Home KRYESORE Qeveria jonë që je në qiell… Nga Dritan Shano

Qeveria jonë që je në qiell… Nga Dritan Shano

Mendoj se asnjë shqiptar nuk duhet të taksohet mbi shtëpinë e parë. Taksa është e vlefshme të mblidhet mbi shtëpinë e dytë, të tretë… dhe jo mbi vlerën, por mbi sipërfaqen e shtëpisë.

Taksa mbi shtëpinë që do fillojë të mblidhet në Prill është një monstruozitet, është një grabitje e pastër, me dhunë. Sot, askush nuk di nëse ka mbaruar regjistrimi i pronës, hipotekimi i pronës, legalizimi i ndërtimeve pa leje – nëse shteti ka bërë detyrën për të garantuar rregulla loje të barabarta në treg.

Pra, askush nuk ka garanci që kjo taksë do paguhet nga të gjithë. E gjitha bëhet për të mbushur buxhetin – si një kafshim tjetër në trupin e drobitur të atyre qytetarëve shqiptarë që ende nuk kanë ikur nga Shqipëria.

Mendoj se kjo bëhet në kushtet kur politikat shtetërore kanë dështuar të krijojnë rritje ekonomike. Po të kishte rritje ekonomike nuk do ishte e nevojshme rritja e taksave. Por, çdo rritje e të ardhurave në buxhetin e kësaj qeverie nuk vjen nga rritja ekonomike, por nga rritja e taksave.

Është e qartë se këtë taksë mbi shtëpinë do e paguajnë vetëm ata që paguajnë gjithmonë – shqiptarët e rregullt dhe të ndershëm.

Por, shqiptarët e ndershëm, shumë shpejt do ngodhin si ai gomari të cilin i zoti e la pa ujë dy javë; ndërsa qeveria do thotë: ta hajë dreqi, ngordhi sapo e mësova pa ujë. Çështja është: a është qeveria Zoti ynë?!

Share: