Tarifa në Rrugën e Kombit për banorët e Kukësit dhe zonave përreth pritet të jetë 1.5 euro për një kalim, ose 3 euro vajtje-ardhje.
Edhe pse zyrtarisht Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë thotë se nuk ka bërë ende asnjë propozim konkret, burime nga grupi negociator shprehen se vlera 1.5 euro është opsioni që mendohet si më i mundshëm për banorët dhe përdoruesit e shpeshtë të rrugës, ndërkohë që për pjesën tjetër tarifa do të mbetet 5 euro në vajtje dhe 5 në ardhje.
Veç uljes së tarifës për banorët e zonës, qeveria ka premtuar se ulje do të ketë edhe për mjetet e transportit publik, që të mos ketë rritje të çmimit të biletave.
Tarifa e kalimit në rrugën Durrës-Kukës u vendos për herë të parë në fillim të këtij muaji. Qeveria nuk aplikoi asnjë skemë lehtësimi për banorët e zonës dhe përdoruesit e shpeshtë.
Kjo çoi në zemërimin e qytetarëve, të cilët dy ditë pas vendosjes së taksës protestuan duke djegur pikën e kalimit me pagesë.
Aktualisht në Rrugën e Kombit po kalohet pa pagesë, ndërsa qeveria nisi negociatat me koncesionarin, me të cilin ka firmosur kontratën./Top Channel