Home KRYESORE TE KAFJA…. Ngjarje e vertetë nga Agim Xhafka

TE KAFJA…. Ngjarje e vertetë nga Agim Xhafka

Para dy orësh isha te kafja pranë gjimnazit. Kisha lënë takim me një shok. Sa bëra porosinë i hodha një sy fb,për të shtyrë kohën. Në atë moment nga dera kryesore erdhën si tufë nja 8 burra e gra. Me klithma,qeshje,bërtitje. Dukej që ishin mësues,nga që mbanin veshur pérparësen e shkollës poshtë xhupave. Për ters u ulën pranë meje. I kishte kapur një gaz kaq i madh sa e kisha të pamundur te rrija atje. Por dhe të ikja më vinte inat.

Pashë një herë drejt tyre dhe kur një prej grupit hodhi sytë nga unë,vura gishtin tek buza,si për t’i thënë të ulnin pak zërin. Por ndodhi ndryshe. Ia krisën më fort. E kishte mes grupit një femër që alivanosej nga qeshja e madhe. I hipte zëri deri lart dhe i këputej poshtë si ashensor i prishur.

Në fakt u nervozova,por edhe sherr s’mund të bëja. Ndaj i thirra nevojës e ajo më instruktoi.

Nxora celularin,u ngrita më këmbë e thirra:

-Si? Ke vënë 500 gram tritol? Po ku të çon mushka,o rrotë trapi,do hedhësh në erë krejt pallatin? Dëmto vetëm benzin,trembe dhe aq lere.

Pashë që grupi u zbyth. Iku qeshja e bërtitjet. Por vazhdova:
-Dhe atë shalëgjatën nesër e dua në Milano. Në darkë të jetë tek Xhovani e të nisë punën se është mish i njomë e vdesin italianët për vajza 15 vjeçare.

Grupi i mësuesve harroi pse po flisnin. U ra heshtja sikur ishin në kishë. Mora kafen dhe po e pija pér qejfin tim. Edhe më qeshej,por u përmbajta. Në sytë e asaj që alivanosej nga e qeshura pashë tmerr. Hidhte sytë nga unë sikur po shihte ndonjë film horror. Kaluan ca minuta kështu e sikur u erdhi alegria prapë. Nisën të ngrenë zérin. Por sa dëgjova të qeshurën e re u ngrita prapë:

-Si? E qërrove? Me silenciator? Me sa fishekë?Ok,mirë,qetësohu. Nisu tani e takohemi në Rinas pas një ore.

Kaq fola e pas dy minutash grupi i mësuesve doli me vrap nga kafja. Për fat më erdhi shoku. Porosita dhe një kafe për të. Kamarieri as fliste,as lëvizte. Meit i ziu. E tremba dhe atë. Kur ika tha:”I ke të paguara.”

Rrofsh,i thashë e po ecja drejt qendrës së qytetit duke fishkëllyer lehtë…

Share: