i sjelljes në vetëdijen e tatimpaguesve të ndërgjegjshëm të biznesit të vogël?”.

Çfarë nxitësish, financiarë dhe jofinanciarë, mund t’u jepen atyre për t’i ndihmuar që ata të ndryshojnë sjelljen e tyre dhe çfarë informacioni mbështetës mund dhe duhet t’u jepet për t’i ndihmuar që të riforcojnë sjelljen e re dhe për ta çimentuar atë në një zakon të ri?

A mund të përgatitet dhe t’u jepet në kohën e duhur ky informacion që ata të veprojnë për të maksimizuar efektin e të mësuarit?

Një analizë e thellë në lidhje me zbatimin e TVSH – së për një shtresë të caktuar të tatimpaguesve të biznesit të vogël, si ajo që fshihet ndën pragun e një qarkullimi ekonomik të mallrave dhe/ose shërbimeve prej 8 milion lekë/vit do të duhej të parashikonte kostot/përfitimet, për t’i inkurajuar këta tatimpagues, si dhe gjobat/ndëshkimet që do të duheshin për t’i shkurajuar ata.

Duhet të parashikohen gjithashtu rrethanat në të cilat do të veprojnë zyrtarët tatimorë në lidhje me lëshimin/moslëshimin e faturës me TVSH; më tej, fakti që zyrtarët tatimorë do të jenë të gatshëm të ndëshkojnë shkeljet e ligjit nga tatimpaguesit, me një kosto të konsiderueshme për veten e tyre, pa ndonjë përfitim të dukshëm financiar vetiak, nuk mund të shpjegohet nga një analizë të thjeshtë.
Vendim – marrësit politikë duhet të konsiderojnë si e perceptojnë tatimpaguesit sjelljen që ata po përpiqen t’ua ndryshojnë (në rastin konkret trajtimin e një shtrese të caktuar të tatimpaguesve të biznesit të vogël me TVSH), sepse në qoftë se do të jetë i gabuar një trajtim i tillë do të rezultonte me efekte të kundërta: në vendosjen e gjobave dhe kreditimin e TVSH – së.

Marrja në konsideratë e përfitimeve nga përdorimi më i madh i taktikave të tilla për të inkurajuar tatimpaguesit të biznesit të vogël (shtresës që mendohet të trajtohet me TVSH) që të angazhohen për zbatimin e TVSH – së (veçanërisht në lëshimin/pranimin e faturës me TVSH), është një alternativë që në disa vende është bërë me shkrim nga pronarët e biznesit për lëshimin/pranimin e faturës me TVSH, duke pranuar bërjen publike të emrave të atyre që nuk i mbajnë angazhimet e marra.

Sfidat kanë shoqëruar çdo politikë tatimore; çdo sfidë ka pasur paragjykimet dhe llogaritjet e saj përsa i përket raportit kosto/përfitime

Nga përvoja personale, veçanërisht, ajo e vitit 2006 ku u bë një takim në parni të Zyrës Rezidente të FMN – së, Bankës Botërore, dhomave të tregtisë, shoqatave përfaqësuese të biznesit, etj, që u shoqërua me një periudhë reklamimi, ndihmuar nga GTZ (sot GIZ), tatimpaguesit e biznesit të vogël nuk e rritën, ose ndryshuan sjelljen e tyre në lidhje me panimin e faturave tatimore me TVSH.

Presioni i ushtruar mbi qeverinë Rama 2 nga “klientë” pranë saj, ka gjasa më shumë ta kenë dëmtuar këtë politikë tatimore se sa ta kenë ndihmuar, kur vetë shmangin nëpërmjet pagave dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetsore.

Ja ku “fle lepuri”.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: