Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ka folur për çështjen e ish-Kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe nëse ai kishte ndonjë konflikt personal me të. Lu theksoi se Sekretari i Shtetit, vendosi që Adriatik Llalla do të ishte i pari person në botë që do t’i ndalohet hyrja në SHBA, për korrupsion në një vend tjetër.
Fevziu: Zoti Ambasador, do t’i kthehem vetingut, por doja t’ju pyesja për historinë tuaj me ish Prokurorin e Përgjithshëm Z. Llalla. Përse Departamenti i Shtetit ia ndaloi hyrjen Z. Llalla dhe familjes së tij në Shtetet e Bashkuara?
Lu: Sekretari i Shtetit vendosi që Z. Llalla do të ishte i pari person në botë…
Fevziu: I pari person në botë?
Lu: …në botë, që sipas këtij ligji që i lejon Presidentit të Shteteve të Bashkuara t’i ndalojë hyrjen në Shtetet e Bashkuara një zyrtari të korruptuar nga një vend tjetër.
Fevziu: Sipas informacioneve të kujt?
Lu: Më lejoni të mbaroj. Pra, mbështetej në korrupsion të konsiderueshëm. Prandaj ne, qeveria e SHBA, dhe në këtë rast Sekretari i Shtetit, i cili nën autoritetin e Presidentit për këtë çështje, ishte i bindur se kishte prova të mjaftueshme për të besuar se Z. Llalla ishte i përfshirë në korrupsion të rëndësishëm. Këtu ngrihet edhe një pyetje tjetër, nëse ai ka shkelur ligjet e vendit tuaj. Nuk mund ta vendosim ne këtë për Shqipërinë, ne nuk jemi zbatuesit shqiptarë të ligjit. Prandaj po punojmë me prokurorët dhe policinë shqiptare, për t’i ndihmuar ata të kuptojnë atë që ne kemi kuptuar, në mënyrë që të vendosin nëse duan ta çojnë këtë çështje në gjykatë.
Fevziu: Po nga erdhi ky informacion? Nga Ambasada Amerikane në Tiranë apo nga institucionet ligjzbatuese në Shtetet e Bashkuara, të cilat e ofruan këtë informacion?
Lu: Blendi, ju e dini se ne kemi shumë burime informacioni.
Fevziu: Shumë njerëz besojnë se ishit ju që personalisht e dëbuat Llallën për shkak të problemeve që keni pasur më parë.
Lu: Asnjë President i Shteteve të Bashkuara apo Sekretar Shtetit nuk do mjaftohej vetëm me të dhënat e Ambasadorit Amerikan. Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka shumë burime informacioni, dhe të gjitha ato të çonin në një përfundim, dhe ai ishte përfundimi ku Sekretari i Shtetit u mbështet për vendimin e tij.
Fevziu: A ka një hetim zyrtar për Llallën në Shtetet e Bashkuara? Nuk po flas për hetimin në Shqipëri.
Lu: Unë nuk jam agjent i FBI-së, unë nuk jam agjent i DEA-s. Nuk mund të them nëse ata kanë nisur hetimet. Unë mund të flas vetëm në emër të Ambasadës tonë dhe ne po bashkëpunojmë me autoritetet shqiptare.
Fevziu: Përse keni pasur një marrëdhënie kaq të fortë dhe të keqe me Z. Llalla?
Lu: Jo, unë kam pasur një marrëdhënie personale mjaft të arsyeshme me Z. Llalla, kemi pasur disa takime, kemi qëndruar në komunikim edhe pas konfliktit që patëm. Janarin e kaluar unë thashë se Z. Llalla kishte vepruar kundër reformës në drejtësi. Unë nuk kam asgjë personale me Z. Llalla. Unë dhe qeveria ime kemi investuar shumë përpjekje në reformën në drejtësi dhe nuk do të lejojmë asnjë zyrtar të vetëm, sado i lartë të jetë ai, që të pengojnë këtë reform.
Fevziu: Z. Ambasador, doja t’ju pyesja sepse kanë qarkulluar komente, nëse deklaratat që ju keni bërë gjatë këtyre 3 viteve kanë qënë të miratuara nga Departamenti i Shtetit, nga politikat zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës?
Lu: 100%.
Fevziu: 100%?
Lu: 100%! Unë jam një burokrat shumë besnik. Unë nuk bëj asgjë pa marrë miratimin e Uashingtonit, komunikoj me Uashingtonin çdo ditë, dhe ata e dinë shumë mirë se çfarë bëjmë ne.
Fevziu: Cili ishte problem më i madh i Z. Llalla?
Ambasadori Lu: Prokurori i Përgjithshëm Llalla nuk ndoqi penalisht njerëzit. Ai ishte Prokurori më i lartë në vend, e megjithatë askush nuk u fut në burg gjatë mandatit të tij. Ju keni nivelin më të ulët të ndjekjeve penale për krimet e rënda në një vend me probleme serioze me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Prandajs hpresoj që të gjithë Prokurorët e Përgjithshëm të ardhshëm, përfshirë edhe Znj. Marku, ta marrin më seriozisht përgjegjësinë e tyre për të ndjekur penalisht njerëzit që shkelin ligjin.