Të qejfmbeturit e Bashës në PD, që nuk u futën në listat e kandidatëve, kanë nisur një lëvizje që mesa duket mund të përfundojë në organizimin e një partie të re. Por hë për hë ata kanë menduar të bëjnë një tur takimesh në bazë, për të mësuar se sa të pakënaqur ka edhe në strukturat e PD-së, që mund ti bashkohen kësaj lëvizjeje të re politike. Duke ndjekur linjën e thashethemnajës publike, në këtë lëvizje është afruar edhe një ish deputet, që u detyrua të dorëzojë mandatin për shkak se e kapi ligji i dekriminalizimit, Aqif Rakipi, i njohur me nofkën Qifja. Ky nuk dihet se me kë e ka inatin që nuk është më në parlament.
Nëse ata do ta finalizojnë nismën me një parti, unë mendoj se nuk do të bëjnë dritë më shumë se një kandil që edhe vajgurin e ka të përzjerë me ujë. Unë nuk pres që ata të shndërrohen në një lokomotivë që do të tërheqë trenin e opozitës, meqë Bashën e ka zënë gjumi. Nuk pres as që ta dobësojnë më shumë Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën si kryetar. Thjeshtë ata duan të bëjnë një parti, pasi nuk mendojnë se në partinë ku ishin mund të kontribojnë edhe pa qenë deputetë. Por gjithësesi, ky është një parashikim i imi.
Në shumë vende, individë apo lëvizje të reja tronditën themelet e politikës tradicionale. Në Greqi, Tsipras, shkatërroi dinastitë politike që sundonin vendin për gjysmë shekulli. Në Francë, Macron fitoi thuajse i vetëm. Në SHBA, Trump përmbysi gjithëcka. Në Itali, një “lëvizje rruge”, e shikon vetën si parti fituese në zgjedhje.
Mendimi se në Shqipëri ka nevojë për një lëvizje të re politike, nuk është thjeshtë një dëshirë për ndryshim, por është nevojë për të shkundur dy partitë e mëdha dhe ca nëndegë të tyre të emërtuara me emra të tjerë. Dy përpjekjet që u bënë në këtë drejtim, u venitën. Gjergji Bojaxhi, bëri një debutim të sukseshëm në Tiranë, në zgjedhjet vendore. Por e braktisi menjëherë projektin e tij. Edhe Ben Blushi, pasi dështoi në sprovën e parë, e braktisi krijimin e tij politik. Pyetja, nëse ka apo jo Shqipëria nevojë për një lëvizje të re, unë mendoj se nuk ka nevojë për përgjigje. Sepse kjo nevojë është ulëritëse. Problemi është se në vend të lëvizjeve të reja që mund të frymëzojnë njerëzit, në skenë ngjiten aktorë të vjetër që përpiqen të luajnë të njëjtën pjesë që kanë luajtur për vitesh dhe që spektatorëve u kanë ardhur në majë të hundës.
A mund të sjellin ndryshim politik ca njerëz që kanë qenë në politikë e në pushtet që nga viti 1992? A mund të sjellin ndryshim ca njerëz që nuk kanë asnjë ideal në atë që duan të bëjnë, veçse të nxjerrin inatin me kryetarin e PD-së që nuk i futi në lista? A mund të kërkojnë votë për pushtet, ca njerëz që e kanë patur atë me pash, disa herë? Parë në këtë këndvështim, problemi nuk është dështimi i Bodes apo Topallit, por degjenerimi i mëtejshëm i mjedisit politik dhe kontaminimi i tokës, në të cilën, mesaduket, nuk do të rritet dot asnjë fidan tjetër i ri, veçse të mbijnë degë nga rrënjët e pemës së vjetër me trung të kalbur.