Home KRYESORE Zeri Amerikes: Pikëpyetjet mbi 500 mijë USD e lobimit të PD

Zeri Amerikes: Pikëpyetjet mbi 500 mijë USD e lobimit të PD

Partia Demokratike hodhi poshtë një shkrim të botuar në revistën amerikane “Mother Jones” lidhur me fondet, që kjo parti ka paguar për aktivitete të lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, para zgjedhjeve të qershorit të vitit të kaluar.

Artikulli ngre dyshime se pas një pjese të pagesave të bëra nga kompania “Biniatta Trade LP”, me bazë në Skoci, qëndrojnë biznesmenë rusë. “Makina e propagandës së Edi Ramës ka prodhuar dje një shkrim me pagesë në një media të majtë të dorës së dytë për të shpifur për financimin e Partisë Demokratike. Shkrimi është qesharak për nga përmbajtja dhe skandaloz për nga fallsifikimi i fakteve dhe kapërcimet logjike”, thuhet në deklaratën e PD-së, duke theksuar se ajo nuk ka asnjë lidhje me individë apo kompani ruse.

Çështja e pagesave për lobim të kryera nga ana e PD-së u hap në nëntorin e kaluar, kur firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ plotësoi me informacione shtesë deklarimet e saj të detyruara me ligj për Departamentin e Drejtësisë. Sipas deklarimeve të kompanisë ‘Muzin’ ajo ka marrë tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017: pagesa e parë mban datën 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë.

Nga këto deklarime të firmës Muzin, vetëm ajo prej 25 mijë dollarësh, është pranuar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha që është paguar nga PD-ja. Dy të tjerat janë të paqarta.

Partia Demokratike nuk ka pranuar asnjë lidhje me firmën ‘Biniatta Trade LP”, e cila rezulton e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë – një shtet i Amerikës Qendrore, i njohur si parajsë fiskale. Sipas investigimit të revistës “Mother Jones”, “Biniatta Trade LP” është një partneritet i krijuar nga dy kompani: Asverro Corp dhe Liminez Commerce, për të cilat “nuk ka të dhëna publike për ndonjë aktivitet tregtar”. Pas këtyre dy kompanive, sipas “Mother Jones”, qëndrojnë dy shoqëri të tjera të regjistruara në Mbretërinë e Bashkuar, “Babyonica” dhe “KF Global Management”, aksionet e të cilave zotërohen në masën 75 për qind nga dy shtetas rus, Evgeny Sheremetyev dhe Kostantin Ferulev.

Në deklaratën e saj PD thekson se ajo “nuk ka thyer asnjë ligj, as shqiptar, as amerikan dhe të asnjë vendi tjetër. Partia Demokratike nuk ka patur e nuk ka asnjë lidhje direkte apo indirekte me individë apo kompani ruse”.

Megjithatë mbetet i paqartë angazhimi i “Biniatta Trade LP” në favor të Partisë Demokratike, duke paguar 150 mijë dollarë. “Muzin Capitol Partners” deklaron se është “kompensuar nga “Biniatta Trade LP” për aktivitetet e organizuara në emër të Partisë Demokratike për të promovuar lidershipin konservator shqiptar pranë biznesve dhe udhëheqësve politikë në Shtetet e Bashkuara”.

Sipas ligjeve shqiptare, partitë duhet t’i deklarojnë në KQZ shpenzimet për aktivitetet e tyre. Në dokumentacionin e dorëzuar nga PD në KQZ, rezulton se ajo ka paguar 100 mijë dollarë për një firmë tjetër lobuese në ShBA, “Barnes&Thornburg”. Deklarimi i PD-së, nuk përfshin kompensimet e tjera që firma Muzin i ka deklaruar në Departamentin amerikan të Drejtësisë se i ka marrë nga PD-ja (500 mijë dollarë), ose për punë në favor të saj (150 mijë dollarë nga Bienatta).

Për herë të parë çështja shpenzimeve të padeklaruara nga PD-ja, u zbardh nga një shkrim i Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative, BIRN, në nëntor të vitit të kaluar. Në reagimin e saj Partia Demokratike theksoi se “Kontratat e lobimit të Partisë Demokratike janë dokument publik që janë të depozituara në Departamentin Amerikan të Drejtësisë. Kontratat dhe pagesat e bëra janë subjekt i ligjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe janë audituar dhe kontrolluar nga qeveria amerikane”.

Por gati një muaj më pas, gjatë emisionit “Opinion” zoti Basha do të jepte shpjegime dhe për shumën prej 500 mijë dollarësh për “Muzin Capitol Partners”. “Kjo kompani ka marrë dhe kontribute të tjera. Ka marrë një kontribut me një shumë prej 500 mijë dollarësh, përmes një skeme plotësisht në përputhje me ligjin amerikan, nga shqiptaro-amerikanët që kanë bërë grumbullim fondesh. Ky është një transaksion i drejtpërdrejtë, mes këtij fondi dhe kompanisë së lobimit. Këto para as nuk kanë ardhur në PD dhe as nuk janë paguar nga PD”, u shpreh zoti Basha, sipas të cilit kanë qenë të paktën 100 shqiptaro-amerikanë që kanë kontribuar për këtë fond.

Mbetet ende e paqartë kjo mospërputhje faktesh, ku “Muzin Capitol Partners”, deklaron se është paguar nga PD-ja, ndërsa zoti
Basha deklaron se pagesa është bërë nga shqiptaro-amerikanët.

Për ta komplikuar çështjen edhe më tej, një shifër prej 500 mijë dollarësh, përmendet edhe në kontratën fillestare midis firmës Muzin dhe firmës “Biniatta Trade LP”, të depozituar në Departamentin amerikan të Drejtësisë, si një pagesë që Biniatta duhet t’ia bënte firmës Muzin.

Si përmbledhje, PD ka deklaruar në KQZ 100 mijë dollarë për firmën “Barnes&Thornburg”, zoti Basha ka pranuar edhe 25 mijë dollarë pagesë për firmën Muzin, ndërkohë që mungojnë nga deklarimet në KQZ 150 mijë të bëra për PD-në nga Biniatta dhe 500 mijë, që Muzin thotë i ka bërë PD, ndërsa PD pretendon se i ka paguar komuniteti shqiptaro-amerikan.

Në fund të nëntorit, kur çështja u bë publike, Prokuroria e Tiranës, njoftoi se kishte nisur verifikimet dhe se kishte kërkuar dokumentacionet përkatëse si nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për deklarimet e PD-së, ashtu dhe nga vetë Partia Demokratike për të marrë kontratat e e lidhura me kompanitë amerikane. Por për rezultatet e këtyre verifikimeve nuk ka patur deri më tani asnjë njoftim zyrtar. /Zëri i Amerikës

Share: