Home I pakategorizuar “Së shpejti ai flamur me gjysmëhënën që dogjën grekët do të valëvitet...

“Së shpejti ai flamur me gjysmëhënën që dogjën grekët do të valëvitet në qiellin e Athinës”

“Çështja e dy ushtarëve grekë i përket drejtësisë turke”, ka deklaruar kryeministri turk Binali Yildirim në një konferencë për shtyp, gjatë së cilës ka kritikuar Greqinë se përse ajo e çoi çështjen e arrestimit të dy ushtarëve grekë, të kapur disa ditë më parë në brendësi të kufirit turk pranë lumit Evro, tek institucionet e BE-së.

“Po, në ditët e fundit, dy ushtarë grekë kanë shkelur kufirin tonë. Procesi ligjor kundër tyre është ende duke vazhduar. Juridiksioni do të bëjë atë që është e nevojshme. Lidhja e kësaj çështjeje me marrëdhëniet me BE-në është diçka shumë e zgjuar. Është bërë rutinë të çojnë çdo çështje që ka të bëjë me Turqinë te BE-ja, duke kërkuar atje mbështetje”, tha Binali Yildirim, kryeministër i Turqisë.
Ankaraja ka dënuar gjithashtu edhe djegien e flamurit turk në një miting nga ekstremistët e Agimit të Artë në Athinë, duke kërkuar nga Athina zyrtare arrestimin e tyre.

“Flamuri ynë me yllin dhe hënën është krenaria jonë. Për flamurin japim jetën tonë dhe mobilizojmë të gjitha mundësitë tona”, tha më tej Binali Yildirim.

Deklaratat e kryeministrit turk vijnë vetëm disa orë pas mesazheve të presidentit grek drejtuar Ankarasë, në të cilat ka kërkuar prej fqinjëve të zbatojnë të Drejtën Ndërkombëtare dhe të respektojnë Traktatin e Lozanës, që u pasua nga përgjigjja e ashpër e Ministrisë së Jashtme turke.

E ndërsa në Athinë shtohen përpjekjet diplomatike për lirimin e dy ushtarëve grekë, që mbahen në burg nga autoritetet turke, orëve të fundit në Turqi janë shtuar retorikat ndaj Greqisë.

Dy udhëheqësit e partive të ekstremit të djathtë, “Bashkimi i Madh” dhe “Lëvizja e Nacionalistëve” kanë deklaruar përkatësisht se, “së shpejti ai flamur me gjysmëhënën që dogjën grekët do të valëvitet në qiellin e Athinës” dhe “do t’u mësojmë përsëri grekëve historinë, ashtu siç bëmë në vitin 1921”./360grade.al

Share: